E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndërtimet pa leje në universitete, studentë dhe pedagogë në protestë

Rrezikohet të bojkotohet nisja e vitit akademik në UT nëse nuk ndalen punimet

EkonomikuNë një kohë kur Bashkia e Tiranës merret me lirimin trotuareve nga tezgat ambulante apo vazot me lule, ndërtimet pa leje po mbijnë si kërpudha brenda oborreve të universiteteve. Rasti më i fundit i denoncuar edhe nga vetë rektori Dhori Kule është situata e krijuar në Fakultetin Ekonomik të Tiranës, ku për shkak të ndërtimeve pa leje po bllokohet edhe puna për ngritjen e kampusit universitar, që do ti jepte zgjidhje problemit të auditorëve në universitete. Pasditen e djeshme studentë dhe pedagogë të Universitetit të Tiranës kanë protestuar pranë ambienteve të Fakultetit të Ekonomisë kundër ndërtimeve pa leje që po zaptojnë hapësirat universitare. Kampi Universitar për të cilin është folur mjaft këto kohë, është frenuar pikërisht nga ndërtime të tilla që në vetëm pak javë janë shndërruar në disa kate. Nëpërmjet kësaj proteste të lajmëruar edhe në media, stafi akademik dhe këshilli studentor kërkuan zbatimin e vendimit të marrë nga Gjykata për ndërprerjen dhe mos lejimin e vazhdimit të punimeve abuzive pranë godinës së Fakultetit të Ekonomisë. Problematika e godinës së Fakultetit të Ekonomisë është ngritur disa herë në media. Edhe në konferencën e shtypit me datë 16 qershor, me rastin e përfundimit të vitit akademik që ka mbajtur rektori i Universitetit të Tiranës, Prof.Dr.Dhori Kule ka përmendur çështjen e godinave pa leje që janë ngritur pranë Fakultetit të Ekonomisë. Vendimi nr.6075 datë 30.05.2013 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë kërkon shfuqizimin e lejes së ndërtimit nr.131 dt.13.04.2004 të KRRT Bashkia Tiranë; shfuqizimin e vendimit nr.456 dt.06.08.2003 Për rikonfirmimin e lejes së ndërtimit në favor të Shoqërisë Emi SH.P.K.; shfuqizimin e vendimit nr.33 datë 17.03.2004 të KRRT të Bashkisë Tiranë për rikonfirmimin e sheshit dhe lejes së ndërtimit në favor të Shoqërisë Emi SH.P.K.). Universiteti i Tiranës është i vendosur që të mbrojë interesat e tij deri në bojkotimin e sezonit të provimeve të vjeshtës gjatë muajit shtator dhe procesin mësimor, nëse kjo e drejtë vazhdon të shkelet, u shprehën studentët dhe pedagogët për median.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›