E Shtunë, 31 Tetor 2026

Historia e Braudel si manual

Nga Express më 13 shkurt 2011 në ora 12:14

Është konsideruar si një ndër figurat më të shquara të shekullit të njëzetë, duke pasur parasysh librin “Gramatikë e qytetërimeve”, që ribotohet nga Instituti i Dialogut dhe Komunikimit, përkthyer nga shkrimtari Fatos Kongoli. “Kjo vepër ku Fernand Braudel na mëson historinë është një manual që udhëheq përmes labirinteve të qytetërimeve të botës. Ai u drejtohet sa specialistëve të historisë po aq edhe publikut të gjerë, e sidomos shkollarëve”.

Kjo “gramatikë e qytetërimeve” që vazhdon prej vitesh të botohet e të ribotohet me sukses në mbarë botën, e përkufizon Qytetërimin në marrëdhënie me hapësirën, shoqërinë, ekonominë dhe mentalitetet kolektive. “Një tekst që synon të tregojë dhe të provojë se historia, shkenca më e re dhe më tërheqësja ndër dijet njerëzore, mund të mësohet dhe, gjithashtu, se si duhet dhënë mësimi i saj. Një parim themelor: t`i bësh të interesuar ata të cilëve u drejtohet historia dhe t`u japësh mundësi ta përballojnë botën ku jetojnë duke e kuptuar atë. Në të vërtetë, sipas Braudel-it, nuk ka histori që nuk u përgjigjet, nëpërmjet pyetjeve dhe kthimit të së kaluarës, kureshtjeve, pasigurive dhe problemeve të së tashmes.”, shkruan Maurice Aymard, drejtor i Shkollës së Studimeve të Larta Sociale, administrator i Shtëpisë së Shkencave Njerëzore.

“Braudel-i ka meritën e madhe se kuptoi që evolucioni historik është i papërmbajtshëm dhe se duhej dalë nga koncepti europeo-centrist që dominoi historiografinë e shekullit XIX dhe të gjysmës së parë të shek. XX, për të ndërtuar më në fund një vizion global mbi botën. Mund të thuhet pa hezitim se Fernand Braudel ka futur jo vetëm konceptin e historisë sociale por sidomos rolin e shoqërive në historinë ekonomike”, - shkruan Pierre Daix, historian, specialist i veprës së Braudel-it, shkrimtar, kritik arti, publicist i njohur. Fernand Braudel (1902-1985) është përfaqësuesi më i shquar i Shkollës së Analeve (themeluar më 1929 nga Marc Bloch dhe Lucien Febvre) që përbën një nga rrymat më të njohura të historiografisë moderne.

Profesor i historisë dhe i filozofisë që para Luftës II Botërore, drejtor i studimeve shkencore në Shkollën e Studimeve të Larta Sociale që në vitin 1937, profesor i Historisë së Filozofisë Moderne në Kolegjin e Francës, themelues i Shoqatës Ndërkombëtare të historisë ekonomike dhe administrator i Shtëpisë së Shkencave Njerëzore më 1962, anëtar korrespondent i shumë Akademive të huaja si ajo e Budapestit, e Mynihut, e Madridit, etj., ai u zgjodh anëtar i Akademisë Franceze më 1984.

Braudel-i me veprën e tij revolucionarizoi mënyrën e të konceptuarit por edhe të të shkruarit të historisë. Braudel-i tregoi se historia nuk mund të ekzistojë e pavarur prej vështrimit të historianit i cili ndërhyn në çdo etapë të rindërtimit të historisë. Ai sjell një histori ndërdisiplinare e cila nuk tregon vetëm duke u mbështetur te dëshmitë e te psikologjia por edhe te gjeografia, ekonomia politike, sociologjia, duke futur kështu shkencat sociale në histori e duke ofruar një vizion global të Historisë me të cilën Braudel kapërceu kufijtë e Francës për t’u bërë një nga referencat e letërsisë historike botërore, mes të cilave mund të përmendim: “Mesdheu dhe bota mesdhetare në epokën e Filipit II”; “Qytetërimi, ekonomia dhe kapitalizmi, shekulli XV - XVIII”; “MESDHEU, njerëzit, trashëgimia, hapësira dhe historia”; “Dinamika e Kapitalizmit”; “Identiteti i Francës”; “Historia dita me ditë”; “Kujtimet e Mesdheut”.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›