E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hiret e dashurisë



Poezia e qëndrueshme ka treguar se sa më abstraksioniste të jetë, aq më tepër arti mbart mbi shpinë peshat e botës e të njeriut, pra, aq më tepër poezia bëhet poezi. Vetëm një poet i fuqishëm bën të mundur që dhe kur shkruan për vete ai “e humbet vetveten” si qytetar, duke u shtyrë tutje në passkenë si regjisor i padukshëm. Sepse qytetari është institucion i dyshimtë, i pasigurt e i paqëndrueshëm, sepse gjithmonë është i veshur me një tis mjegullor, ku fsheh virtyte e vese dhe më tej, sepse qytetari në të gjitha kuptimet është njeriu i moralshëm ose jo, patriot ose jo, i mirë apo i keq etj., elemente këto që përbëjnë letërsinë e angazhuar sipas kërkesave politiko- shoqërore. Ky është një nga vështrimet eseistike që sjell studiuesi Pirro Loli për librin me poezi, “Njeriu në sferë”, të Myftar Gjanës.

Në poezitë e Myftar Gjanës “Njeriu në sferë” dalloj dy lajtmotive të rëndësishme. E para “oksimoron”, është vizioni i tij për poezinë, e dyta “njeriu në sferë”, është pozicioni i tij si qytetar. Natyrisht, poeti nuk ndahet nga qytetari e deri diku poezia e tij është dhe jeta e tij, siç është dhe jeta e tij, krijimtaria artistike. Dua ta trajtoj veç e veç qytetarin nga poeti, sepse shmang një traditë të keqe soc-realiste, që fetishizonte anët moralo-qytetare e politike të autorit. Madje, e para jo rrallë bëhej dhe pengesë derisa mund t’i hante dhe kokën poetit..., por edhe sepse, edhe në rastet më ekstreme të largimit nga përvojat personale, poeti i ruan farat e realitetit jetësor të vetvetes, gjithashtu edhe sepse, sa më larg përvojave që të ngatërrohen nëpër këmbë, aq më lart të ngrihet figura artistike. Poezia e qëndrueshme ka treguar se sa më abstraksioniste të jetë, aq më tepër arti mbart mbi shpinë peshat e botës e të njeriut, pra, aq më tepër poezia bëhet poezi. Vetëm një poet i fuqishëm bën të mundur që dhe kur shkruan për vete ai “e humbet vetveten” si qytetar, duke u shtyrë tutje në passkenë si regjisor i padukshëm. Sepse qytetari është institucion i dyshimtë, i pasigurt e i paqëndrueshëm, sepse gjithmonë është i veshur me një tis mjegullor, ku fsheh virtyte e vese dhe më tej, sepse qytetari në të gjitha kuptimet është njeriu i moralshëm ose jo, patriot ose jo, i mirë apo i keq etj., elemente këto që përbëjnë letërsinë e angazhuar sipas kërkesave politiko-shoqërore. Poeti, në radhë të parë, vlerësohet nga poezia e tij si çdo artist nga arti i tij. Kësisoj, artisti vjen e largohet nga qenia ontologjike dhe, në fund të fundit, mbetet vetëm ai, artisti. Keqkuptimet midis artistit dhe veprës janë produkte të bashkëkohësisë, e cila është vazhdimisht e prirë për ta parë artistin në rrethin e vet, lehtësisht të kompromentueshëm e tabelë qitjeje me kërkesa moralo-shoqërore.

