Histori shqiptare kundër Shoahut
"Përse im atë shpëtoi një të huaj, pavarësisht se rrezikonte jetën e vet dhe të të gjithë fshatit? Im atë ishte një mysliman i devotshëm, besonte se po të shpëtonte një jetë, do të hynte në parajsë". I huaji që shpëtoi babai i Enver Pashqajt ishte një hebre i quajtur Yehoshua Baruchowiç, një zotëri në moshë, që sot bën dentistin në Meksikë. Në Pukë, mes maleve shqiptare, gjatë viteve të Luftës së Dytë Botërore Ali Pashkaj, pronar i dyqanit të vetëm të zonës, shqetësohet për fatin e atij të burgosurit të ri, të cilin po e transportonin drejt vdekjes së sigurt në një kamp nazist. Duhej të bënte diçka për të, ndaj u afrohet ushtarëve dhe u ofron të pinë derisa dehen. Pas kësaj ai organizon arratisjen e Yehoshua-së në pyll. Kur u zbulua, atëherë ai refuzon të tregojë se ku ndodhej i riu hebre (katër herë i vendosën pistoletën në kokë. U kthyen duke e kërcënuar se do t‘i vinin flakën fshatit). Kur nazistët u larguan, ai shkon te djaloshi dhe e fsheh në shtëpi deri në përfundim të luftës. Pak vite më parë, Ali Pashkaj u nderua nga Yad Vashem, muzeu i Holokaustit në Jerusalem, me një titull që nderon ata që në vitet e persekutimeve raciale rrezikuan jetët e tyre për shpëtimin e hebrenjve. Rasti i tij nuk është i vetmi, por është emblema e një vendi, e shqiptarëve myslimanë që gjatë Luftës së Dytë Botërore shpëtuan gati 2 mijë hebrenj në emër të "besës", kodit të nderit që gjendet në rrënjë të kulturës dhe zakoneve popullore shqiptare. Kjo ngjarje e jashtëzakonshme, por edhe shumë të tjera të panjohura më parë, janë ndërtuar dhe janë përcjellë nëpërmjet ekspozitës së titulluar "Besa, një kod nderi. Myslimanët shqiptarë që shpëtuan hebrenjtë". Pas udhëtimit në disa vende të ndryshme, ekspozita e fotografit amerikan Norman Greshman, është çelur tashmë edhe në Itali, në muzeun e hebrenjve "Carlo dhe Vera Wagner". Për domethënien e saj të thellë historike dhe për vlerat etike, ekspozita "Besa" do të jetë pjesë thelbësore e ditës europiane të kulturës hebraike, që më 6 shtator do të sjellë në Trieste një seri aktivitetesh kushtuar dialogut mes popujve.