Ndalimi i veprimit të Ligjit 7501, 10 mijë ha në bregdet për ish-pronaret
Berisha është shprehur se, kush nuk e punon tokën, ta lëshojë me qira
TIRANË- Deputetët e Partisë Demokratike kane qenë të paqartë dje rreth draftit për verifikimin e titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore që është raportuar nga Ministri i Bujqësisë, Jemin Gjana. Ky i fundit ka raportuar dje mbi draftin më të fundit për pronat, që paralelisht po diskutohet edhe nëpër komisionet parlamentare. Përpos deklarimeve të Gjanës, deputetët e PD-së kanë kërkuar më shumë sqarime, duke i kërkuar Ministrit që të raportojë sërish në mbledhjen tjetër. Sipas deputetëve të PD-së, ministri Gjana mësohet të jetë shprehur se gjatë vitit 2007-të, një grup pune i Ministrisë së Bujqësisë dhe pastaj një grup ndërministror i kryesuar nga zv-Kryeministri, ishte angazhuar dhe kishte përfunduar një paketë të plotë aktesh ligjore për titujt e pronësisë. Përpos shpjegimit të kompetencave që ai ka dhënë për komisionin qeveritar të tokës, komisionet e tokës që janë në qarqe, Gjana është shprehur se me hyrjen në fuqi të ligjit për titujt e pronësisë, Ligji 7501 konsiderohet i përfunduar së vepruari. Pas ndalimit të veprimit të këtij ligji, sipas Gjanës, do të përfitohen rreth 10 mijë ha tokë në bregdet, e cila është lënë në përdorim, por nuk ka kaluar në pronësi të askujt. Referuar deputetëve, kjo sipërfaqe mësohet se do t'i kalojë për kompensim fizik ish-pronarëve. Përpos shifrave të dhëna nga Gjana, deputetët e PD-së kanë kërkuar që të marrin një material më të detajuar rreth çështjes në fjalë, në mbledhjen tjetër të grupit parlamentar. Ndërkohë, kryeministri Sali Berisha i sapokthyer nga një tur dyditor në zonat jugore të vendit, (ku ka parë edhe mjaft ha tokë bujqësore të punuara) është shprehur edhe njëherë se, ai që nuk e punon tokën, duhet ta lëshojë me qira. Megjithatë, kjo ka qenë vetëm një fjali, si shumë të tjera në fakt që thuhen shkarazi, pa u bazuar në një material konkret ligjor.