Histori me Skllevër dhe Endacakë
Jemi dashuruar verbërisht me "Europën", ashtu si dikur me Italinë fashiste, Jugosllavinë, Rusinë, dhe Kinën komuniste. Jemi sjellë ngaherë si servil dhe skllevër të të tjerëve, dhe vazhdojmë të sillemi si të tillë, dhe kjo për fajin tonë dhe jo për faj të të tjerëve. Sot, çdo gjë e lidhim me "Europën".
Në emër dhe për hir të "Europës" jemi të gatshëm të bëjmë çdo gjë. Në emër dhe për hir të "Europës" ne vrasim dhe çnderojmë edhe njëri-tjetrin, ashtu siç bënim edhe dje në kohën e Jugosllavit, Rusisë, dhe Kinës. Në emër dhe për hir të "Europës" ne lejojmë dhe nuk ndëshkojmë padrejtësitë, hajdutëritë, dhe perversitetet që ndodhin dhe në demokracinë tonë.
Në emër dhe për hir të "Europës" ne jemi gati ta zhveshim njëri-tjetrin nga çdo e drejtë kushtetuese dhe humane. Dhe në emër dhe për hir të "Europës" ne shndërrohemi në qenie fatkeqe të izoluara në primitivizmin dhe skllavërinë tonë të tejskajshme.
Dhe këto mendime më erdhën kur dëgjova ish-kryetarin e Partisë Demokratike, Eduard Selamin, në një intervistë për "Zërin e Amerikës" dhe si i ftuar në "Top Story". Për Selamin edhe pse opozita dhe miliona njerëz kërkojnë një të drejtë kushtetuese, për hir të "Europës", ne nuk duhet t'ua japim këtë të drejtë.
Për Selamin, populli dhe opozita nuk duhet të kërkojë transparencë sepse kështu e dikton raporti i OSBE/ODHIR-it dhe rruga jonë për në Europë.
Por le t'i kujtoj z. Selami një thënie të Thomas Jeffersonit, shkruesit të deklaratës së pavarësisë Amerikane: "Një shoqëri që shkëmben pak demokraci për pak rregull do t'i humbasë që të dyja dhe nuk meriton asnjë nga të dyja."
Në rastin tonë, e përkthyer ndryshe, mund të thuhet: Kjo Shqipëri që kërkon të shkëmbejë pak demokraci/drejtësi për pak "Europë" do t'i humbasë të dyja dhe nuk meriton ASNJË! E kam dëshiruar me zëmër kthimin e Selamit në politikë, por tani e kuptojë se politika jonë nuk ka nevojë për një skllav dhe servil më shumë.
Ajo që na intereson më shumë është të hulumtojmë sa të mundemi në dashurinë tonë "Europiane" dhe në disa çështje të lidhura me të. Pyetja e parë që na vjen ndërmend është: Kush është Europa? Flasim për Europën dhe nuk e dimë se me kë kemi të bëjmë. Për të evituar debatet, ky shkrim do konsiderojë "Europë" unionin e krijuar me iniciativën e Francës dhe Gjermanisë.
Ky union u krijua dhe operon për të promovuar dhe mbrojtur interesat politike dhe ekonomike të Francës dhe Gjermanisë. Këtij unioni iu bashkuan disa shtete të tjera të cilat ose shikonin tek unioni i ri promovimin dhe mbrojtjen e interesave të tyre kombëtare, ose nuk kishin rrugëzgjidhje tjetër më të mirë në ambientin politik të sapokrijuar.
Disa nga këto shtete u mjaftuan me përfitimet e tyre absolute afatshkurtra pa marrë në konsideratë përfitimet relative afatgjata, ashtu siç edhe koha po tregon dhe do të tregojë në vazhdim.
Sa për kujtesë, dashuria jonë e radhës, Europa, vetëm disa dekada më parë, na shpartallonte si komb duke na bërë peshqesh për të kënaqur epshet e fqinjëve tanë. Gjithashtu, disa dekada më parë, Gjermania ishte në luftë me Francën dhe gjithë Europën.
