E Diel, 1 Nëntor 2026

Hiqen vizat për serbët që duan të vizitojnë Shqipërinë

14/04/2010 Qeveria miraton vendimin për ndryshim të regjimit të vizave me Serbinë

Vendimi për t’u ardhur në ndihmë shqiptarëve të Luginës së Preshevës

Qytetarët serbë do të mund të udhëtojnë drejt Shqipërisë pa pasur nevojë të pajisen me vizë në ambasadë. Qeveria shqiptare ka miratuar dje vendimin e propozuar nga zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, për liberalizimin e regjimit të vizave të qëndrimit afatshkurtër për shtetasit e Republikës së Serbisë. Sipas MPJ-së, me miratimin dhe hyrjen në fuqi të ligjit “Për të huajt”, vendi ynë ka marrë përsipër krijimin e një kuadri ligjor, i cili është hartuar në përputhje me të gjitha direktivat e Bashkimit Evropian dhe me dispozitat e marrëveshjes “Shengen”. Qeveria shqiptare ka lidhur marrëveshje për liberalizimin e regjimit të vizave me të gjitha vendet e rajonit, duke përjashtuar Kroacinë, me të cilën kemi hequr në mënyrë të njëanshme regjimin e vizave, si dhe Serbinë, me të cilën regjimi i vizave mbetet në fuqi. Vendimi për heqjen e vizave për qytetarët serbë, më së shumti bëhet për t’u dhënë mundësi shqiptarëve të Luginës së Preshevës të lëvizin lirshëm drejt vendit tonë. MPJ-ja thotë se situata aktuale vendos shqiptarët e Luginës së Preshevës dhe gjithë shtetasit serbë me kombësi shqiptare në pozita diskriminimi. Për shkak të regjimit të vizave, ndryshe nga gjithë shqiptarët e tjerë të rajonit, për të hyrë në Shqipëri atyre u duhet të marrin vizë në ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Beograd. Propozimi për liberalizimin e vizave me Serbinë mbështetet edhe në argumentin se pas 19 dhjetorit të vitit 2009, shtetasit serbë udhëtojnë pa vizë në hapësirën “Shengen”, ndërsa me një vendim të mëparshëm të Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, njihen direkt si të vlefshme për të hyrë në territorin e vendit tonë vizat “Shengen” në pasaportat e shtetasve nga vendet me të cilat Shqipëria ka në fuqi regjim vizash. Zyrtarët e Ministrisë së Jashtme konsiderojnë se në këtë mënyrë bëhet edhe harmonizimi i “listës së bardhë” (shtetasit e vendeve që hyjnë pa vizë në vendin tonë) me listën e vendeve “Shengen”. Vendimi parashikon që shtetasit serbë, mbajtës të pasaportave të vlefshme të udhëtimit, mund të hyjnë pa viza në territorin e Republikës së Shqipërisë, për qëllime afatshkurtra ose të kalojnë transit.

Marrëdhëniet konfliktuale

Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Serbisë prej shumë vitesh kanë qenë të ngrira. Shkak për këtë kanë qenë pozicionet që kanë mbajtur të dy vendet në lidhje me statusin e Kosovës. Qeveritë shqiptare kanë mbështetur gjithnjë pavarësinë e Kosovës dhe kanë lobuar për këtë tek kancelaritë më të mëdha ndërkombëtare. Por Serbia kurrë nuk ka pranuar shpalljen e Kosovës si shtet më vete.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›