E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fituesit e “Onufri 2011”, më 1 shkurt

Ekspozita e edicionit të 18 të konkursit ndërkombëtar “Onufri”, e çelur për publikun që prej datës 22 dhjetor, do të qëndrojë e hapur deri më 5 shkurt 2012. Si çdo vit, ky konkurs do të ketë edhe një fitues, që për këtë edicion do të bëhet i ditur më 1 shkurt.

Galeria Kombëtare e Arteve ka njoftuar jurinë e ngritur për të marrë në shqyrtim veprat e 22 artistëve shqiptarë pjesëmarrës në “Onufri 2011”. Juria përbëhet nga Shkëlzen Maliqi, (filozof dhe kritik arti nga Prishtina) Sandra Pusterfoher, (kuratore në Fondacionin për Artin “David Roberts” në Londër) dhe Gentian Shkurti (artist, Tiranë, Shqipëri).

Ndërkohë që GKA-ja ka njoftuar se artisti Orion Shima, pjesëmarrës në këtë konkurs, është jashtë konkurrimit. Kuratori i këtij edicioni, Alban Hajdinaj e mbështeti konceptin e tij kuratorial rreth temës “Piktura e jetës moderne”.

Ndryshe nga edicionet e tjera, pjesë e konkursit nuk janë përzgjedhur vetëm artistë bashkëkohorë, por edhe ata që nuk jetojnë më. Pjesë e “Onufri 2011” janë fotografi të viteve 1915-1930, piktura të viteve 1960-1980, për të ardhur tek arti i ditëve tona.

Kristaq Sotiri, Dhimitër Vangjeli, Guri Madhi, Jusuf Keraj, Janaq Paço apo Sotir Capo, janë disa nga emrat që përfaqësojnë artin e viteve të shkuara. Artistë të tjerë pjesëmarrës janë Shpëtim Kërçova, Arben Bajo, Roland Tasho, Klodiana Alia, Sonilda Bardhoshi, Rafael Dembo, Brilanta Kadillari etj.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›