E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria, asnjë bilanc për të humburit e Gërdecit. Shifrat e viktimave mbeten të mjegullta

TIRANË- Bilanci tragjik i një dite më parë në Gërdec mund të rëndohet, pasi janë me dhjetëra, personat për të cilët nuk ka asnjë informacion zyrtar për vendndodhjen e tyre. Gjatë gjithë pasdites së djeshme dhe deri në mesnatë, qindra familjarë kërkonin të afërmit e tyre në spitalet “Nënë Tereza”, në Spitalin Ushtarak dhe Spitalin e Durrësit, por për pjesën dërmuese të familjarëve, këto kërkime kanë rezultuar të kota. Të afërm të familjes Deliu kanë bërë të ditur gjatë orëve të vona të ditës së djeshme se nuk kanë asnjë të dhënë për familjarët e tyre ku renditen: Jetmir Deliu 20 vjeç, Irena Deliu 18 vjeç, Flavio Deliu 3 vjeç dhe Liliana Deliu. Nga kjo familje, sipas familjarëve, janë gjendur vetëm Qemal dhe Kore Deliu që janë të shtruar në spital me trauma dhe djegie të shkallës së lartë. Dëshmitë e familjarëve janë rrëqethëse, pasi sipas tyre shtëpia e familjes Deliu ndodhet vetëm pak metra larg repartit të tragjedisë, duke qenë në qendër të goditjes. Ata janë paraqitur edhe pranë morgut të Qendrës Spitalore Nënë Tereza, por asnjë nga viktimat nuk ka korresponduar me familjarët e tyre. Grupe të tjera familjarësh janë ndodhur në të njëjtën situatë duke kërkuar me shpresë se do gjenin të gjallë familjarët e tyre. Xhaxhai i njërit prej 5 viktimave të sjella mbrëmë në morg bën të ditur mes lotëve se njëra nga kufomat është nipi i tij, Jetmir Ballazhi. “Fatkeqësia është më e madhe seç shohim, veç nipit që kam të vdekur në morg, nuk kam asnjë lajm për motrën dhe djalin e saj të vogël”,- thotë nën zë Hasan Ballazhi, xhaxhai i viktimës. Ai vazhdon më tej duke sqaruar se të vetmit që janë gjallë nga kjo familje, mbeten vjehrri dhe vjehrra e motrës së tij, që janë gjithashtu në gjendje kritike për jetën, pasi kanë marrë plagë të rënda nga shpërthimi i tmerrshëm i një dite më parë.
Orët e tmerrit në morgun e Tiranës nuk kanë të sosur. Familjarët që nuk gjejnë të afërmit e tyre vërtiten pa fund në një ecejake të dëshpëruar ndërsa nuk hezitojnë që të kontrollojnë kufomat e sjella në këtë repart, pavarësisht se pjesa më e madhe e tyre tashmë është e identifikuar. Një pjesë e tyre është munduar që të shkojë deri në afërsi të shtëpive të rrënuara, për të kërkuar të afërmit atje ku ata mund të gjendeshin, por kërkimet kanë rezultuar të pasuksesshme pasi ato janë ndërprerë nga forcat e policisë që ndodheshin në gatishmëri dhe në ruajtje të jetëve të tjera që rrezikoheshin nga shpërthimet. Të afërmit e familjes Deliu kanë apeluar për ndihmë, duke iu drejtuar qeverisë. “Ne jemi më të dëmtuarit në këtë tragjedi. Janë 4 pjesëtarë të familjes që nuk gjenden dhe nuk dimë asgjë për ta ndërsa dy të tjerë janë të plagosur rëndë. I bëjmë apel shtetit për ndihmë”. Kalvari i kërkimeve ka vazhduar edhe me një numër të pafund familjarësh të tjerë, ku edhe ata kërkojnë të afërmit e tyre që nuk rezultojnë në asnjë nga listat e publikuara nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë, ndërsa lidhja me ata nuk është bërë e mundur gjatë ditë së djeshme. Dita e sotme pritet që t’i japë përgjigje shumë dilemave në lidhje me të humburit e kësaj tragjedie, për të cilët nuk ka asnjë bilanc nga ana e autoriteteve. Burime në Ministrinë e Brendshme kanë bërë të ditur gjatë ditës së djeshme për “Shekullin” se ende nuk ka një bilanc të personave që rezultojnë të humbur, pasi sipas tyre një bilanc i tillë është i pamundur për t’u realizuar. Një fakt i tillë është thënë edhe gjatë ditës së djeshme në konferencën për shtyp të kryeministrit ku është konfirmuar se të dhënat për numrin e të plagosurve dhe të vdekurve mund të ndryshojnë gjatë orëve në vazhdim.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›