Kjo nuk mund të mohohet ashtu siç nuk mund të mohohet as fakti që nuk ka aleanca të përjetshme. Fakti që na shkatërroi dje, nuk do të thotë që do të na shkatërrojë edhe sot. Por fakti që nuk na shkatërron sot, nuk do të thotë që nuk do të na shkatërrojë as nesër.
Politika nuk bëhet me sofizma dhe sentimentalizma, por me një arsyetim të pastër racional të bazuar në interesat politike dhe ekonomike të shteteve. Fenomeni "Wikileaks" tregon më së miri natyrën reale të politik-bërjes në arenën ndërkombëtare në ditët e sotme. Politika reale e një shteti është ajo politikë që nuk bëhet publike. Kjo politikë është shumë larg politikës së buzëqeshjeve, sentimentalizmave, dhe deklaratave zyrtare.
Gjithashtu, lufta midis agjencive të spiunazhit, e cila vazhdon të jetë po aq intensive sa ajo ishte edhe gjatë Luftës së Ftohtë, është një tjetër tregues i natyrës së vërtetë të marrëdhënieve ndërkombëtare sot. Shtetet janë racionale në politik-bërje dhe synojnë të maksimizojnë potencialin e tyre politik dhe ekonomik në këtë arenë kaotike të politikës globale.
Për të kuptuar natyrën dhe funksionimin e "Europës" ne duhet të kuptojmë arsyet që çuan në krijimin e saj. Arsyeja primare që çoi në krijimin e "Europës" ishte gjendja në të cilën po kalonte politika globale dhe ekonomia Franceze dhe ajo Gjermane.
Franca dhe Gjermania nuk e krijuan "Europën e Bashkuar" sepse ishin të mrekulluar nga misioni bamirës i Nënë Terezës për të ndihmuar shtetet dhe popujt e varfër. Siç e theksova pak më lartë, ato e ndërtuan këtë krijesë për t'i shërbyer interesave të tyre.
Në momentin më të parë që kjo krijesë nuk do i shërbejë më interesave të tyre, ata do ta shkatërrojnë atë. Kjo lëvizje e Francës dhe Gjermanisë synonte gjithashtu të balanconte sadopak rolin primar që kishin marrë Shtetet e Bashkuara në arenën ndërkombëtare, sidomos në zonën Europiane dhe ato përreth saj.
Duke u nisur nga këndvështrimi global, mund të themi se bota është e ndarë në metropole dhe satelitë.
Metropolet janë shtetet e fuqishme ekonomikisht kurse satelitë konsiderohen ato shtete të dobëta ekonomikisht që kontribuojnë në mënyrë direkte ose indirekte (përmes investimeve të huaja direkte dhe import/eksportit) në mirëqenien e metropoleve.
Kjo marrëdhënie nuk do të thotë që disa shtete satelitë nuk zhvillohen ekonomikisht, përkundrazi. I njëjti sistem vihet re edhe brenda një shteti, qoftë ky shtet pjesë e metropolit apo e satelitëve.
Ky fenomen njihet me termin "kolonizim i brendshëm". Metropole janë qytetet e mëdha si Parisi dhe Berlini (dhe Tirana) kurse satelitët janë qytezat dhe fshatrat përreth të cilat furnizojnë me të mira material metropolet. Rënia ekonomike ndjehet më shumë tek satelitët sesa tek metropolet pasi këto të fundit ushqehen realisht nga satelitët.
Jo më kot dëgjojmë shpesh të thuhet se "e gjithë Shqipëria punon për Tiranën". Jetojnë në një qytet me rreth 900 mijë njerëz/konsumatorë, dhe që më e shumta që këta njerëz prodhojnë janë para dhe tregti mes vetit me mallin e tjetrit.
Në rastin e Francës dhe Gjermanisë, që të dy ishin pjesë e metropolit global dhe që të dy kishin në brendësi të shteteve të tyre metropole dhe satelitë, të cilat kishin nevojë për më shumë fuqi ekonomike.
Për të ruajtur fuqinë politike dhe ekonomike, Franca dhe Gjermania vendosën të krijonin një sistem imediat ku ata të ishin pjesë e metropolit dhe shtetet që do t'i bashkoheshin sistemit ("Europës") do të shndërroheshin në satelitë.
