Ankesa e PDI-së për Fierin, KQZ vendos sot
KQZ diskuton sot ankesën e paraqitur nga PDI-ja për shpalljen e pavlefshme të rezultateve në disa qendra
TIRANË- Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pritet t'i japë fund sot diskutimit për qarkun e Fierit, për t'ia kaluar stafetën Kolegjit Zgjedhor. Sot në mbledhjen e radhës së KQZ-së pritet të shqyrtohet ankesa e partisë së çamëve, PDI, të cilët, duke pretenduar për parregullsi të mëdha në procesin e numërimit të votave në disa qendra votimi të këtij qarku, kanë kërkuar shpalljen e pavlefshme të rezultateve, që kanë prodhuar kutitë me 3185, 3188 dhe 3196 të zonës së Libofshës, si dhe 3006 të ZZAZ-së 18 të po këtij qarku.
Në kërkesën e tyre paraqitur në KQZ, ata kanë argumentuar se numërimi i këtyre kutive është bërë në mënyrë të kundraligjshme pasi nuk kanë përmbushur detyrimet, që përcakton ligji zgjedhor, dhe për rrjedhojë rezultati i tyre për shkak se ndikon direkt në rezultatin final të kësaj zonë, nuk duhet të përfshihet në tabelën përmbledhëse, por të shpallet i pavlefshëm.
Kërkesa e mësipërme i referohet vendimit të KQZ-së të datës 13 korrik, me anë të cilit u vendos përfshirja në tabelën përmbledhëse i të gjitha votave të shpallura të vlefshme pas hetimit administrativ, që kreu ky institucion në prani edhe të mediave.
Por përpos debateve të shumta mes PD-së dhe PS-së, ku kjo e fundit, përmes përfaqësuesve të saj, argumentonte se ankesa është jashtë afateve ligjore, KQZ-ja ka vendosur që ta marrë sot në shqyrtim.
Megjithatë, pavarësisht argumenteve që do të përsëriten nga të dyja forcat politike, apo edhe debateve që mund të shoqërohen, pak gjasa ka që të dilet në një rezultat përfundimtar, për sa kohë që për miratimin e kësaj ankese kërkohen plot 5 vota pro, të cilat PD nuk i ka.
.