Shkatërrime lokalesh e dyqanesh në Marikaj
Shpërthimi i depove ka lënë në qiell të hapur shumë lokale e dyqane në fshatrat përreth. Xhamat e dritareve dhe dyert janë shkatërruar e thyer, ndërsa asnjë lokal nuk ishte në gjendje pune ditën e djeshme në fshatrat përreth epiqendrës së shpërthimit. “Kanë mbetur vetëm muret, gjithçka është thyer. Ka dalë jashtë funksionit lokali. Unë ndodhesha brenda në lokal, kur dëgjova tronditje të fuqishme. Dola menjëherë jashtë, pashë tym dhe zhurma të llahtarshme”, -tregon një banor i fshatit Gërdec për “Shekullin”. Sapo ka dalë jashtë lokalit ai ka parë se çdo ndërtesë kishte pësuar dëmtime. Makinave të parkuara u ishin thyer xhamat. “Në momentin e parë u larguam për t’i shpëtuar shpërthimeve të tjera pasi e dimë që aty janë disa depo me armatime të rënda. Në minutat e para pas shpërthimit ka qenë një tmerr i vërtetë. Njerëz që dilnin nga banesat dhe ulërinin, fëmijë që qanin. Më pas erdhi me urgjencë policia. Ishte një tmerr i vërtetë”,- shton më tej dëshmitari. Asnjë nga banorët e fshatit nuk e dinte se çfarë po ndodhte. Nuk dinin ku kishin familjarët e tyre. Askush nuk po e kuptonte se kush ishin fatkeqët e lënduar nga gjithçka nga ajo që panë më sytë e tyre. “Mjerë kush ka qenë afër depos” thotë Qemali një i moshuar, i cili edhe në luftë nuk ka dëgjuar të ketë pasur kaq të plagosur brenda pak minutash. “Në vitin 1997 na u mësua veshi me breshëri automatiku, me shpërthime bombash, por të paktën dinim se nga të ruheshim. Por sot nuk dinim si të ruheshim ku të shkonim, na erdhi pa pritur”,- tregon Agimi një 55-vjeçar nga Marikaj.