Historia, Kryeministri dhe ti japim secilit hakun
Disa ditë më parë lexova me vëmendje këndvështrimin e Alfred Cakos te Panorama mbi disa ngjarje historike, kryesisht ato të luftës nga prill 39 – nëntor 44. Jam në një mëndje me të për shumë ngjarje e ndodhi, por po shpreh kundërshtimin dhe njëkohësisht dhe këndvështrimin tim, shoqëruar me fakte, dokumente apo përfundime të analizave mbi veprimtarinë dhe rolin e organizatave Balli Kombëtar dhe Lëvizja e Legalitetit Është e vërtetë se historia, kjo shkencë interpretative e ngjarjeve, ndodhive dhe fakteve, ka qenë viktimë e indoktrinimit, falsifikimit, injorancës, dallkaukllëkut apo pasionit. Mendoj në të njëjtën mënyrë me zotin Cako dhe Kryeministrin, se historia është në bunker dhe duhet nxjerrë prej tij, por të studiohet dhe interpretohet pa emocion me vërtetësi. Por, ne, pasardhës të atyre që sakrifikuan shumë për Shqipërinë, kemi detyrë morale para së gjithash që tu themi të vërtetën fëmijëve tanë, por edhe shqiptarëve, edhe nëse kjo e vërtetë në disa raste është kundër nesh. Sepse kur njeriu pranon gabimin, e vetmja gjë që mund të shpëtojë është nderi, dhe kjo sështë pak. Është shqetësues për z. Cako fakti pse Kryeministri mban qëndrim të diferencuar ndaj Ballit Kombëtar dhe Legalitetit. Por më duhet të theksoj në krye të herës se kreu i qeverisë tha: Një pjesë e Ballit Kombëtar bashkëpunoi me pushtuesit. Para se të shtjelloj pikëpamjen time mbi këtë temë, shpreh dakordësinë për dekorimin dhe ngjitjen në altarin e kombit për luftëtarët nacionalistë ose diversantët e famshëm që erdhën me bindje për të sakrifikuar edhe jetën për çlirimin nga diktatura komuniste. Duke e shtyrë më tej arsyetimin, kërkoj publikisht dënimin e kolaboracionistëve. Ata nuk janë vetëm një pakicë në radhët e atyre që u shërbyen pushtuesve fashistë dhe nazistë. Megjithatë, a ka kolaboracionistë dhe antishqiptarë më të mëdhenj se ata që e shitën Shqipërinë prej 29 Nëntorit 1944 për 45 vjet tek armiqtë tanë shekullorë, te jugosllavët apo rusët? Më pas, për interesa pushteti, te kinezët. Historia e pasluftës së Kosovës dëshmon për qëndrimin e këtyre vendeve kundrejt vëllezërve tanë kosovarë dhe shqiptarëve në përgjithësi. Po me ata që i dhuruan kurorën e Mbretërisë shqiptare Viktor Emanuelit, si do të veprojmë? Me aktin e shpalljes së luftës Italisë fashiste, Mbreti Zog I e rreshtoi Shqipërinë krah aleatëve, pavarësisht se Fuqitë e Mëdha heshtën për këtë pushtim. Po me komunizmin si diktaturën që ushtroi gjenocid mbi një pjesë të shqiptarëve, si do të veprojmë? Po figurën e Enver Hoxhës dhe veprimtarinë e tij antishqiptare, do ta dënojmë?
Nuk jam dakord me tezën se lëvizja me kuintesencë më nacionaliste ishte Balli Kombëtar. Kjo organizatë lindi si antitezë politike e Frontit Nacional-Çlirimtar. Në thelb është i njëjti emër, por ai i Ballit është shqip. Faktet e derisotme nuk dëshmojnë se z. Berisha ka treguar afeksion apo vlerësim për ngjarje dhe personazhe thjesht se janë veriorë apo gegë, siç thekson ti. Më lejo të të rikujtoj se përkrah z. Berisha, aso kohe kryetar shteti, në radhët e PD-së janë angazhuar personazhe me mbiemra emblematikë si antizogistë dhe ballistë, si i ndjeri Leka Toto dhe pasardhësit e të ndjerëve dhe të nderuarve Hasan Dosti dhe Safet Butka, pra Tomorr Dosti dhe Uran Butka, ky i fundit dhe kandidat për kryetar të PD. Ndërkohë, nga ne zogistët apo gegët nuk ka pasur asnjë njeri në radhët e PD, në Parlament apo diku tjetër, ndërsa Legaliteti kishte kontingjent intelektual të nivelit të lartë, si të ndjerët Ibrahim Sokoli, Ahmet Kolgjini, Lin Martini e shumë të tjerë. Vetë zotit Berisha i është dashur kohë të hulumtojë në labirintet e historisë apo ngjarjeve të keqinterpretuara. Mendoj se ngjarjet e 97-s i dhanë të kuptojë dhe të njohë më mirë, por, mbi gjithçka, të interpretojë dhe krahasojë ngjarjet. Grushti i shtetit i 1924-s dhe ardhja në pushtet e komunistëve në 44-n ngjasojnë me 97-n.
