E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqiptarët paguajnë sigurime, kompanitë zhdëmtojnë pak

14/04/2010 Gjatë vitit 2009 janë paguar 7.9 miliardë lekë, ndërkohë dëmet arrijnë në vetëm 1.7 miliardë

Megjithëse në tregun shqiptar të sigurimeve janë përfshirë disa nga kompanitë më të mëdha në botë, shërbimi i ofruar prej tyre lë për të dëshiruar, pasi pagesa e bërë për dëmet është shumë e ulët në raport me atë që paguajnë qytetarët shqiptarë për sigurime. Sipas raportit të Autoritetit Mbikëqyrës Financiar rezulton se gjatë vitit 2009, shqiptarët kanë paguar 7.9 miliardë lekë sigurime, ndërkohë që dëmet e paguara nga kompanitë arrijnë në vetëm 1.7 miliardë lekë. Raporti prime/dëme mbetet më i ulëti në rajon e më gjerë, gjë që u garanton kompanive në Shqipëri fitime të konsiderueshme. Ndërkohë që sipas drejtuesve të AMF-së, vetëm rritja e konkurrencës do të përmirësonte këtë raport. Dje, gjatë raportimit në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë dhe Financave, Elisabeta Gjoni, drejtore e AMF-së u deklaroi se “në më të shumtën e rasteve, qytetarët të lodhur nga burokracitë e shërbimit që kompanitë ofrojnë, detyrohen që të pranojnë pagesa vullnetare”. Sipas saj, edhe pse ekziston presioni nga ana e shtetit sërish ky treg, nuk mund të sistemohet me masa administrative, por vetëm nëpërmjet konkurrencës. Nga ana tjetër raporti në fjalë thekson se tregu i kapitalit në Shqipëri vazhdon të jetë i pazhvilluar, ndërkohë që e kundërta po ndodh me pensionet private, numri i të cilave po rritet vit pas viti. Duke listuar një sërë arsyesh që e ndikojnë zhvillimin e bursës, siç janë madhësia e biznesit, mënyra e funksionimit, trashëgimia kulturore dhe mentaliteti, apo kriza financiare ndërkombëtare. Kështu, sipas AMF-së, viti i kaluar nuk shënoi ndonjë ngjarje të re për zhvillimin e aktivitetit të bursë dhe listimi i shoqërive si dhe tregtimi i aksioneve në këtë formë mbetet një përpjekje potenciale. "Ndërkohë edhe interesimi i subjekteve të huaja për zhvillimin e aktivitetit të bursës, apo për zhvillimin e aktivitetit të ndërmjetësimit janë tregues optimistë për zhvillimin e tregut të kapitalit", thuhet në raport. Autoriteti vë në dukje se në mungesë të një tregu të organizuar aksionet vazhdojnë të tregtohen mes aksionerëve, duke regjistruar ndryshimin e pronësisë në regjistrat e shoqërive aksionere. Nga ana tjetër, shoqëritë e dala nga privatizimi dhe të regjistruara në Qendrën e Regjistrimit të Aksioneve, transaksionet mes aksionerëve i regjistrojnë pranë kësaj qendre. Sigurimet e detyrueshme motorike kanë zënë peshën kryesore të tregut edhe gjatë vitit që lamë pas. Ndërkohë që vijon të mbetet në nivele të ulëta, sigurimi i jetës apo i shëndetit.

Kredidhënia rrit sigurimin e jetës

Rritja e kredidhënies për individë ka sjellë që primet për sigurimin e jetës gjatë vitit 2009 të arrijnë në rreth 40 për qind më shumë se në vitin 2008. Autoriteti Mbikëqyrës Financiar në raportin e tij për vitin 2009 thekson se gjatë vitit të kaluar qoftë sigurimi i detyruar apo dhe ai vullnetar kanë shënuar rritje, por ky i fundit jo vetëm si pasojë e vetë kërkesë së qytetarëve, por si pasojë e detyrimit që u bëhet atyre nga bankat kur marrin kredi. Sipas të dhënave rezulton se primet për sigurimin e jetës arritën në 724 milionë lekë ose rreth 40 për qind më të larta se një vit më parë. Por në raport theksohet se kjo rritje është e lidhur me rritjen e ritmit të kredidhënies kryesisht për individë. Ky fakt mbështet edhe me analizimin e produkteve që patën ndikimin e kryesor në rritjen e këtij tregu.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›