Historia e 19-vjeçarit të vdekur, Jetmir Ballazhi
TIRANË- Dy ditë pasi autoritetet greke e kishin kthyer në Shqipëri si emigrant të paligjshëm, 19- vjeçari Jetmir Ballazhi gjen vdekjen në oborrin e shtëpisë së motrës, teksa ishte duke krasitur rrush. I riu nga fshati Gurrë e Madhe e Burrelit ishte kthyer për dasmën e së motrës, e kur kishte tentuar të kthehej prapë në Greqi, e kishin kthyer mbrapsht. Fati i zi e çoi dje në Gërdec, ku nga shpërthimi i predhave, një copë e çeliktë i kishte goditur barkun, nga e cila kishte gjetur edhe vdekjen. Sipas xhaxhait të tij, Hasan Ballazhi që kishte shkuar dje në morg për të gjetur nipin, gjithça përreth repartit ishte e rrafshuar dhe nëpër fusha kishte vetëm bagëti dhe lopë pa zot që sorollateshin nëpër livadhe. Sipas tij, kishte edhe lopë që kullonin gjak dhe nuk kishte njeri të kujdesej për to. “Kam ecur katër orë në këmbë dhe iu kam shmangur të gjitha forcave të policisë dhe ushtrisë, për të arritur tek shtëpia e mbesës. Aty ndodhej edhe nipi, Jetmiri. Pas ecjes katër orë në këmbë, kam mbërritur tek shtëpia që ndodhet vetëm pak metra nga dera e Repartit Ushtarak ku gjithçka ishte e shkatërruar dhe kishte marrë një ngjyrë hiri. Kërkova nëpër shtëpi, edhe pse kishte akoma shpërthime, dhe nuk i gjeja në asnjë vend dhe me të dalë në rrugë më mori autoblinda e policisë, ku disa djem të mëdhenj në trup më kapën për rrobash, më futën në makinë dhe më dërguan tek ura afër autostradës. Që aty jam drejtuar për në spital për të kërkuar nipin dhe mbesën dhe ja ku i gjeta në morg”,-tha Hasan Ballazhi.