Poeti Gjana është njohës symprehtë i jetës. Ai i shkaplon përvojat, i merr sendet nëpër duar, i pagëzon, i tjetërson e, pothuajse të gjitha poezitë e këtij vëllimi, janë ngjizur në tjetër vend e tjetër lartësi, në ëndrra. Poezia moderne është poezi vegimesh e sidomos imazhesh. Tipologjia e imazhit poetik nuk të kërkon të jetë doemos origjinale, sepse procesi krijues nuk i përjashton ngjashmëritë, por dallimi i Gjanës në këtë rast, është cilësia e misterit vetjak që ngrihet mbi përvojat dhe ndjeshmëritë personale jetësore, pra, kemi të bëjmë me një sy që e shikon botën me orbitën e syve të tij. Për Gjanën, poezia është si dashuria, puthje pa buzë, përqafim pa krahë, erë që vizaton portrete zogjsh, kujtim i orëve të manushaqta… Ja një aguliçe e bardhë në herbar… Në këto lloj poezish, sendet kapen me gishtat e përfytyrimit, hollohen e enden me frymë. Jemi në parametrat e lartë të krijimit, mjafton dhe si pretendim. Edhe Jezusi u ngjiz me frymë. Në këto poezi surprizat, të papriturat, të parrokshmet, absurdet, ndeshen shpesh. Dhe, pse të mos themi se këto janë tipare të poezisë moderne, nëpërmjet të cilave kanë kaluar dhe mjeshtrit e mëdhenj? Lexuesi ndesh borën e nxehtë dhe lëngun e ngurtë të trëndafilit, klithmën e ujëvarave dhe hirin e dashurisë; femrën në të gjitha rolet e saj, madje dhe objekt ndëshkimi, si Eva, por dhe Sarë a Beatriçe deri lart te Shën Maria. Në poezi nuk ka tokë të vdekur. Kudo lindin zambakë (Elioti). Ashtu si në poezinë e vërtetë, poeti i djeg duart në flakën e dashurisë, por dhe hesht i zhgënjyer në hirin e saj.

Poezia, sipas poetit, është dhe sfinks, sfinks me të gjitha kuptimet e këtij simboli, pra, dhe me kushtin e asgjësimit, lidhur me gjetjen e enigmës…, se gjithmonë do të gjendet një Edip për ta zbërthyer të pamundurën, paçka se në rropullitë e dramës së tij.

* * *

Do t’i rikthehemi poezisë, por le të mos ta shpërfillim dhe lajtmotivin e dytë, “njeriu në sferë”. Autori ka gjetur një pozicion si qytetar pasiv dhe si donkishot: është ngujuar në një sferë, saktësisht në qendër, ku takohen të gjitha rrezet (natyrisht, pozicioni është poetik, figurativ). Nga jashtë, e gjithë bota e godet me vare… Ky pozicion, gjeometrikisht i saktë, nuk e bën të lumtur. Është një pozicion njëherë e mirë i përcaktuar, i ngurtë, me veshë të mbyllur për çka ndodh jashtë sferës, të huaj ndaj jehonave dhe përvojave të të tjerëve. Pozicion kryeneç, natyrisht. Dhe nuk është fjala për ngujim “në kullën e fildishtë”. Poeti është ai që do të jetë. Plotësisht i ndërgjegjshëm me këto raporte të ngrira, ai pret dhe kthimin e tij në asteroid prej valëve goditëse të zërave të jashtëm. Një poet që është kështu e vetëm këtu, është i rrezikuar, dhe nuk është i justifikuar “si shpërthyes ndaj uniformitetit”. Njeriu i sferës që i ka dhënë dhe titullin vëllimit, mua, thjesht si lexues, më ngacmon e më provokon të shoh një pozicion të gabuar. Dhe pyes: Pse nuk del nga qendra e sferës? Jashtë saj kontakti me botën është i shumëfishuar. Dhe më tej: sfera, racionaliteti matematikor ndërmjet rrezesh e diagonalesh nuk është pozicion i poetit që më të shtrenjtën gjë ka lirinë. Për mendimin tim, vetëm në kontakt me botën poeti e gjen “Aleph-in” e vet, d.m.th. përsosjen e poemës së vet (ide e Borgesit). Nëse dikush kërkonte a kërkon që Saharasë nuk ia përmend lulëzimin, je i falur poet. Kij besim te armët e poetit! Armët shpirtërore janë më efikase se armët e materies ose të zjarrit. I dehur nga mungesa e ndeshjeve në arenë, shpesh demit i thyen brirët. Rruga që bën poeti në jetë, vendosjet dhe zhvendosjet e tij, krejt inventari i jetës, nuk është gjë tjetër veçse vizatimi i portretit të tij, inventari i betejave të ndërmarra nga autori, ku në çdo fitore e humbje e shoqëron hija e tij. Është e pamundur që poeti të mos plagoset nga bashkëkohësia. Poeti është njeri dhe njeriu kurrë nuk mund të jetë i përsosur e purist dhe maskat shpesh janë të nevojshme dhe shenjë solidariteti me të tanishmen. Nëse është fjala kundër uniformitetit, mund të biem dakord vetëm si ide, por në kontekstin e dhënë poetik mbetet i pajustifikuar me pozicionin në qendrën e mbyllur të sferës. Mund të shtoj dhe se një fantazi e tillë, me një pozicion të tillë absurd, është provë e të pakënaqurve (poetëve), por dhe fantazi e mungesave, e atyre që kërkojnë heroin, urtësinë e veçantë apo arrogancën, me të cilat nuk ndërtohet as e tashmja as e ardhmja, veçse ndrydhen përvojat. E tora pak fillin gjatë, duke marrë shkas nga poezitë e Gjanës, se pozicioni i poetit shpesh ngatërrohet me atë të njeriut a qytetarit e përzihen vlera që në të shumtën e herës nuk qëndrojnë bashkë.

