17 vjedhje banesash gjatë fundjavës
TIRANE - Gjatë dy javëve të fundit Policia e Tiranës është vënë në alarm pas disa denoncimeve për vjedhje banesash, të kryera në mes të ditës, kryesisht gjatë fundjavës. Një grup hajdutësh, që ende nuk janë identifikuar, shfrytëzojnë momentin kur qytetarët largohen drejt bregdetit dhe plaçkisin banesat e tyre. Burime nga policia thanë se gjatë vetëm dy javëve të fundit, ditët e shtuna dhe të diela, në komisariatet e Tiranës, janë bërë 17 kallëzime për vjedhje banesash. Sipas hetimeve të kryera nga policia, rezulton se vjedhjet janë kryer gjatë ditës dhe me të njëjtin mekanizëm. Autorët e këtyre vjedhjeve, kanë arritur të futen në apartamentet e personave të ndryshëm në kryeqytet, duke shkatërruar bravën e derës, edhe në rastet kur dyert janë të blinduara. Fluksi i vjedhjeve të banesave, ka qenë kryesisht në zonën e Alliasit, Babrrusë dhe Paskuqanit dhe dyshohet se të gjitha vjedhjet janë realizuar nga i njëjti grup personash. Siç duket hajdutët shfrytëzojnë momentin kur banorët “braktisin” Tiranën dhe futen në banesat e tyre duke vjedhur sendet me vlerë dhe paratë. Dy ditë më parë, janë regjistruar 7 kallëzime në Komisariatin nr.4, nr.3 dhe nr.2 në Tiranë. Të gjitha vjedhjet janë kryer gjatë ditës dhe me të njëjtin mekanizëm. Paraprakisht policia dyshon se këto ngjarje kryhen nga persona që nuk janë banorë të kryeqytetit, por “zbarkojnë” vetëm në fundjavë në Tiranë, për të kryer vjedhje. Grupi hetimor që po merret me zbulimin e këtyre ngjarjeve, ka fiksuar disa gjurmë të autorëve, në apartamentet që ata kanë kryer vjedhjet, të cilat janë dërguar për ekspertim në laborator. Burimet sqaruan se vjedhja duke shkatërruar bravën e derës, është një mekanizëm që është hasur rrallë në kryeqytet, për më tepër kur dyert janë të blinduara. Por edhe fakti që vjedhjet kryhen gjatë ditës, kanë shtuar dyshimet se hajdutët nuk janë banorë të Tiranës.