E Shtunë, 31 Tetor 2026

Për lindjen e politikanit Bamir Topi

Nga Mero Baze

Në historinë e politikës shqiptare, rasti i Bamir Topit deri më sot ka qenë përjashtim. Ai nuk i ka ngjarë askujt në karrierën e tij politike dhe shtetërore. Nuk i ka ngjarë askujt as nga ritmi i karrierës, as nga cilësia e saj dhe as nga investimi që ka bërë për të marrë atë që ka sot. Ai hyri në qeverinë e Aleksandër Meksit në vitin 1996 si një i ri shkolluar në Perëndim me lidhje të forta me kryeqytetin, duke zëvendësuar një ministër që e zinte avioni. Në vitin 1997 ai nuk ishte as tek besnikët dhe as tek tradhtarët e Sali Berishës. Ndryshe nga shumë njerëz që rrahin gjoksin, ai ka qenë politikani i fundit i PD që ka qenë në Vlorë në ato muaj, i parrezikuar nga qytetarët. Pas daljes së Berishës në opozitë, kur shumica e ish ministrave të tij e braktisën, Bamir Topi qëndroi aty pa folur dhe pa miratuar asgjë nga ato që ndodhnin. Berisha e angazhoi në kryesinë e PD-së, dhe kur fraksioni Pollo u largua nga PD-ja duke marrë me vete një numër të madh emrash të njohur të PD-së, Topi përfundoi nënkryetar i PD-së në vend të Jemin Gjanës. Përveç atyre që njihnin nga afër Berishën dhe Topin, gjithkush mendonte se ai ishte dashuria e re e Berishës. Me një investim personal Berisha shmangu zgjedhjen e tij kryetar të PD-së së Tiranës duke thuajse emëruar aty Vili Minarollin. Kjo krijoi distancën e parë publike mes tij dhe Topit që lexohej në heshtje sidomos nga elektorati i Tiranës. Në përpjekje për të gjetur një kandidaturë për Bashkinë e Tiranës në vitin 2000, Berisha shmangu sërish Topin, duke zgjedhur nga baza e partisë Besnik Mustafajn. Në zgjedhjet e vitit 2001, Topi u rrezikua të hynte në Kuvend duke shkuar në balotazh. Ai mbajti një konferencë nervoze shtypi, ku la të kuptohej se kishte një pakt kundër tij nga të dy palët. Të dielën e balotazhit fitoi.

Karriera e tij e re si nënkryetar i PD dhe kryetar i grupit parlamentar i mbartte të gjitha nuancat e luftës së ftohtë që kishte me Berishën. Në vitin 2003 Berisha ia ofroi me bujari postin e kandidatit për Bashkinë e Tiranës, por tashmë gota ishte thyer. Nuk e pranoi. Berisha vazhdoi të sillej me kujdes për të mos ekspozuar ftohtësinë ndaj tij, por brenda PD-së gjithkush që ishte i pakënaqur nga Berisha filloi të ishte mik i tij. Një investim politik pasiv, që vilte vetëm frytet e anti-berishizmit.

Retorika e ashpër e Berishës ndaj korrupsionit dhe sidomos ndaj Klanit të Zemunit ishte sërish një rast për të bërë diferencën. Topi, ndryshe nga shumë drejtues të sotëm të PD-së, që nuk guxojnë as të përshëndeten me njerëz që sulmon Berisha, shkonte hante drekë me Agron Dukën sapo Berisha mbaronte fjalimin në parlament kundër Klanit të Zemunit. Ky ishte një emancipim që i jepte vlerë personalitetit politik në PD. E krahasuar me sot, ku askush nga PD-ja nuk shkon as në një promovim libri nëse ai nuk i ka pëlqyer Berishës, gjestet e Topit ishin një diferencë e fortë që trembte realisht Berishën.

Pas rikthimit të Berishës në pushtet, Topi nuk vrapoi për poste. Qëndroi në pasivitet dhe jashtë pazareve për pushtetin e ri. Nuk pranoi një post të rëndomtë ministri, por preferoi të ishte në krye të grupit parlamentar. Berisha e shikonte me makth heshtjen e tij dhe përpiqej ta kompensonte duke tentuar ta përfshinte në debatet brenda grupit parlamentar. Topi ishte gjithnjë e më pasiv. As në mbledhjet e grupit, ku siç e ka zakon i pari dhe i fundit flet Berisha, nuk merrte më pjesë, një refuzim ky elegant i përpjekjes për ta nënvleftësuar postin e tij.

E vetmja gjë që ai kërkoi zyrtarisht nga partia, ishte posti i presidentit në vitin 2007. Berisha ia pranoi formalisht kërkesën duke nënqeshur, por nuk kishte asnjë dëshirë tia plotësonte. Ai ndërtoi një strategji bisedimesh me Edi Ramën që linte jashtë ndërtesës së presidentit Bamir Topin. Bisedimet u përqendruan tek një figurë jopolitike, konsensuale. Topi dhe Nano ishin dy emrat politik, që edhe pse i përkisnin të majtës dhe të djathtës, nuk i donte as kreu i së majtës, as kreu i së djathtës.

