Studimi; Duhani dëmton... paranë
Paraja nuk vlen; me të nuk mund të blihet as dashuri e as shëndet, nëse ju pini duhan. Ky është përfundimi i një studimi që u krye nga një grup mjekësh në Skoci. Sipas studimit, njerëzit me paga të larta, por që pinin duhan, kishin më shumë të ngjarë të vdisnin më herët sesa ata që merrnin paga më të ulëta, por nuk pinin duhan. Femrat që nuk pinin duhan kishin shanse më të mira për të jetuar më gjatë, ndërkohë që meshkujt që pinin duhan kishin gjasa të vdisnin para kohe.
Sipas studimit, njerëzit me paga të larta, por që pinin duhan kishin më shumë të ngjarë të vdisnin më herët sesa ata që merrnin paga më të ulëta, por nuk pinin duhan. Ndërsa femrat që nuk pinin duhan, kishin shanse më të mira për të jetuar më gjatë, ndërkohë që meshkujt që pinin duhan kishin gjasa të vdisnin para kohe.
Pasojat negative të duhanit janë të dokumentuara e të njohura mirë – ata që pinë duhan preken shpesh nga sëmundje të zemrës, shumë lloje kanceresh dhe rrezikohen të vdesin para kohe.
Por pak studime kanë marrë në shqyrtim lidhjen midis gjendjes ekonomike e shtresës shoqërore dhe duhanit. Në përgjithësi, njerëzit e pasur ose në gjendje të mirë financiare gëzojnë shëndet më të mirë, por studimi i fundit tregon se duhani i pakëson të mirat e që ofron paraja.
Mjekët në Skoci vëzhguan për 28 vjet rreth 15 mijë persona të moshës mesatare. Ata zbuluan se njerëzit e shtresave të larta shoqërore ishin më pak të prirë për të pirë duhan, megjithëse 4 në 10 prej tyre pinin duhan rregullisht.
Por pasuria nuk ofronte mbrojtje nga sëmundjet që lidheshin me duhanin. Njerëzit nga të gjitha shtresat shoqërore, gra e burra, që pinin duhan kishin 3 herë më shumë gjasa të vdisnin nga kanceri në mushkëri. Gratë që nuk pinin duhan jetonin më gjatë dhe mbi 50 për qind e tyre vazhdonin të jetonin në përfundim të studimit. Por studimi përmban edhe lajmin optimist se ata që e kishin lënë duhanin, kishin gjasa të mbijetonin, thuajse njësoj si ata që nuk kishin pirë kurrë duhan.
“Zëri i Amerikës”
Mjekësi
Ngarja e makinës dëmton zemrën
Ngarja e makinës mund të jetë e rrezikshme për shëndetin, jo vetëm për shkak të ndonjë aksidenti. Sipas një studimi, trafiku rrugor mund të nxisë goditjet në zemër. Mjekët intervistuan pacientë me goditje në zemër dhe zbuluan se shumë prej tyre kishin gjasa të fillonin të ndienin simptoma të ngacmimeve në zemër më shumë kur i afroheshin një rruge me trafik ose autostrade sesa kur ngisnin makinën në rrugë të qeta ose kur kryenin veprimtari të tjera.
Dihet se amerikanët shpenzojnë një pjesë të mirë të kohës së tyre në trafik të dendur. Më shumë se 120 milionë prej tyre udhëtojnë çdo ditë të paktën 30 minuta për të shkuar në punë. Studimi i kryer në Gjermani tregon se përballja me trafikun rrugor nxit goditjet në zemër tek personat me probleme në këtë organ.
Shkencëtarët pyetën më shumë se 1 mijë e 400 pacientë se çfarë lloj veprimtarie kishin kryer para se t’u shfaqeshin simptomat e goditjeve në zemër. Rezultatet treguan se këta pacientë kishin 3 herë më shumë gjasa që të pësonin goditje në zemër brenda një ore të udhëtimit me makinë, autobus ose motoçikletë në rrugë me trafik, në krahasim me kryerjen e ndonjë aktiviteti tjetër më pak stresues. Sipas studimit, femrat ishin me të ndjeshme – ato ishin 5 herë më shumë në rrezik për të pësuar goditje në zemër kur përballeshin me trafik të dendur rrugor. Autorët e studimit thonë se ende nuk janë të sigurt se në ç’mënyrë trafiku nxit goditjet në zemër, megjithëse ideja e tyre është se një kombinim i stresit me ajrin e ndotur nga tymi i makinave mund të përbëjë një faktor ndikues.