E Shtunë, 31 Tetor 2026

Naftëtarët e Vllahinës: Na pushuan se jemi të majtë

 

Dje, 85 punëtorët e pushuar nga puna protestuan kundër vendimit, që e cilësojnë krejtësisht politike

Protestuesit kërkojnë t'i rikthejnë në punë, ndryshe do të bllokojnë zyrat dhe do përshkallëzojnë protestat

Vlorë-Punëtorët e sektorit të naftës në komunën e Vllahinës kanë protestuar dje pas vendimit, që i lë ata të papunë. Vendimi, sipas punëtorëve, më shumë se pjesë e reformës është thjesht politik dhe për këtë ata kanë kërkuar sqarime të motivuara. Në të kundërt, kanë kërcënuar me përshkallëzim të protestave, bllokim të zyrave dhe të puseve të naftës, që pretendojnë se janë ngritur në tokat e tyre. Aktualisht në këtë sektor janë pushuar 85 punonjës, por mësohet se priten të tjera shkurtime.

Protesta

Punëtorët kanë protestuar dje pranë zyrave të administratës së sektorit të naftës

"Reforma që po ndërmerr Albpetrol ka vetëm emrin të tillë, pasi ajo po vepron vetëm mbi punonjësit që njihen si të majtë",- kanë thënë protestuesit, duke kërkuar drejtësi. Në emër të 85 punonjësve të pushuar nga puna, kryetari i sindikatës së sektorit të naftës, Dilo Xhelilaj, pohoi se po shkelet ligji, duke penalizuar specialistët e mirëfilltë. "Po punësohen në vend të tyre punëtorë pa asnjë shkallë kualifikimi, lëvizje këto që kryhen sipas dëshirave të drejtuesve"- tha Xhelilaj. Vetë punëtorët e pushuar kanë pohuar se nëse nuk rimerren në punë do të bllokojnë zyrat, si dhe përshkallëzojnë protestat. Pas vendimit të qeverisë për reformën në ndërmarrjen e naftës së Gorishtit, ku priten të dalin nga puna 1703 punonjës të Albpetrol dhe Armo, dje është konkretizuar protesta. Këtë radhë, organizimin e kanë marrë në dorë sindikalistët.

Kërkesat

Protestuesit kanë kërkuar që reforma të kryhet në bazë të kritereve, e jo të bëhet politike. "Pushimi nga puna i një pjese të madhe punëtorësh ka ardhur si rrjedhojë jo e kritereve të vendosur, por nga pozicionimet politike të tyre"- thanë protestuesit. Ata kanë kërkuar që reforma të bëhet, por të jetë e drejtë. "Ne jemi dakord me reformën. Ajo që ne duam është që kjo reformë të jetë e drejtë. Nuk mund të hiqet nga puna një punonjës me përvojë 20 apo 30-vjeçare të kësaj ndërmarrjeje",- thanë punëtorët e pushuar. Ata i kanë bërë thirrje qeverisë, prokurorisë dhe organeve kompetente, që të mbikëqyrin procesin e zhvillimit të kësaj reforme dhe që gjithçka të kryhet në bazë të ligjit. "Nëse nuk merren masa, do të bllokojmë rrugën për në ndërmarrje e nuk do të lejojnë më të hyjë askush në ndërmarrjen e naftës së Gorishtit",-kanë kërcënuar ata, duke pohuar prerë se do të bllokojnë procesin e punës së ndërmarrjes.

Pretendimet

Por shkarkimet e punonjësve nga puna, shumë prej të cilëve nga fshati Mërtiraj, ku ndodhen dhe puset e naftës, ka nxjerrë tashmë edhe problemin e tokave. Duke pretenduar pronësinë e tyre, punëtorë të shkarkuar nga puna thanë se nuk do të lejojnë të luhet më në kurrizin e pronave të tyre. Sipas tyre, sipërfaqja prej 430 hektarësh, mbi të cilën janë ndërtuar puset është pjesë e pronësisë së tyre. "Ne kemi hequr dorë nga prona jonë kundrejt premtimit që na u bë për t'u punësuar këtu",- thonë ata. Por, në këto kushte, punëtorët nga fshati Mërtiraj pohuan se nëse nuk ripunësohen, ata do të bllokojnë puset, ndërsa do të ketë edhe forma të tjera të grevës. Gjithsej janë mbi 650 punëtorë të punësuar në qendrën e prodhimit të naftës në Gorisht. Reforma deri tani ka prekur 85 prej tyre, ndërsa pritet që ajo të jetë më e thellë. Pushimet që po kryhen në këtë sektor u denoncuan dy ditë më parë nga selia rozë e Vlorës, ndërkohë që dje vetë punëtorët pohojnë se po penalizohen vetëm se janë të majtë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›