Lotët e “krokodilëve” që po pengojnë integrimin
“Krokodilët” e PS-së po derdhin lot për t’u shtirur sikur nuk janë ata që po pengojnë integrimin e vendit në BE. Se edhe satanai Enver Hoxha, kështu vajtonte, kur i pushkatonte shokët pas shpine. Meqë arritën ta krijonin imazhin e keq për Shqipërínë, Rama me neobllokmenët po derdhin lot krokodíli për këtë humbje kombëtare. Tani “Kursi i rí” i Ramës i nxori kthetrat. Hiporizía e pendesës nuk ka më nevojë për dëshmitarë. Vajtimi i “krokodilëve” është shprehje e strategjisë së tyre mafioze, entuziazëm i mëkatarëve të trembur nga vendosja e ligjit, cicërímë lakuriqësh nate, që po shpëtojnë nga rreziku i dritës së qytetërímit. Gëzimi i tyre, që arritën të ndëshkojnë popullin dhe mazhorancën, nuk po njeh sot kufí. Po predikohet prej tyre sikur më shumë kishte nevojë Europa për ne, sesa ne për Europën. Sikur vetëm ne do ta përtërínim atë. Ndaj “krokodilët” derdhin lotë për fatin e saj (!) Mediokriteti i dështakëve socialistë i bën ta gjykojnë naiv edhe elektoratin shqiptar. Këta mafiozë, apo shërbëtorë hajdutësh, po ngazëllehen që u erdhi dita të hakmerren ndaj një populli, që u shembi “parajsën” e kopaçes. Harrojnë që ky bllokim qe bumerangun i ligësísë dhe paaftësísë së tyre për të fituar me garë të ndershme dhe alternativa të besueshme. Se arroganca dhe megalomania enveriste nuk i lejoi të pranonin sinqerisht që kishin gabuar. Se si shpirtvegjël udhëhiqen nga motoja: “Të shoh nënë pa burrë, pa le të mbetem pa babá !” (Apo, ndoshta, si egoistë të sëmurë, nuk duan as babánë?). Mirëpo inati, thotë populli, është dëmi i kokës. Akrobacítë e “kushteve” për t’ia lënë mazhorancës “kopilin” në derë, e treguan haptas dinakërínë bizantine të këtyre piratëve të lirísë. Apo ky bllokim i integrimit qe hakmarrja e tyre primitive prej “revolucionarësh”, që për pushtet të paligjshëm nuk njohin moral? Apo mos, vallë, kjo qe taktika e tyre e vjetër komuniste, e veshur me petkun “modern” që dhe integrimin e sheh si europianizim të Europës prej tyre? Apo ky qe ai avazi i vënies së qerres para buajve? Se shqiptarët nuk i kanë harruar dhelpërítë e Enver Hoxhës, që sajonte grupe armiqësore, të vëna në shërbim të agjenturave të huaja, që dashkëshin ta shisnin vendin tek armiqtë e “revolucionit”.
Gjithkujt i duket e pabesueshme që “kursi i rí” i Ramës të përfundonte në mënyrë kaq banale. Këtë lloj “kthese” s’pranonte ta bënte as një fëmijë i llastuar, apo një plak i rrjedhur. Se, të kërkosh 10 “kushte”, kur të janë dhënë të plotësosh 12 rekomandime, ngjan sikur të ka bërë lutje Europa ta integrosh në Shqipërí. Duket sikur dështakut Rama, të tërbuar nga humbjet, nuk i kanë mjaftuar krizat dhe ngërçet, grevat dhe demonstratat, as “shenjtërimi” i votës, apo hapja dhe mbyllja e kutive, por i qenkëshin dashur të sajonte edhe ca “kushte”, me të cilat të mund të mbijetojë, të paktën, si kryetar i një partie, të marrë peng nga njerëz, që i tremben edhe në gjumë ligjit. Por Rama e di që Shqipëría nuk ia fal, as bojkotin e tejzgjatur, as braktisjen e konsensusit në çastet më jetike për fatet e saj. Prandaj Rama nis e derdh lot krokodíli, për të treguar se sa keq ndihet që mazhoranca nuk i plotësoi të 10 pikat e tij (!) Kurse pjesëmarrja e tij në votimin e reformave, që kërkojnë një shumicë të cilësuar do të kishte qenë për të shansi i fundit. Tani Rama me ato lotët e krokodílit le të vajtojë fatin e karrierës së tij politike, se do ta ketë të vështirë të gjejë aq naivë, a të korruptuar, mafiozë, apo mëkatarë të papenduar, që ta ndjekin pas. Se nuk i beson më njerí gënjeshtarit, as për “shenjtërim” vote, as për pavarësí institucionesh, as për luftë kundër korrupsionit, as për përmirësim të nivelit të jetesës së populli, as për respektim të të drejtave të njeriut. Edhe dorën në prush sikur të vërë taní Rama, nuk kanë për ta mbështetur as vetë hajdutët, që me përkrahjen e tij u bënë milionerë brenda natës. Madje, edhe lakejtë e puthadorët e tij kanë për t’iu larguar, siç largohen çakejtë nga një pyll, ku ujqit janë tërbuar. Po dhe vetë Europa nuk është aq pa përvojë, sa të mos e kuptojë që, të vësh “kushte” mbi rekomandimet e saj, nuk mund të ketë tjetër synim veç bllokimit të integrimit, mohimit të aspiratës së një populli, të mbajtur me dekada të izoluar. Se Qytetërími europian nuk bie kaq lehtë në “grackat” e hajdutëve, të ideatorëve të prapambetjes, apo të antiperëndimorëve të lindur. Sidomos, kur si autorë të bllokimit, këta hipokritë derdhin lot të nxehë krokodíli. Europa ka njohur shumë sharlatanë, ashtu siç ka studiuar në rrënjë thelbin e doktrinave “revolucionare”, të cilat, para pushtetit, nuk njohin të tjera vlera. Dhe, ndoshta, rasti i këtyre mafiozëve komunistë shqiptarë, ka për t’i shërbyer si shembull për të dalluar se kush e pengon partneritetin e saj të ndershëm e të sinqertë me popujt e martirizuar nga komunizmi. Se nuk mund të pajtohet Europa me ndëshkimin e popujve nga ca mëkatarë, që, për të mos u penduar, frenojnë civilizimin e vendeve të tyre. Ndoshta prandaj dhe populli, që priti me shpresë një gjysmë shekulli, nuk e humbet sot shpresën për integrimin e Shqipërísë në Europë. Se edhe vetë Europa duket e bindur që, edhe sikur PS-ja, pra, Rama me neobllokmenët, ta kishin pasur sinqerisht kthimin në parlament, madje, të kishin votuar ligjet, që kërkojnë 3/5 e votave të Kuvendit, përsërí do të kishin sajuar të tjera marifete, madje, ndoshta, të tilla, që do të ishte më mirë të kishin dalë (siç edhe dolën!) haptas kundër tyre. Se nuk mund ta pranojnë barazinë para ligjit ata që kanë grabitur pasurinë kombëtare. Nuk mund të durojnë ndërgjegjësímin e “skllevërve” të tyre xhelatët, që dridhen nga ligji i vërtetë dhe të drejtat themelore të njeriut të lirë!