Historia Milan-Kaka, rifillon telenovela
Milan rifillon. Duke shfrytëzuar aftësitë diplomatike dhe kontaktet e shumta e të mirë që klubi ka me skuadrat e tjera po provon të intensifikojë lëvizjet e saj pasi pas 15 ditësh merkato do të mbyllet. Adriano Galliani ka filluar sërish kontaktet me Realin e Madridit për atë që është kthyer tashmë në ëndrrën e verës së kuqezinjëve: rikthimin e Ricado Kaka në Milano. Kontakte, fjalë të thëna e të pathëna dhe rruga e lirë për një ekstra bonus që nevojitet për të bërë investimet e duhura në merkato. Do të jetë vendimtar takimi i administratorit të deleguar me presidentin Silvio Berlusconi të djelën në mbrëmje pas takimit me Juventusin për trofeun Berlusconi.
Diplomacia
Por ndërkohë diplomacia ka rifilluar punën. Rruga për Kakanë është shtruar prej javësh. Milan ka kontaktuar me Realin e Madridit që pret të reja lidhur me lëvizjen e Modriç për në Bernabeu dhe më pas të pranojë idenë për të shitur brazilianin me një çmim të reduktuar. Nga ana e tij Kaka ka dhënë sinjalet e duhura në kampin kuqezi duke pranuar një reduktim të pagës së tij dhe duke dhënë ok në projektin e Allegrit për të luajtur mbas dy sulmuesëve. Por pjesa tjetër mbetet për tu realizuar sigurisht në ditët e fundit.
Borrielo
Por merkatoja e Milanit sigurisht që vëmendjen kryesore e ka në repartin e sulmit dhe e reja është se trajneri Allegri e ka zbuluar të preferuarin e tij Marco Boriello. Sulmuesi i Romës është mësuar tashmë të sistemohet në skuadrat e reja në ekstremis pra në ditët e fundit të merkatove pas kalimit tek Roma në 2010 dhe transferimit të fundit tek Juventus. Zeman nuk beson tek ai ndaj skuadrat e Genoa dhe Tottenham kanë treguar interes por nga mbrapa mbetet gjithnjë Milan që është në kërkim të një sulmuesi të parë për të zëvendësuar të larguarin Ibrahimovic. Në rrugën Turati kanë gati një ofertë huazimi me të drejtë blerje përfundimtare në fund të sezonit ndërsa Boriello nuk pret gjë tjetër.
Bayern Munchen, shumë pranë Javi Martinez
Këshilli i Mbikqyrjes i Bayern Munchen ka miratuar blerjen e Javi Martinez nga Athletic Bilbao për 40 milionë euro. Lajmin e ka konfirmuar presidenti i klubit bavarez, Uli Hoeness. Gjithsesi, zyrtarizimi i blerjes së mesfushorit spanjoll do të vijë në ditët në vazhdim. Këshilli i Mbikqyrjes i Bayern Munchen është një organ kontrolli që aprovon blerjet, shumat e paguara për to dhe pa lejen e tij nuk mund të realizohet asnjë operacion në merkato. Gazeta gjermane Bild flet për një operacion të përfunduar tashmë, por Hoeness ka theksuar se gjërat po ecin mirë, por nuk ka ende diçka zyrtare. Athletic Bilbao kërkon 40 milionë euro për një nga lojtarët më të spikatur që ka në skuadër, ndërsa Bayern nuk është i gatshëm të plotësojë këtë kërkesë. Sipas Bild, vetë futbollisti spanjoll do të heqë dorë nga një pjesë e rrogës për të financuar një pjesë të shumës që kërkon klubi bask.
Ebue sulmon Van Persin: Gomar
holandez! Tifozët i djegin bluzën
Lajmi i arritjes së një akordi mes Arsenalit dhe Mançester Junajtid për transferimin e Robin Van Persit në radhët e djajve të kuq, është shoqëruar me reagime mjaft të ashpra të tifozerisë së ekipit londinez. Të shumtë kanë qenë ata që e kanë komentuar këtë si një transferim të turpshëm, duke patur parasysh se Van Persi kishte 8 vite në radhët e topçinjvedhe nuk pritej që ai ti tradhtonte për të shkuar në radhët e një ekipi tjetër në Angli. Në rrjetet sociale në internet ka filluar iniciativa e djegies së fanellave të Van Persit dhe postimi i fotove të tyre në Facebook apo Twitter, iniciativë e përkrahur në masë nga tifozët e Arsenalit që kanë publikuar me krenari shkrumbimin e fanellave. Por më i ashpër ka qenë reagimi i një ish-shoku të skuadrës së futbollistit holandez, mbrojtësi Emanuel Ebue, i cili tashmë është i transferuar te Gallatasaraj. Asnjë respekt, asnjë mëshirë për një gomar holandez. Më vjen keq por nuk mund të respektoj një kapiten që braktis anijen e tij. Venger ia doli mbanë përsëri: ka shitur me një çmim të mirë një lojtar të mbaruar. Ai është biznesmen i vërtetë. Van Persi nuk do të jetë kurrë më i njëjti, ishin fjalët e futbollistit nga Bregu i Fildishtë në adresën e tij në Twitter, që është mbështetur nga dhjetëra tifozë të Arsenalit. Trajneri i Arsenalit, Arsen Venger siguroi pas transferimit të Robin van Persit te Mancester Junajtid se nuk do të blinte sulmues tjetër, sepse i kishte zëvendësuesit e holandezit. Francezi shpjegoi se lëvizjet e topçinjve në merkato, kryesisht blerjet e Olivier Zhirud dhe Lukas Podolskit, ishin bërë në funksion të largimit të 29-vjeçarit, i cili me vetëm 1 vit kontratë të mbetur nuk u kishte lënë zgjidhje tjetër drejtuesve të skuadrës londineze. Gjithsesi, duke vlerësuar cilësitë e Van Persit, Venger pranoi që për fatin e keq të skuadrës që ai drejton është forcuar një rival shumë i fortë, si Mancester Junajtid, që pagoi 22 milionë stërlina për të marrë shërbimet e holandezit.