Dhe që të mos gaboj më gjatë, shtoj se poeti është ai që dëshiron të jetë. Poeti aq më pak kërkon rolin e një tjetri si gjykatës. Dhe mbyllja në sferë, a në rrotë, a nëpër ingranazhet shoqërore, janë zgjidhje vetjake, në përputhje me lirinë e tij, ndaj me ngut po kthehem te poezia.

* * *

Zgjodha për t’i parë më nga afër poezitë e këtij autori kushtuar dashurisë dhe them pa drojë se këto poezi përbëjnë pasuri vlerash në letërsinë tonë. Në poezitë e Gjanës janë dy aktorët e vjetër sa bota që dashurohen, por, pothuajse në të gjitha mungon ajo, mungon dialogu, pamja e përciptë e të dashuruarve. E seç ka një dramë të brendshme ky poet, që mirëfilli e jeton dhe e kapërcen me të dashurën imagjinare ose me atë që sheh në ëndrra. Kudo ai i drejtohet me “ti” e, paçka se ajo mungon fizikisht, është e pranishme shpirtërisht, ashtu pranë e pranë, si dy pëllumba të dashuruar që kanë ngecur në sqepin e njëri-tjetrit. Gjithçka e parë në ëndërr dhe e hedhur në letrën e bardhë në mëngjes si me ngut, sikur diçka i mungon, sikur diçka do të ndodhë, e ankthshme dhe e papritur, siç ia ka dhënë ëndrra, lirshëm e shpesh dalë dhe jashtë kontrollit të vetëdijes autoriale.

Me Gjanën dhe me një dorë poetësh të tjerë, pas viteve ‘90, mendoj se poezia shqipe pasurohet me një gjymtyrë të munguar, poezinë e dashurisë që nëpër vargje çelet më e thellë, më meditative, më e menduar, më realiste, më enigmatike, duke e kuptuar dhe humbjen e saj si një hapësirë me ndjeshmëri të lartë. Mes analizave psiko-analitike erosi poetik i Gjanës shpall lirshëm ndjenjat më të holla të njeriut të dashuruar, ëndërrimtar e njëkohësisht i besueshëm e realist ky njeri që bën dashuri në ëndërr, në qiell e në tokë, në hijen e pemës e në krevat - ashtu siç është vërtet dashuria tokësore dhe mistike, lartësi dhe rënie. Në këtë grup poezish unë gjej me kënaqësi diçka të re që dua ta evidentoj - njeriun me Zot, njeriun e dashuruar me Zotin pranë, njeriun e zbukuruar me frymë shenjtorësh e profetësh. E prandaj ajo “ti-ja” e vetës së dytë shpesh bëhet pavetore, por dhe Eva si te Kopshti i Edenit, Sara, ose Shën Maria e Biblës, madje, dhe kur ka emra të tjerë si Xhokonda apo Beatriçja, gjithsesi nuk u mungon fryma prej së sipërmi. E theksoj këtë dukuri se përgjithësisht, të gjithë poetët tanë janë ateistë, materialistë e racionalë. Dhe në talente të spikatura, për mendimin tim, kur mungon fryma e Zotit, mungon shpirti, e një poezi pa shpirt, nuk mund të ketë ndjeshmërinë e njeriut të vërtetë, por të një manekini. Dhe më tej: Reduktimi i shpirtit në materie - spekulimin me të qenit tokësor - në ndërgjegje apo në nënndërgjegje, nuk mund të fitojë energjinë reale që përfton shpirti i lirë se poezia që e ka forcën te shpirti, përfton përjetësi nga që në esencë, ka tharmin e të panatyrshmes, të të parrokshmes ose të Homerit a të Orfeut (në kuptimin e origjinës). Dhe tha E. Dickinson: “ Djalosh, ji besnik i vetes dhe i misteriozes, ç’mbetet është mashtrim…”

