Hiri i Fehmiut, dje në Lumbardhë
Valët e lumit e morën me vete, ashtu si kishte dëshiruar. Pesë ditë pas vetëvrasjes së aktorit, Bekim Fehmiu, hiri i tij u shpërnda në lumin Lumbardh, në Prizren. Sipas mediave kosovare hedhja e hirit është bërë mëngjesin e djeshëm, te vendi i quajtur Marash, në praninë e familjes së aktorit të ndjerë. Djegia e trupit dhe shpërndarja e hirit në Lumbardhë, ka qenë amaneti i aktorit të madh shqiptar, Bekim Fehmiu, në letrën, që i kishte lënë familjarëve, para se të bënte vetëvrasje në apartamentin e tij në Beograd. Mësohet se ceremonia e hedhjes së hirit është kryer në një ceremoni tërësisht private dhe në fshehtësi të plotë. Familjarët e tij asnjëherë nuk njoftuan mbi ceremoninë mortore, ndonëse e bënë publike dëshirën e fundit të aktorit, për t’u prehur në Kosovë, nga ishte edhe origjina e tij e ku ai kalonte tre muajt e verës. Aktori 74-vjeçar Bekim Fehmiu, u vetëvra të martën e kaluar, në shtëpinë e tij në Beograd. Ai u gjet i pajetë, nga i biri, Hedoni, i cili ndodhej në një tjetër dhomë, kur dëgjoi krismën e pistoletës, së regjistruar në emrin e aktorit. I vlerësuar si një ndër aktorët më të mëdhenj shqiptar, Fehmiu ka arritur famë ndërkombëtare me disa filma, mes tyre “Odiseja” dhe “Mbledhësit e puplave”, duke u bërë kështu aktori i parë shqiptar, që luante në një film, kandidat për çmimin Oscar. Për një kohë Fehmiu ka qenë aktori më i suksesshëm në ish-Jugosllavi, por u tërhoq nga aktrimi në shenjë proteste për histerinë antishqiptare në vitin 1987.