E Shtunë, 31 Tetor 2026

Historia e Kosoves e permbledhur ne piktura

Historia e Kosovës para dhe pas luftës shfaqet në tablotë e dy artistëve kosovarë në një nga sallat e Muzeut Historik. Dy piktorët Muhamet Ahmeti dhe Haki Xhakli vijnë për herë të parë në Tiranë të kënaqur që tashmë mund të përfaqësohen me flamurin e tyre.

“Më herët kemi marrë pjesë nën emrin e vendeve të tjera. Ka ndodhur të kemi qenë edhe në vendin e Turqisë, Bosnje Hercegovinës etj”-thotë Muhamet Ahmeti, piktor.

Tabloja e Xhaklit flet për vitet e vështira në Kosovë përpara ‘99-ës. Pikturën ekspresioniste ai e shoqëron mitet e simbolet antike e historike.

“Jam përpjekur të krijoj historinë për periudhën para luftës. Kam përdorur simbole dhe mite siç është kali i bardhë, duke e personifikuar më Rambujenë”-thotë piktori Xhakli.

Ndërsa Ahmeti ka kaluar tashmë nga trajtimi me shqetësim i formave njerëzore, në ironinë dhe sarkazmën e fenomeneve të sotme, jo vetëm në Kosovë.

“Kam përdorur sarkazmën. Jam shqetësuar për çështjen e shqiptarëve, njohja e Kosovës. Ato vende që na kanë njohur dhe ato që do na njohin.”-thotë Ahmeti.

Ekspozita e dy profesorëve të artit figurativ në Universitetin e Prishtinës vjen si bashkëpunim i dy Ministrive të Kulturës dhe do të qëndrojë për dhjetë ditë në Tiranë.

Aurela Papadhima

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›