Polonia, drejt një raundi të ri presidencialesh
Exit poll-et treguan se Presidenti në detyre dhe njëkohësisht Kryeparlamentari, Bronislav Komorovski është përpara Jaroslav Kaczynskit në zgjedhjet presidenciale polake, por pa fituar 50 për qindëshin e nevojshëm për fitoren. Polakët dolën dje në zgjedhjet e parakohshme presidenciale, dy muaj pasi Presidenti Lech Kaczynski humbi jetën në aksidentin tragjik ajror në Smolenks të Rusisë. Vëllai i tij binjak është kandidatura e partisë së tij për presidencën dhe u përball me një betejë të vështirë zgjedhore me kandidatin e opozitës, Komorovski. Përveç tij dhe Kaczynskit, në garë ishin edhe tetë kandidatë të tjerë. Nëse exit poll-et do të konfirmohen edhe nga rezultatet zyrtare sot, do të ketë një fazë të dytë votimi mes Komorovskit dhe Kaczynskit më 4 korrik. Një exit poll nga Milluard Braun i SMG/KRC tregoi se Komorovski fitoi 45.7 për qind të votave dhe Kaczynski 33.2 për qind. Një sondazh i dytë, nga OBOP, tregoi se 40.7 për qind të votave ishin pro Komorovskit dhe 35.8 për qind për Kaczynskin. Më shumë se 30 milionë qytetarë polakë kishin të drejtë për të votuar në 26,000 qendrat e votimit në të gjithë vendin e Europës Lindore. Sipas ligjeve polake, nëse asnjë kandidat nuk arrin 50 për qind të votave, atëherë dy kandidatët që kanë arritur të marrin numrin më të lartë të votave do të konkurrojnë në një raund të ri zgjedhjesh. Presidenti ka një mandat pesë vjeçar në Poloni. Edhe pse shumë detyra të tij janë simbolike presidenti mund të vërë veto në disa ligje. Kandidati që konsiderohet më i fortë, Komorovski, është pro BE, anëtar i moderuar i Partisë në pushtet, “Plaftforma Civile”. Ai është zotuar të bashkëpunojë ngushtë me Qeverinë e Kryeministrit Donald Tusk për të miratuar euron brenda pesë viteve, t’i japë fund misioneve në Afganistan dhe të promovojë reformat pro tregjeve. Kaczynski, është konservator social qëllimet kryesore të të cilit janë lufta ndaj krimit dhe korrupsionit, kthimi i reformave të tregut me qëllim që të ruaje një shtet me mirëqenie të fortë sociale dhe promovimi i vlerave katolike Romane. Ai është më skeptik për hyrjen në BE dhe miratimin e euros, duke u shprehur se është shumë herët për të hequr dore nga monedha polake, zloti.