E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mësonjëtorja në 120 foto

Albumi Mësonjëtorja e parë shqipe 1887-2012 me autor studiuesin dhe koleksionistin Niko Kotherja dokumenton gjerësisht në 120 foto institucionin e rëndësishëm arsimor. E në kuadër të 125 vjetorit të saj botohet i pari album fotografik që prezantohet sot në Korçë. Duke ndjerë mungesën e një vëllimi ku të përfshihej me dokumente pamore gjithë historia e Mësonjëtores së Parë Shqipe, u pa i nevojshëm realizimi i këtij albumi. Aty paraqiten pothuaj të gjithë personazhet që kontribuan për çeljen e kësaj foleje kombëtare, thotë autori. Drejtuesit dhe mësuesit patriotë, nxënësit e shkollës së parë të cilët u bënë veprimtarë të lëvizjes për çlirim kombëtar, ata që ndihmuan me mjete ekonomike për hapjen e shkollës, jepen me foto, me shënime biografike dhe dokumente arkivore plotësuese, një pjesë e mirë e të cilave publikohen për herë të parë. Shumë foto janë nxjerrë nga origjinalet e tyre ose nga procesi i zhvillimit të negativëve qindvjeçarë në metal, xham e pelikulë.

Ky album që nuk është thjesht i tillë, thënë me fjalët e autorit, trajton një nga ngjarjet më kryesore të luftës për pavarësi, kulturë e dije në vitet e Rilindjes Kombëtare, promotori i së cilës ishte Naum Veqilharxhi. Çelja e Mësonjëtores së Parë Shqipe ishte një nga arritjet e mëdha të rilindësve e patriotëve tanë brenda e jashtë atdheut, rezultat i përpjekjeve dhe luftës së kolonive patriotike në Rumani, Egjipt, Bullgari, Turqi. Mësonjëtorja ishte e para shkollë shqipe laike dhe demokratike, ku të gjitha mësimet jepeshin në gjuhën shqipe. Ajo funksionoi mbi bazën e një programi me karakter të theksuar kombëtar, ku u mëkua dashuria për vendin, zakonet e gjuhën. Personeli arsimor i shkollës së Korçës hodhi bazat e një shoqërie moderne perëndimore, pasi mësuesit që dhanë mësim aty përfunduan studimet dhe u diplomuan në universitete të rëndësishëm të Evropës.

Mësonjëtorja e parë shqipe 1887-2012 është mbështetur nga Bashkia e Korçës.

Promovimi bëhet në ambientet e kinema Millenium-Majestik, sot ora 17:00. Paradite, në ambientet e Muzeut Kombëtar të Arsimit, hapet ekspozita me të njëjtin titull, me eksponate dhe relike origjinale nga shkolla e parë shqipe e vitit 1887, edhe kjo e organizuar nga Niko Kotherja. / E.Demo

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›