Faktet historike tregojnë se OKLL (Organizata Kombëtare Lëvizja e Legalitetit), është organizata më nacionaliste. Legaliteti ka histori të lavdishme dhe të kaluar të pakomprometueshme. Ashtu si dhe Balli, ka pasur në gjirin e saj patriotë si Ndoc Çoba, Xhemal Naipi, Abaz Kupi, Sali Myftija etj., intelektualë si Selim Damani, Nuçi Kota, Patër Lek Luli, të rinj intelektualë si Ibrahim Sokoli, dr. Shefqet Ndroqi, Abdulla Berberi, Zini Dervishi etj. Ushtarakë dhe akademistë si Bilal Kola, Jahja Çaçi, Xhemal Laçi, Murat Basha e dhjetëra të tjerë. Patriotë me veprimtari prej brezash të shënuar në interes të kombit, si Sul Kurti, Llan Destani etj., me të cilët nuk mund të krahasohet aventurieri Enver Hoxha. Ngjizja e tyre gjenetike dhe formimi patriotik i lejuan të bashkëpunonin me komunistët për çlirimin e atdheut nga okupatori fashist. Në Pezë ishin edhe përfaqësues apo personazhe që formuan më pas Ballin. Kanë qenë prezentë edhe Halim Begeja (i dërguari i Mitat Frashërit, shih Kastriot Dervishin, burime nga AQSH) Ramazan Jarani, Ismail Petrela, Skënder Muço, Muharrem Butka, Naim Starova. Ishte edhe Aziz Çami, një nga atentatorët e Mbretit Zog në Vjenë, por përderisa bëhej fjalë për çlirimin e vendit, kjo çështje në një kohë tjetër shumë sensitive për legalistët, u la mënjanë para interesit kombëtar. Dihen vendimet e Konferencës së Pezës. Luftë kundër okupatorit fashist, pa dallim feje, krahine dhe ideje. Historia prej pavarësisë e më pas flet për përgjegjshmërinë në veprimtarinë e legalistëve në raport me fatet e Shqipërisë dhe të shqiptarëve. Konferenca e Pezës lindi si nevojë për bashkim. Ishte projekt i madh. Janë gjithmonë idetë apo projektet e mëdha që i bashkojnë njerëzit. Përpos faktit thelbësor, siç ishte lufta kundër okupatorit, legalistët nuk kishin pikë kontakti ideologjik me komunistët. OKLL (Organizata Kombëtare Lëvizja e Legalitetit) u krijua në Zall-Herr më 21 nëntor 43. Pavarësisht faktit se ishte organizatë, ndryshe nga partia, ajo në thelb ishte konservatore, pra e djathtë. Abaz Kupi ishte bashkuar me Frontin Antifashist për të luftuar fashizmin, siç pati bërë më 7 prill (ku ishin komunistët dhe të tjerët në atë kohë?) dhe jo për të ndarë pushtet. Lufta në Veri nuk nisi si pasojë e prishjes së strukturave shoqërore, por si papajtueshmëri ideologjike. Është i pamohueshëm fakti se Partinë Komuniste e formuan jugosllavët, por jugosllavët, rusët dhe fashistët kishin financuar themeluesit e organizatës Bashkimi, të cilët nuk ishin vetëm komunistë, por edhe pro fashistë, si atentatorët e Vjenës Qazim Mulleti dhe Ndok Gjeloshi, të dy në shërbim të fashizmit. Ishin edhe antizogistë apo republikanë, kishin financuar disa herë lëvizje për të përmbysur Mbretin Zog dhe pushtetin legjitim, por të gjitha këto minimizoheshin para okupacionit fashist. U burgosën, vranë, u internuan në Ventotene apo gjetkë edhe zogistë.
Balli Kombëtar ishte një organizatë në thelb social-demokrate, duhet theksuar ky fakt për të kuptuar ecurinë e mëtejshme të ngjarjeve. Ishte edhe organizatë nacionaliste sepse kërkonte Shqipërinë Etnike. Dekalogu flet qartë për këtë fakt, por po dekalogu na dëshmon se: Mbas lufte do të krijohet një Shqipëri ku të mos këtë të shfrytëzuar dhe shfrytëzues, ku të mos ketë njerëz që jetojnë në shtëpinë të të tjerëve. Thënë më thjesht, të vendoset një lloj barazie. Pabarazia mes njerëzve në liri, është e paevitueshme, nëse mbyt lirinë mund të vendosësh me dhunë gjoja barazinë, por ky është komunizëm. Filozofikisht, dallimin ndërmjet së djathtës dhe së majtës e shoh në ballafaqimin e lirisë me barazinë. Tek e fundit, Balli Kombëtar ishte një parti nacional-socialdemokrate. Eksponentë të ndryshëm kanë theksuar dhe theksojnë se Balli nuk ishte as i majtë, as i djathtë. Po të hedhim vështrimin në historinë e kohës, do të shohim se dy lëvizjet politike të kohës, fashizmi dhe nazizmi, ashtu si dhe komunizmi, janë lëvizje të majta. Le ti referohemi historisë.