Një ditë më 4 korrik, kur Astrit Patozi dhe Blendi Klosi rrekeshin të takonin njëri Sali Berishën dhe tjetri Edi Ramën, për të kuptuar çdo bënin me presidentin, Sali Berisha humbi durimin. Edi Rama ishte tallur dhe i kishte kërkuar Blendi Klosit ti thoshte Astrit Patozit që Berisha ti dilte në në chat në MSN që të flisnin. Ishte një skenë që nuk e harroj kurrë. Berisha ishte xhindosur jo vetëm nga nënvleftësimi që Rama po i bënte negociatave për të gjetur dikë që nuk i prishte punë Berishës, por dhe nga ajo që ai e quante teknikë nënvleftësuese kontakti.

-Ai qenka palaço, tha. Unë i bëra nder atij, unë eliminova Bamir Topin nga gara, çfarë do më shumë nga unë ai?

Ky ishte një shkulm që i doli nga zemra. Më shumë se sa kush do të zgjidhej president, Berisha ishte i qartë se kush nuk duhej të zgjidhej. Por situata pas kësaj i doli jashtë kontrollit. Topi e kuptoi thikën pas shpine dhe pas një mbledhje kryesie të PD-së doli para gazetarëve duke akuzuar PD për punizëm. Një grup i madh deputetësh mbështetës të tij, që kishin demonstruar mbështetje publike, kërcënuan nën zë se nëse ai nuk zgjidhej, në vjedhtë do kish qeveri të re ose zgjedhje të reja. Berisha u fut në panik. Pas kësaj Topi nuk u investua më. Skema e re e Berishës ishte të hiqte qafe Bamir Topin me ngritje në detyrë. Ai udhëhoqi një operacion tejet të vështirë duke punuar me deputetë të Fatos Nanos duke premtuar biznese kompensuese për ta dhe shefin e tyre, dhe më në fund duke përdorur dhe naivitetin e përzierë me ego të Neritan Cekës ja doli ta hiqte qafe djalin plangprishës.

Në një drekë lamtumire në vilën e tij në Durrës, Berisha dhe Topi falenderuan njëri- tjetrin për mbështetje me një ftohtësi prej të vdekuri.

Sapo Topi u bë president, Berisha mori frymë i lehtësuar dhe nisi punën për pastrimin e grupit të tij. Egërsia e tij ndaj deputetëve që mbështetën Topin ishte ekstreme. Shumica e tyre u detyruan të kthehen në ushtarë të pështirë të Berishës ose humbën çdo lidhje me pushtetin. Në zgjedhjet e vitit 2009 ata nuk ekzistonin më. Gazmend Oketa i mbetur aty me një fije shprese se do reflektonte, po e pëson ende prej mbështetjes së tij për Topin. Urrejtja e Berishës ndaj tij u bë gati institucionale. Ai u investua në një luftë të vazhdueshme politike për ti dëshmuar partisë së tij dhe sidomos simpatizantëve të Topit në Tiranë se Bamir Topi kish tradhtuar PD dhe të djathtën dhe ishte bërë aleat me Edi Ramën. Herë duke përdorur Topallin, herë duke marrë vetë flamurin e kësaj lufte, ai në të vërtetë ja arriti të shkonte deri tek manipulimi ekstrem me votën e tij më 8 maj.

Ai e sulmoi atë egër më 21 janar duke e quajtur koka e puçit dhe horr bulevardi, ndërkohë që media mercenare e tij, kryesisht batakçinjtë e tipit Frangaj- Balliu, janë çdo ditë të vëmendshëm të sulmojnë atë. Qëllimi është ti mbyllin derën për tu kthyer nga e djathta pas vitit 2012. Bamir Topi i ka pritur me qetësi dhe pasivitet këto sulme. Nuk ka folur kurrë, nuk ka aplikuar kurrë dhe as u ka kushtuar rëndësi.

Dje në Top Story, ai la mënjanë karrigen e presidentit dhe veshi kostumin e politikanit. Ju përgjigj Berishës pikë më pikë, bile në disa detaje që bëjnë diferencë të madhe mes tij dhe Berishës. Përgjigja më e hidhur e Topit për 21 Janarin nuk ishte se Berisha është bërë për tu mishëruar, por shpjegimi gati befasues që ai i bëri konceptit të bulevardit për kryeqytetin. Me stofin e një çuni bulevardi, që urrehej prej sekretarëve të partisë në kohën e komunizmit, ai e risolli Berishën e vjetër sekretar partie më 21 Janar. Raporti i sekretarëve të partisë me djemtë e bulevardit u ringjall me një ish- sekretar partie kryeministër me qytetarët e vrarë të bulevardit. Topi ishte po ashtu sfidues në ambiciet e tij politike, në diferencën që bën me Berishën në qy

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›