Hiqet urdhri i janarit që detyronte bizneset të dorëzonin çdo muaj të dhënat në tatime
Tatimpaguesit e TVSH-së nuk do të paraqesin në degët e tatimeve çdo muaj librat e shitjeve dhe blerjeve. Ministria e Financave ka vendosur që të hiqet kjo procedurë e lodhshme burokratike, duke saktësuar se çdo biznes duhet t’i mbajë këta libra në mënyrë të përpiktë, duke u bazuar në vetëdeklarimin e atij vetë. Ky vendim është kundër vendimit që vetë Ministria e Financave mori në fillim të këtij viti, ku detyronte çdo biznes të paraqiste çdo muaj të dhënat e shkruara mbi çdo shitje dhe blerje, çfarëdo qoftë ajo, në degën e tatimeve ose tek inspektorët përkatës. Është e qartë se Ministria e Financave është dorëzuar para kritikave të biznesit dhe të organizatave të tij që e kundërshtuan këtë burokraci, humbje kohe dhe rrije kostoje të biznesit. Ministria e Financave e ka cilësuar këtë vendim të dytë të sajin si një masë që rreket të çlirojë biznesin nga burokracitë dhe nga shtrëngimet, duke lënë kështu në heshtje faktin se ishte vetë kjo ministri, që në fillim të këtij viti mori vendimin që çdo biznes të dorëzonte çdo muaj librat e shitjeve dhe të blerjeve për të gjithë tatimpaguesit e tatimit mbi vlerën e shtuar. Këtë gjë, atëherë Ministria e Financave e cilësoi një masë të domosdoshme në luftën kundër informalitetit dhe shmangieve fiskale. Tashmë, po kjo ministri e cilëson heqjen e këtij detyrimi një element që do të ndihmojë lehtësimin e biznesit nga këto procedura dhe kjo kosto. Në të vërtetë, Ministria e Financave, pos një pune të mirë në përmirësimin e legjislacionit fiskal dhe një pune të mirë në programimet buxhetore dhe në sinkronizmin e buxhetit ka ndërmarrë herë pas here edhe vendime të tilla, të cilat në brenda pak muaj kundërshtojnë njëra-tjetrën. Një rast i tillë ishte ligji për prokurimet publike në pranverën e vitit 2006, i cili u ndryshua, siç u tha atëherë, për të mos penguar më burokracitë e tij dhe realizimin e investimeve. Vitin e shkuar, Ministria e Financave, duke qenë para faktit se kishte një mosrealizim të madh investimesh, tha se ligji i ri i prokurimeve, në përpjekje për të penguar korrupsionin, ka shumë pika të cilat vonojnë çeljen e fondeve dhe për pasojë realizimin e investimeve. Edhe urdhri për caktimin e punonjësve në organet e mediave u rishqyrtua nga Ministria e Financave dhe u cilësua si një mjet ndihmës për administratën e tatimeve dhe jo si një detyrim për mediat. Fakt është se urdhri i Ministrisë së Financave për të çliruar biznesin nga dorëzimi i përmuajshëm i librave të shitjeve dhe blerjeve ndihmon këtë të fundit. I mbetet administartës të kontrollojë vërtetësinë e të dhënave në këta libra.