Hiroshima, mon amour
Takimet me kinemanë janë gjithë ditës sot në Akademinë e Filmit Marubi. Letërsia në rrugëtim përgjatë detit, turi i shkrimtarëve nga Ballkani që po kalon në Shqipëri për disa lexime publike, ndalet sot paradite, ora 11:00, në kinemanë e Marubit. Projeksioni i filmit artistik Syri magjik i fut shkrimtarët e huaj në një diskutim mbi fenomenet që evidenton kjo vepër e vitit 2005 e regjisorit Kujtim Çashku.
Në mbrëmje, ora 19:00, shfaqet në serinë e filmave nga historia franceze e kinemasë, një vepër që vërtet ka merituar një vend nderi, Hiroshima, mon amour i një përfaqësuesi të nouvelle vague-ës, Alain Resnais, viti 1959, 91 min.
Hiroshima, dashuria ime, është një sfidë për metodën e rrëfimin kinematografik. Një grua (Emmanuelle Riva) dhe një burë (Eiji Okada) përjetojnë një marrëdhënie të trishtë dashurie në Hiroshimën e pas-luftës ku nuk ekziston as koncepti i kohës, as dhe i kujtesës. Teksti ka poezinë sa të drejtpërdrejtë e analitike aq dhe fluide e hipnotike të gjuhës së Marguerite Duras-it, autore e skenarit. Sidomos për këtë gjuhë, pa të cilën nuk do të bënte dot imazhi bardhezi i trupave të dashuruar dhe i tokës në katastrofë, duhet parë Hiroshima….
Të enjten, Marubi shfaq Liza nuk jeton më këtu nga Martin Scorsese, 1974, 112 min. Dhe të premten, Me shkretëtirën brenda nga Rodrigo Pla, prodhim meksikan, 2008, 110 min. / E.Demo