Rikthim në shtëpi
Nebil Çika
Shqipëria po feston një nga arritjet më të mëdha historike, anëtarësimin në organizatën politiko-ushtarake më prestigjioze të botës. Mbështetja mbarëpopullore e bën këtë arritje të një rëndësie të veçantë për të ardhmen, por edhe për historinë e kombit tonë. Të huajt ndoshta nuk kanë mundësinë ta kuptojnë dëshirën plebishitare të shqiptarëve për t’iu bashkëngjitur Aleancës, por ne kemi arsye të fortë ta shënojmë këtë moment me germa të arta në historinë tonë. Ky moment përbën para se gjithash aktin final të rikthimit tonë të gjatë e të mundimshëm në familjen evropiane. Pesë shekuj të orientimit të dhunshëm nga Lindja e bëjnë ditën e sotme preludin e sakrificave të dhjetëra e dhjetëra brezave, ku më fatlumët pa dyshim jemi ne. Shqiptarët e kanë vuajtur më shumë se kushdo ndarjen nga familja evropiane. Nga më të sakrifikuarit në përpjekjet historike për mbrojtjen e vlerave të saj, ne, fatkeqësisht, po i bashkohemi Perëndimit shumë vonë. “Më mirë vonë se kurrë” thotë një proverb, por vonesa jonë ishte një vonesë fatale, dëmet prej së cilës ende nuk janë mbyllur. “Pa eja o dritë që lind andej nga perëndon” - ky varg hyjnor i poetit tonë kombëtar, Naim Frashëri, lajtmotivi i rilindësve dhe gjithë atyre burrave dhe grave që e kanë dashur këtë vend, tashmë është realitet. Nga Skënderbeu e deri tek lëvizja antikomuniste e vitit 1990, ne numërojmë mijëra martirë që sakrifikuan jetën e tyre për të mbrojtur identitetin evropian të kombit e popullit tonë. Për shekuj, pushtues e diktatorë u përpoqën ta na shuanin pikërisht këtë identitet, këtë ndërgjegje që na bën sot kombin më pro NATO-s, më pro amerikan, më evropian se kushdo në botë. Ne jemi rikthyer! Jemi rikthyer për të mirën tonë të tashme, për kujtimin dhe nderimin e të gjithëve atyre që sakrifikuan jetët e tyre për këtë ëndërr e ideal kombëtar, jemi rikthyer për të garantuar të ardhmen tonë dhe të fëmijëve tanë atje ku na takon, ku na ka takuar që në gjenezën tonë kombëtare.
Kjo ditë e magjishme nuk është e tillë vetëm për Shqipërinë. Ky moment është i rëndësishëm edhe për pjesët tona të ngelura jashtë kufijve të shtetit amë. Një Shqipëri pjesëtare e organizmit politik e ushtarak më të fortë të globit është pa dyshim një garanci e fortë për shtetin vëlla të Kosovës, respekt më shumë për shqiptarët në Maqedoni, Mal të Zi, Greqi etj., si dhe më shumë dinjitet për bashkatdhetarët tanë emigrantë kudo që janë. Jemi në NATO! Kush do ta kishte besuar se vetëm për 17 vjet pas një izolimi total e të gjatë, e degdisje nga shkretëtirat arabike në stepat e Rusisë e deri në Murin e Madh Kinez Shqipëria do të arrinte një sukses të tillë?! Ky është pa dyshim një sukses mbarëpopullor e mbarëkombëtar, por natyrisht meritë të veçantë kanë ata që qëndrojnë në panteonin e historisë. Shqipëria në NATO është pa dyshim shpërblimi më i madh për të gjitha ata që aspiruan dhe luftuan për rikthimin tonë në familjen evropiane. I rilindësve, i nacionalistëve i të përndjekurve politikë, studentëve të dhjetorit 1990 etj. Sot ndjejmë keqardhje dhe nderim për të gjithë ata që nuk e arritën dot këtë moment, por besojmë se sakrifica e tyre ia vlejti. Si përfundim, dua të veçoj atë që ka një meritë të veçantë për këtë arritje historike, PD-në dhe qeverinë aktuale, mbartësen dhe realizuesen e ëndrrës sonë shekullore. Ata që sot firmosin në Strasburg anëtarësimin në NATO janë pa dyshim të privilegjuarit e historisë, një privilegj i merituar, pasi janë përzgjedhur dhe kanë mundur të realizojnë ëndrrën tonë historike kombëtare, rikthimin në shtëpi.