Identifikohen 5 viktimat e tragjedisë
TIRANË- Në morgun e QSUT-së,përveç Jetmir Ballazhit gjendeshin edhe trupat e 4 personave të tjerë. Në katin e parë të morgut, forcat speciale të RENEA-s, aty rreth orës 17 sollën pesë viktimat e parë të kësaj tragjedie.Identifikimi i tyre u bë me ndihmën e familjarëve, që ishin drejtuar në morgut për të gjetur pjesëtarët e familjeve të humbura. Gruaja e ekspertit të çminimit pranë Ministrisë së Mbrojtjes, 57- vjeçarit Besim Canga e identifikoi bashkëshortin që në hyrje të derës së morgut, kur nëndrejtori i këtij institucioni, Admir Sinamati, i tha që viktima i paidentifikuar ka një shinë në këmbë. Që nga ky moment, bashkëshortes së 57- vjeçarit i rodhën lotë nga sytë, duke thënë: “po, ai është burri im”. Me ndihmën e zvdrejtorit Sinamati ajo e idenfikoi edhe në dhomën e akullt, ku preheshin trupat në pritje të familjarëve për t’i tërhequr. Gjithashtu, me ndihmën e bashkëshortit u identifikua edhe 37- vjeçarja Rajmonda Durda, e cila punonte pranë fabrikës së çmontimit të municioneve në repartin e Gërdecit. Miqtë dhe komshinjtë e 57 -vjeçarit Muhamet Hoxha bënë identifikimin e tij, pasi pjesëtarët e familjes nuk ndodheshin në Shqipëri, përveç kësaj mjekët e morgut e identikun me dokumentin e udhëtimit që kishte në xhep të pantallonave që vetëm pjesë mbrapa kishte mbetur pa iu djegur. Ndërsa një i ri i moshës 19 vjeç mbeti deri në orët e vona të natës pa u identifikuar, pasi ishte i djegur dhe asnjë nga familjarët që e kishte parë, nuk e njihte. Mendohet se ka qenë punëtor në këtë repart. Sipas zvdrejtorit të morgut, Admir Sinamati të pesë viktimat e sjella kanë gjetur vdekjen nga asfiksia dhe pjesët metalike të predhave, të shpërndara pas shpërthimit.