Qeveria trefishon taksat për lojërat e fatit
Operatorët e tregut të lojërave reagojnë dhe kërkojnë nga qeveria të rregullojë tregun para se t'i supertaksojë
TIRANË- Vendimi i marrë nga qeveria në mbledhjen e saj të fundit, për trefishimin e taksave për sallat e lojërave të fatit, ka nxitur reagimet e operatorëve të këtij tregu. Në qoftë se, sipas ligjit në fuqi, një makinë elektronike në Tiranë, i cili konsiderohet rreth i kategorisë së parë, taksohet me 30 mijë lekë në muaj, pas shtatorit pronarët e sallave të lojërave të fatit do të paguajnë nga 100 mijë lekë për çdo njësi të tillë. Ndërsa, taksa mujore për çdo sallë që ndodhet në rrethet e kësaj kategorie është 400 mijë lekë në muaj.
Për rrethet e kategorisë së dytë, taksa e sallës parashikohet të jetë 200 mijë lekë dhe 60 mijë lekë për çdo makineri elekronike. Ndërsa për rrethet e kategorisë së tretë, 100 lekë në muaj është taksa e sallës dhe 40 mijë lekë për çdo njësi elektronike.
Menaxherë të disa sallave që ushtrojnë këtë aktivitet në kryeqytet, të cilët sipas projektligjit të Këshillit të Ministrave i bie të paguajnë më shumë në krahasim me zonat e tjera të vendi, shprehen se, ky propozim është krejt i paarsyeshëm nëse marrim në konsideratë situatën në të cilën ndodhemi.
"Më duket i çuditshëm ky propozim. Sipas ligjit të mëparshëm na duhej të paguanim nga 30 mijë lekë në muaj për çdo makinë elektronike. Duke marrë parasysh që standardi në Tiranë është minimumi dhjetë makina për një sallë, në qoftë se shtojmë edhe tarifën prej 400 mijë lekësh për çdo pikë, deri tani i kemi paguar shtetit për çdo muaj minimumi 3.4 milionë lekë", shprehet Besmir Elezi, menaxher i një salle të lojërave të fatit në Kryeqytet.
Më tej ai shton se, nëse miratohet në parlament projekligji, i cili i trefishon detyrimet fiskale të këtij biznesi, ndryshe nga vetë qëllimi i tij për të rritur të ardhurat në buxhetin e shtetit mund të bëhet shkak për një situatë ndryshe, ku për shkak të barrës së rëndë fiskale të mbyllen një sërë sallash, duke prishur parashikimet e qeverisë për të ardhura.
Më shumë se rritja e detyrimeve fiskale për lojërat e fatit shqetësimi më i madh i menaxherëve është numri i madh i pikave që ushtrojnë aktivitet në mënyrë të jashtëligjshme, të cilët sipas tyre bëhen shkak për një konkurrencë të pandershme në treg.
"Para se të supertaksojë bizneset që janë të rregullta me detyrimet e ndaj shtetit, ky i fundit duhet të tregohet më i ashpër ndaj të palicensuarve, të cilët na konkurrojnë në mënyrë të pandershme",- shprehet Armandi edhe ai menaxher i një salle lojërash fati në Tiranë. Në lidhje me këtë, Njësia e Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit zhvilloi javën e shkuar një aksion tre ditor duke bllokuar një sërë pikash dhe makinerish elektronike me arsyetimin se ushtronin aktivitet pa licencë dhe jashtë standardeve të kërkuara. E. Senja