* * *

…Mbi kurrizin e dorës së saj ra një pikë e madhe vese…, nuk e di se nga. E kjo pikëpyetje mbetet pa përgjigje deri në fund të poezisë “Një pikë vese”. Nuk ishte pikë loti këputur nga sytë e saj të mëdhenj, nuk ishte pikë shiu shkundur nga ndonjë gjethe në dritare. Dhe lexuesi, bashkë me poetin pyesin se nga ra kjo pikë vese…, ndërsa ata qenë në një dhomë hoteli dhe lexonin “Psalmet e Davidit”, pikërisht “Këngën e këngëve”. Ndoshta ajo pikë vese ra andej si shenjë dashurie nga lart, ose…, ndoshta ka ardhur nga Drini i Bardhë, që zhaurinte nën dëborë. Gjithsesi, shenjë ogurmirë.

Nga poezitë e bukura për dashurinë veçoj poezinë “Kënga e sinagogës”. Nuk zbërthehet kjo e bukur, por ndihet, andaj dhe lexuesi duhet ta përjetojë në formën e një ëndërrimi. Dy të dashuruarit “takohen” në një vend disi (nuk duhet të kërkojmë adresë se ëndrra të çon kudo dhe askund)… Hyn vasha në sinagogën e vjetër, hyn pa trokitur dhe të gjitha virgjëreshat e vejushat largohen të trembura nga buzëqeshja e saj me kordele të zezë. Brenda qenka dhe ai. Poshtë nesh u hap një humnerë”. Për të mos ndier rënien, përplasjen në hon, “Kokën në sup ma vure”... Dhe ata bien të dy, bien ngadalë sikur ngjiten… Gjej rastin këtu për të dalluar një veçori tjetër të poezive erotike të Gjanës: dashuria për të nuk është vetëm lartësi. Ai dhe ajo, të gjithë të dashuruarit, në vizionet poetike të Myftarit, krahas majës njohin dhe humnerën; është fytyra dhe shpina, zjarri dhe akulli, lulet dhe gjembat… se dashuria është dhe “ik, mjalti im i hidhur”… Duke rënë të dy, një zog sqepverdhë i pagëzoi. Nuk u vuri emrin, nuk i lau me ujë të bekuar, por u tha: “Mirëserdhët në Elizeun e vetmisë”. Harroni jehonat, vejushat gjizbuluara, hamshorët kokulur. Është befasia e rënies në vetmi, shelbimi i parathënë nga një zog. Besa dhe betimi, përulja dhe pendimi. Me bukë dhe verë të kuqe. Si në gostinë e Krishtit.

Spiritualizmi në poezinë e Gjanës të imponohet shesh me erudicionin e tij. Ai është poet syçelur, kërkues e hulumtues. Ai i drejtohet Biblës, këtij kryelibri, i drejtohet mitit dhe përrallës e një fjalë a një term prej tyre, vendosur në vendin e duhur, njëlloj si në një mur që i mungon një tullë e kur kjo nuk bëhet qëllim në vetvete, zë vendin e një gurqosheje - atëherë poezia bëhet poezi e nëpër të takojmë dhe Shën Marinë, që na qaset si mëmë e dhembshur blu, me jakëzën e lulëzuar karafilash të bardhë aq tokësore e aq qiellore e ajo “ti-ja” e vetës së dytë bëhet pavetore e poezia merr vlera gjithënjerëzore.

