E Shtunë, 31 Tetor 2026

Historia e Kosovës

Punën që do të duhej ta bënte një institucion shkencor apo një ekip studiuesish, shkrimtari dhe historiani Jusuf Buxhovi e ka bërë vetë. Ai sapo ka botuar librin “Kosova” në tri vëllime, që përfshin rreth 2500 faqe. Libri tashmë është duke u përkthyer edhe në gjuhën angleze dhe brenda vitit do të jetë i gatshëm edhe për lexuesit e huaj.

Janë katër mijë vjet histori, 2500 faqe, tre libra dhe një autor. Ky është Jusuf Buxhovi, ndërsa libri i tij më i ri titullohet “Kosova” dhe përfshin historinë e këtij vendi, duke filluar nga pellazgët dhe dardanët për të përfunduar me protektoratin ndërkombëtar.

Libri i parë flet për Antikën dhe Mesjetën, i dyti për Kosovën nën Perandorinë Osmane, ndërsa i treti përfshin periudhën prej Konferencës së Londrës deri te Protektorati Ndërkombëtar. Kur shkruan për periudhën antike, Buxhovi tezën e deritanishme ilire e bart deri te teza pellazge. “Është një kundrim ideologjik i padrejtë që ka dominuar, por meqë gjithçka i nënshtrohet ndryshimit, nuk kemi arsye që edhe ne të mos i nënshtrohemi këtij ndryshimi të historiografisë sonë”, thotë ai, duke shtuar se historiografia jonë lidhet me pellazgët.

Sipas Buxhovit, pellazgët janë fondament i antikitetit. Përpos tij, këtë e thonë edhe shumë autorë botërorë nga shekulli XIX e tutje.

“Pionier i kësaj teze është Hahni, por mbas tij kanë vazhduar edhe shumë e shumë shkencëtarë tjerë dhe sot lirisht mund të thuhet se shkenca gati e ka pranuar tezën se bartës të antikitetit janë pellazgët e jo grekët”, thotë Buxhovi.

Sipas tij, praninë e pellazgëve e pranojnë edhe vetë autorët e antikitetit nga Homeri me ‘Iliadën’ që i quan pellazgët popull hyjnor, popull të mendimit, popull të filozofisë, të mitologjisë, ndërkohë që edhe autorët antikë prej Herodotit e Platonit e deri te Pini dhe Taciti e vërtetojnë që pellazgët janë bartës të antikitetit, që prej pellazgëve është marrë kultura dhe gjuha.

“Shkencëtarë dhe filologë të rëndësishëm botërorë si Mulleri dhe Budimiri në vitet e pesëdhjeta e kanë ngre tezën se edhe shkrimi i antikitetit është shkrim pellazg dhe kjo mund të vërtetohet prej Homerit, prej ‘Iliadës’, mandej ka dëshmi materiale që edhe vet Pisistrati në shekullin e pestë ka urdhëruar që të rishkruhet dhe të riformulohet ajo, pasi që ka qenë në një version johelen.

Ka edhe shumë dëshmi të tjera dhe ne mund të themi lirisht se kjo tezë nuk e dëmton tezën ilire, përkundrazi djalit ia gjen gjyshin, ia gjen stërgjyshin”, shprehet ai. Ilirët, thotë Buxhovi, kanë qenë pasardhës të pellazgëve, por jo drejtpërsëdrejti. Pasardhësit kryesor, sipas burimeve që ai i trajton në pjesën e parë, janë dardanët. “Ata njihen edhe nga autorët antikë por edhe nga autorë tjerë, të cilët Budimiri i quan klasikë të indoeuropianizmit. Dardanët jo vetëm Budimiri por edhe Muller e shumë autorë të tjerë botërorë i quajnë themelues të Trojës. Këtë e vërteton edhe mitologjia greke, mandej edhe Virgjili me themelimin e Romës”, thotë Buxhovi.

Edhe Mesjetën ai e sheh si produkt të vazhdimësisë dardano-iliro-shqiptare. Sipas tij, Bizanti drejtpërdrejt është themeluar prej perandorëve dardano-ilirë. “E kemi Dioklecianin që ka bërë reformën e Perandorisë Romake në shekullin e katërt dhe e ka themeluar Ilirikun me katër pjesë, ku të gjithë kanë qenë dardano-ilirë dhe kjo e tregon fuqinë politike dhe ushtarake të dardano-ilirëve. Pas tij vjen Konstantini, i cili e ka pranuar krishterimin si fe zyrtare. Ai madje krenohet që është dardan.

Por ai që konsiderohet si themelues i Bizantit dhe bartës i asaj që mund ta quajmë lirisht fillet e shtetit arbëror apo shqiptar është Justiniani, i cili në vitin 523 e ka themeluar kishën e Dardanisë në kuadër të Ilirikumit dhe e ka lidhur drejtpërdrejt me Perandorinë e Romës.

Ai ka dashur që Lindjen t’ia nënshtrojë Perëndimit, pra pjesën më vitale, ku kishin filluar depërtimet dhe rrënimet sllave, t’ia nënshtrojë dardanëve dhe Ilirikumit. Dhe kjo ka vazhduar deri në vitin 870 kur pjesa e Dardanisë dhe Ilirikut do të pushtohet nga bullgarët, të cilët pasi do ta pranojnë krishterimin, për arsye shtetërore, do ta rrënojnë identitetin kishtar dardan, të cilin e kishte vu, tre shekuj përpara, Justiniani”, thotë Buxhovi. Ai shton se këtu historiografia jonë i ka referencat kryesore shkencore, por fatkeqësisht nuk është trajtuar si duhet. Buxhovi thotë se ideologjikisht edhe Bizanti edhe krishterimi janë trajtuar si armiq të shqiptarëve e jo si pjesë e kulturës së tyre.

