E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mes zotave të Andeve

Tradita antike, rite magjike, veshje të thjeshta e të pakuptimta. Udhëtim në tokën e Q‘eros, popullit indigjen peruan, që e ka prejardhjen nga Incas. Jetojnë të lumtur mes maleve, në harmoni me natyrën dhe çdo qenie të gjallë

"Për të shkuar në tokën e Q‘eros duhet t‘u kërkosh leje maleve, mbrojtësve Apu, siç i quajnë vendasit, shpirtrat e shenjtë që prej shumë mijëvjeçarësh jetojnë në Ande. Në tokën tonë gjithçka është e gjallë...". Kështu flet Don Juan Apaza, burri Q‘ero me sy të vegjël dhe buzëqeshje fisnike, për lidhjen mes banorëve vendas të Andeve dhe tokës së tyre të mrekullueshme, e cila bazohet te reciprociteti. Don Juan shtrëngon tri gjethe në dorë dhe thotë: "Është një ‘kintu‘, një ofertë që u bëjmë Apu-ve për të na hapur rrugën". Më pas i hedh një vështrim malit të lartë katërmijë metra dhe me devotshmëri fryn tri herë mbi gjethet jeshile. "Te fryma gjendet shpirti, kështu u japim gjithë fuqinë tonë personale Apu-ve, për t‘u kërkuar në vazhdim leje dhe mbrojtje".

Për të arritur në tokën e Q‘eros duhet të ecësh dhjetë orë më këmbë. Në këtë vend nuk ka asgjë, as dritë, as shtretër, vetëm ujë të ftohtë dhe zjarr. Nëse vendosni të shkoni në Ande, atëherë duhet të merrni të gjitha masat. Duhet ta ruani veten të mos sëmureni, sepse spitali më i afërt gjendet në Kusko, 200 kilometra larg Andeve.

Q‘eros veshin rroba shumëngjyrëshe, të punuara me dorë. Në këmbë mbathin sandale, ndërsa në kokë mbajnë një beretë (tipike e atyre anëve), që zakonisht meshkujt e kanë me veshë të gjatë për t‘u dalluar nga femrat. Në shtëpitë e Q‘eros dyert janë të vogla, sepse siç thonë, "kur hyn në një shtëpi, në fillim zgjatet koka, siç ndodh kur një njeri lind".

Q‘eros janë populli indigjen peruan, pasardhës të Incas, që falë izolimit i kanë ruajtur më mirë traditat dhe zakonet e tyre. Shumë antropologë dhe arkeologë të Institutit Kombëtar të Kulturës së Perusë e kanë cilësuar qytetërimin e tyre trashëgimi të njerëzimit.

Ishte Oscar Nunez del Prado, antropologu i famshëm dhe drejtor i IKKP-së në vitet ‘50, ai që e eksploroi i pari këtë zonë të panjohur, e banuar nga një popull me gërsheta të gjata e të zeza, veshur me "unku"-n, tunika tradicionale, mbathje të shkurtra të zeza që i mbanin nën pelerinë, të cilat i kishte parë vetëm në pikturat e viteve 1500. Shtëpitë, struktura shoqërore, forma e fshatit, por sidomos ritualet dhe ceremonitë fetare, pasqyronin qartë atë çka shkruhej në kronikat e shekullit XVI nga shkrimtarët e parë indigjenë, si Juan Santa Cruz Pachacuti.

Q‘eros janë pasardhësit e kastës priftërore të Inca-s, të cilët emigruan në këto toka për t‘i shpëtuar persekutimit spanjoll. Sipas legjendës, do të vijë një ditë që këta burra do të qeverisin të gjithë njerëzimin, sipas harmonisë, mençurisë dhe drejtësisë së tyre.

Q‘eros praktikojnë kozmovizionin andin, që përbëhet nga marrëdhëniet e një shkëmbimi reciprok dhe bujar mes të gjitha qenieve të gjalla; zhvillojnë ceremoni e ruajnë ritet fillestare të besimit andin, "Paqo".

Tri fuqitë kryesore të Q‘eros janë:

• TUCUI MUNAI NIU (fuqia e ndjenjës): është fuqia e parë dhe më e rëndësishmja, më pas vijnë dashuria dhe dhembshuria. Sipas Q‘eros, pa këtë fuqi nuk mund të ketë shërim.

• TUCUI LLANQAY NIU (fuqia e punës dhe e realizimit): është fuqia e dytë e cila ka të bëjë me aftësinë për të drejtuar dhe për të mësuar të tjerët, e grupimit dhe e nismës.

• TUCUI LLACHAY NIU (fuqia e të kuptuarit): është fuqia e tretë dhe e fundit, e cila ka të bëjë me ndriçimin.

Të huajve u duhet shumë kohë të mësojnë konceptet e Q‘eros.

"Për ju gjëja më e rëndësishme është njohja. Para se të nisni një aktivitet, ose t‘i dedikoheni një çështjeje, doni të dini të gjitha aprovimet dhe kundërshtimet. Vetëm kështu mund të vendosni që t‘i përkushtoheni ose jo diçkaje dhe në fund të arrini ta doni", thotë Dom Juan. "Për ne Q‘eros gjëja më e rëndësishme është dashuria. Duhet ta ndjejmë me zemër para se të merremi me diçka, dhe vetëm pasi ta kemi përfunduar, arrijmë në një përfundim të saktë".


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›