Ato ia arritën qëllimit duke implementuar më së fundi monedhën e përbashkët, euro, e cila fuqizoi edhe më shumë kontrollin e metropolit përkundrejt satelitëve.
Ky unifikim monetar u pasua me një sërë anomalish në ekonomitë e vendeve që pranuan monedhën e përbashkët. Këto anomali u mbuluan përkohësisht, por dolën vrullshëm në sipërfaqe pas shpërthimit të krizës Greke.
U desh ndërhyrja e Francës dhe Gjermanisë që situata të "stabilizohej", por jo të përmirësohej apo zgjidhej përfundimisht. Spanja, Italia, dhe vende të tjera po presin në radhë për shfaqjen e radhës.
Në një kohë kur Greqia dhe Spanja hyjnë në "Europë" me kostume dhe dalin pa brekë, atëherë çfarë duhet të mendojmë ne shqiptarët për "Europën"? A mundet të mbijetojë shteti ynë i privatizuar dhe i primitivizuar në arenën e politikës dhe ekonomisë "Europiane"?
A mos vallë liberalizimi i vizave do i bëjë Shqiptarët më të pasur, po bashkimi në union? Liberalizimi i vizave është një mënyrë për të lëvizur lirshëm (dhe pjesërisht) kapitalin nga njëri vend në tjetrin.
Kapitali lëviz në drejtim të atyre vendeve që kanë kapacitete dhe infrastrukturën e duhur për të thithur kapitalin. Dhe këtu përballemi më pyetjen: "A i ka Shqipëria kapacitetet dhe infrastrukturën për të thithur kapitalin e huaj apo ajo thjesht do të humbasë kapital?"
Fatkeqësisht, ne Shqiptarët jemi verbuar nga dashuria Europiane dhe nuk vlerësojmë rëndësinë që kanë rritja e kapaciteteve dhe ndërtimi i një infrastrukture efikase për të thithur kapitalin e huaj.
Ne akoma nuk kemi vendosur demokracinë dhe shtetin ligjor. Ne vazhdojmë në mënyrat më absurde dhe më primitive të tregtojmë të drejtat tona për pak "Europë", dhe jam i bindur se në fund ne do t'i humbasim të dyja dhe nuk meritojmë asnjë.
Me një qeveri hajdute dhe një shtet anti-demokratik ne ose nuk do të tërheqim dot kapitale dhe investime të huaja direkte, ose investimet e huaja, në bashkëpunim me qeveritë hajdute, do të ofrohen vetëm me synimin për të gllabëruar sa të mundin, dhe jo për të bërë biznes.
Demokracia dhe shteti ligjor në Shqipëri nuk janë shqetësimi i domosdoshëm i Europianëve. Ajo mund të bëhet e tillë vetëm kur rrezikon dhe cenon interesat e "Europës". Demokracia dhe shteti ligjor në Shqipëri duhet të jenë shqetësimi primar i Shqiptarëve.
"Europianët" as nuk duan t'ia dinë nëse ka apo jo demokraci dhe shtet ligjor në Shqipëri derisa ata të kenë mundësi të përfitojnë sa më shumë. Nuk besoj se Europianët duan republikanizmin të funksionojë plotësisht në Shqipëri për vet faktin se bizneset e huaja nuk duan të kenë të bëjnë direkt me interesat e popullit, por me interesat meskine të qeverisë.
Sa më pak republikan/demokratik sistemi politik, aq më pak përfaqëson qeveria interesat e popullit. Sa më pak përfaqësuese e popullit të jetë qeveria, aq më të larta mundësitë për qeverinë për t'u korruptuar nga bizneset e huaja në dëm të interesave të popullit.
Sa më e korruptuar qeveria dhe sa me anti-demokratik sistemi politik aq më të ulëta kapacitetet dhe aq më e dobët infrastruktura për të thithur kapitalin e huaj dhe për ta vënë atë në shërbim të interesave të Shqiptarëve. Nëse nuk vendosim demokracinë dhe të konsolidojmë shtetin ligjor, ne rrezikojmë të endemi nëpër Europë "si çifutët nëpër shkretëtirë".