Në poemën “Paliptik për ty” përsëri na del përpara njeriu me Zot, ai dhe ajo që afrojnë yje, ëndrra, ringjallje dhe mister. Poema shtrihet në hapësirat midis “atë e dua” dhe “atë e desha”; lojë e gjetur kjo për të medituar midis kohësh, ku e shkuara dhe e ardhmja bëhen të tashme si te koha shpirtërore e Prustit. Shohim si e kaluara i thyen varret, si largohen e heshtin leopardët e zemërimit, si afrohen e largohen dhimbjet e së kaluarës që, megjithëse të varrosura, ngrihen befas të heshtura e të dremitura, por të patretura në qefinë. Kështu e shkuara “atë e desha” bëhet e tashme e fuqishme që dhe vdekjes i thotë “ik tutje”. Në poemë ajo lëviz si shpirt dhe ai si pritje. Të dy, të gatshëm për të kaluar vrikthi mes dy jargavanëve. Ai e do, e pret tani dhe këtu, jo si jehonë kujtimesh. Dhe poeti i drejtohet Ave Marias, i kërkon forcë durimi për ta pritur… në shtëpizën prej klorofili, mbuluar me yje…; ajo çaplehta veshur me një zambak të porsaçelur… pritja është motër e vëlla me poetin e shqetësuar, por hapat e saj kumbojnë në kishën e ankthit. Dhe ajo vjen. Vjen jo nga porta a dritarja, por direkt nga Kopshti i Edenit; vjen me një mollë të kafshuar përgjysmë… Dhe bëhet emër i përgjithshëm ose Evë; vjen si brinja ime, e trembëdhjeta brinjë, ndoshta ishte e trembëdhjeta ditë dëshpërimi… Ajo erdhi. Poeti i heq këpucët prej ëndrre: “Më lër të të ndihmoj paksa/për ta zgjidhur kordelen e bardhë/nga harbimi i krelave të zez, meshollë prej alabastre, fluide si dehje prilli…” “Erdhi si fllad në gufën e gjoksit tim, ku këndojnë mijëra fyejsh..” ; është tempull i pabanuar, mos kij frikë! Gjithçka romantike dhe me sy hapur dhe ajo Eva, kur bëhet Evë, për poetin është prej fryme “me atë nishanin e rubintë mbi hënën e gjysmëgjoksit”. E kështu ajo të kujton Beatriçen misterioze që ndryshoi rendin e Parajsës dhe tërboi Dante Aligerin.

Kur vegimi vishet me fjalën e duhur, ai bën të zbresë te lexuesi dhe poeti nuk është i vetëm në atë “ti-në” e përveçme.

“Vegimi” shpallet si në film. Poeti zhytet i pafrymë thellësive të detit, ndërsa ajo tërhiqet thellë e më thellë drejt koraleve. Ja “valsi i peshqve dhe tingujt blu pranë algave”. Zëri i saj e zbut detin dhe lehtëson ankthet e zhytësit që e kërkon, që noton drejt saj si një barkë që noton drejt një bregu tjetër pa direk.

E thashë dhe më lart, poezitë e Gjanës ngjizen në ëndërr. Atje hyn e del ajo, princesha, që zotëron krejt ëndrrën si shtëpine e vet. Në këtë shtëpi ëndrre skicohen dhe dëshirat dhe kryesisht ato që na mungojnë e atje realizohen të tëra. Ja një shtëpizë në fshat me gurë e drurë, me dyer të padukshme dhe me dritare të fshehura nën gjethe; si në përrallë kjo shtëpi, si kishëza e paqes apo si kolibja e Hirushes. Dhe miqtë janë të veçantë, miza dheu dhe zogj, karafila dhe manushaqe. Por kjo poezi ka një të veçantë tjetër: Është një ëndërr përmbi një ëndërr tjetër (krijim mbi krijim). Ajo “ti-ja” e përveçme këtu është artiste. Dhe shtëpia e ëndrrës është atelieja e saj. Ja “figurinat prej balte, ja bluja e zogut të fatit, ja e kuqja e zogut të humbur, kripa e detit dhe e blerta e ullirit në gushën e pëllumbit”. Ku jemi? Në ëndërr apo në përrallë? Jemi në të dyja. Sepse ëndrra është shtëpia e përrallës. A nuk qe shtëpiza e botës një ëndërr te Arka e Noes ?