Ndërsa kur flet për Perandorinë Osmane, e cila trajtohet në librin e dytë, ai thotë se ajo është pushtuese. Sipas tij, beteja e Kosovës, e cila thotë se duhej të quhej betejë e Dardanisë, është betejë kryesisht mes arbërve, ku kanë qenë të pranishëm edhe sllavët dhe hungarezët, kundër otomanëve.

Me interes është edhe pjesa e tretë, ajo e shtetformimit shqiptar, me ç’rast autori sjell një pamje tjetër nga ajo që është parë nga historiografia ideologjike shqiptare.

E kur pyetet se pse e ka shkruar historinë e Kosovës, Buxhovi përgjigjet se kanë qenë dy arsye që e kanë shtyrë ta shkruajë këtë histori. “E para që shteti i Kosovës duhet ta ketë historinë e vetë. Jo një histori e cila do të shikohej e ndarë nga kompleksiteti shpirtëror dhe politik i shqiptarëve. Përkundrazi, Kosova shikohet si bartëse dhe promotor i kësaj historie që nga antikiteti”, shprehet ai.

Buxhovi thekson se historia e Kosovës është histori e Shqipërisë së natyrshme. Pa Kosovë, sipas tij, nuk do të kishte Shqipëri, nuk do të kishte identitet shqiptar.

“Unë përpiqem këtë dimension ta tregoj dhe ky libër kështu duhet shikuar”.

Preokupimi i dytë i tij ka qenë ajo sepse ka parë se historia e viteve pesëdhjetë, të cilën e ka krijuar Shqipëria, ka qenë ideologjike dhe e njëanshme. Skandaloze e konsideron edhe

Rishkrimin e saj në vitin 2002-2009 nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë, pasi që ajo e injoron Dardaninë, e injoron Kosovën dhe, sipas Buxhovit, ajo krijon mitin e një të pavërtete tjetër se gjoja historia e Shqipërisë ka lindë më 28 nëntor me ngritjen e flamurit në Vlorë.

“Kjo është një datë historike, pa mëdyshje, shumë e rëndësishme por nëse shikohet e shkëputur atëherë kjo është shumë e dëmshme sepse e përjashton historinë e natyrshme katër mijë vjeçare të popullit shqiptar, ku Kosova është bartëse e saj dhe pikërisht kjo më ka shtyrë më shumë që t’i kthehem kësaj teze dhe e di që s’do ta kem lehtë sepse janë krijuar skema, janë krijuar stereotipe, janë krijuar piramida, për fat të keq, janë krijuar klandestinitete politike që funksionojnë në drejtimin Tiranë-Prishtinë mbi këto baza”, thotë Buxhovi.

Arsyet për mungesën e një historie të Kosovës deri më tash thotë se janë edhe politike edhe shkencore. Sipas tij, shteti shqiptar nuk ka pasur vullnet dhe nuk ka sot e kësaj dite të heqë dorë prej tezës ilire.

“Shumë shkencëtarë të Shqipërisë mendojnë se duhet të jenë piemont i çështjes shqiptare dhe me këtë pikërisht është heqë dorë prej tezës pellazge dhe asaj bizantine sepse Dardania është epiqendër e antikitetit shqiptar. Lëvizja Kombëtare Shqiptare që u zhvillua në Kosovë në shekullin XIX e prodhoi Shqipërinë”, shton ai.

Ai konsideron se në Kosovë me vullnet është bërë një krim që i është dorëzuar Mesjeta Serbisë dhe Serbia këtu prapë vazhdon të krijojë realitete të reja antishkencore mbi teoritë hegjemoniste serbomëdha dhe prandaj, sipas Buxhovit, ata që e kanë aprovuar këtë sigurisht nuk janë të interesuar për një histori, e cila do të shkonte deri në antikitet sepse automatikisht krijon fajet dhe krimet e një politike, e cila ka lejuar diçka të tillë.

Punën për shkrimin e historisë së Kosovës Buxhovi e ka filluar para gjashtë viteve, por në mënyrë intensive me këtë punë është marrë që katër vite.

Në mungesë të vullnetit të institucioneve kulturore dhe shkencore të Kosovës, atij i ka dalë në ndihmë shtëpia botuese “Jalifat Publishing” nga Houstoni i SHBA-ve, e cila bashkë me shtëpinë botuese “Faik Konica” nga Prishtina e ka botuar librin në 1500 kopje.

Buxhovi tregon se botuesi nga Houston, i cili është shqiptaro-amerikan, menjëherë i ka hyrë punës për përkthimin e librit në gjuhën angleze. Buxhovi beson që më 28 nëntor libri do të jetë i gatshëm edhe në gjuhën angleze.

Çmimi i librit është 40 euro, por botuesit qysh tash janë përkujdesur që për krijuesi dhe për shkencëtarët të ketë një zbritje shumë të madhe.

“Do të jetë diku përgjysmë”, thotë Buxhovi, ndërsa tregon se promovimi i librit do të bëhet më 16 shkurt dhe do t’i kushtohet pavarësisë së Kosovës.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›