Poezitë erotike e mbartin rrezikun e rënies në gjurmë të njohura dhe në poza romantike të poetëve para nesh. Mua më duket se Gjana e shpëton veten nga ky risk. Poeti depërton në të veçantën e “asaj” dhe në mënyrë origjinale vëzhgon e prek ato pjesët e lakmuara të femrës. Ëndrra e shpëton në të gjitha rastet nga ikonat e njohura. Ai sodit estetikisht në bregun tjetër. Dhe bregu përtej bregut është malli për të. Poeti e sodit atë nga largësia deri te nënlëkura e bardhë, atje ku janë fshehur eshtrat e saj si zambakë të burgosur… “Poshtë kodrinave të bardha si dy vullkanë të fjetur është zemra e saj” ose zemra e tij. Zemrat njësohen një çast e brenda (saj e tij) këndon një piano nën gishtërinj gjaku. Nuk habitemi që me not pash i bie poeti këtij trupdeti gjersa i thyhen krahët në bregun tjetër të mallit. Gjana, veçanërisht në motivet erotike, futet në ata të paktë poetë që vjen me verbin e tij. Ai dhe Shën Valentinin e feston ndryshe, jo me tufa lulesh e përgjërime. Kjo ditë për të është dhe pendim, dhe ndarje, dhe gjyq. Ajo vjen dhe me xhamat e thyer të krenarisë së kujtimeve, prej acidi klorhidrik është dhe trishtimi i saj… Dhe rruga për te njëri-tjetri është plot me shi e me baltë. Po ajo vjen në takim pas gjurmëve të njohura, paçka se brenda kafkës i llapaçiten yje të shqetësuar. Se Shën Valentini është dhe thirrje për t’i mënjanuar fyerjet reciproke, breshëritë e vështrimeve ndaj njëri-tjetrit dhe buzagaz e shtron përsëri qilimin e pendimit, atje ku përzihen gjurmët... Por, kur erosi zbret te trupi, bie retorika “për sy e për vetulla” e në plan të parë del veprimi, figura tjetër ose metafora e seksit. Është kënaqësia trupore që duhet shprehur ose akti hyjnor (seksi) që, sipas disa teologëve, i lidh partnerët në vijë horizontale, për t’i lidhur me Zotin në vijë vertikale (poezia shqipe e ka shpërfillur seksin ose ka mbetur në zbukurime të jashtme të femrës deri te ndonjë pëllumbeshë a turkeshë(Asllani, Agolli). Letërsia soc-realiste, këtë ndjenjë nga më njerëzoret e ka përzënë si keqedukuese e të huaj - se ky populli ynë, nga më pjellorët në Evropë - fëmijët nuk i bënte me dashuri në krevat, por i mbinin në kopsht si domate!).

Gjana te poema “Duke të soditur ty”, me plot finesë realizon një poezi erotike, sensuale, larg banalitetit trupor. Me shenjat e tij poetike ai jep aktin seksual, si psikologji, si kënaqësi trupore e shpirtërore, flakë e prush ndjenjash, vullkan në veprim e shuarje, në fund, mbuluar me hi. Kjo është një poezi imazhesh tej soditjes, që dhe lexuesi e përjeton në ëndërrim. Imazhi poetik, nga më të goditurit në poezinë e Gjanës, përftohet përmes krahasimit dhe sidomos, me dy figurat emblematike të poezisë, metaforës dhe simbolit. Vini re figuracionin: Portat e shqisave hapen për ty/ portat e trupit zgjerojnë sytë si macja/ Ajo mësyn tek ai “si duhmë drite”/ Dënesa e saj gjarpëron në deje… Krejt organet e lakmuara të femrës riemërohen, metafora bëhet sy e veshë e shpirt. Në lëkurën e saj lulëzon bari i zi rrëqethës/ poleni i prillit tërheq luzmën e bletëve për ta kthyer në nektar fërgëllues… Tek ai djeg poshtë vetes pantera e diellit... gjersa kokrrat e rrushit më plasin ndër dhëmbë. Pra, asnjë emërtim konkret, vetëm shenja, vetëm hieroglifë dhe me to, filmi është dhënë me të gjitha elementet, - është “Vezuvi” me flakën, llavën dhe hirin - deri tek ajo lënda magjiko-hyjnore që krijon gjenin jetik. Poshtë tij, sërish Pompei mbulohet nga hiri.

Dhe sfinksi foli. Ai vetë e zgjidhi enigmën. I heshtur Vezuvi do të zbulohet nga arkeologët e ardhshëm. Nga ata që dinë t’i lexojnë hieroglifët e dashurisë.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›