Historia e PS - nga Gruaja e Beratit tek Gruaja e Ndroqit
Nga dje gruaja socialiste nga Berati nuk është më në modë në gjirin e së majtës. Ajo është rivalizuar nga gruaja socialiste e Ndroqit. Thirrjet për solidaritet e bashkëjetëse në gjirin e partisë Socialiste janë zëvendësuar dje nga apelet e forta për prishjen e themeleve të ngrehinës së vjetër partiake dhe ndërtimin e një të majte të vërtetë. Kryetarja socialiste e Komunës së Ndroqit, Fatime Goga, këshilltarët e saj dhe qindra anëtarë të PS-së së kësaj degë, së bashku 250 vetë, kanë flakur dje tej teserat që mbanin firmën e Edi Ramës dhe kanë marrë teserat që i atashojnë me lëvizjen Socialiste për Integrim dhe koalicionin e ri “E majta për Integrim”. Megjithëse Kreu i LSI-së e konsideroi si rënie të Murit të Berlinit, këtë ribashkim dhe se do të mundë Berishën në 2009 e do të shpëtojë Edvinin nga kurthi i Berishës. Por që në fakt, vetë Meta po i ndërton para prita Edvinit dhe jo Berisha. Ish-anëtarët e PS-së, shkuan në drejtim të LSI-së dhe jo të PD-së, e gjithë kjo e konfirmon se planet ëpr shkrirjen e PS-së po vihen në jetë. Gjatë një takimi mjaft entuziast me qindra pjesëmarrës, Kryetarja e Komunës së Ndroqit u shpreh se po bashkohet së bashku me kolegët e tjerë socialistë me LSI, që është e majta e vërtetë dhe mbron interesat dhe vlerat e socialistëve shqiptarë. Fatime Goga u shpreh se “këta 250 anëtarë që vijnë sot te LSI, bashkohen me Kryeministrin më të suksesshëm që ka pasur Shqipëria që pas ‘90-ës, me liderin që do të bashkojë të gjithë socialistët dhe të majtën drejt fitores, me Ilir Metën”. Sipas Gogës Rama “nuk pati respekt për votën e socialistëve të vërtetë këtu në Ndroq, nuk pati respekt për gjakun e derdhur për mbrojtjen e kutive të votimit në zgjedhjet e 18 Shkurtit”. Sipas saj në PS nuk funksionon më parimi “një anëtar - një votë”, por është vetëm një slogan, sepse kur 179 anëtarë votojnë në Ndroq me votë të fshëhtë dhe të monitoruar për një kandidat të preferuar, selia e PS-së vendos për një person tjetër që kishte marrë vetëm votën e një anëtari. Kryetarja e Komunës së Ndroqit përfundoi fjalën e saj kështu, “unë jam socialiste që nga viti 1991, po kështu edhe Ilir Meta”. “Ndaj ju ftoj të gjithëve të bashkohemi me liderin që do të bashkojë të gjithë socialistët dhe të majtët e vërtetë drejt fitores”. Ndërsa, Kryetari i LSI, Ilir Meta deklaroi se koalicioni i ri “synon të rrëzojë një herë e mirë “Murin e Berlinit” të ngritur përmes intrigave dhe komploteve midis socialistëve dhe të majtëve dhe ti bashkojë ata jo atje tek zyrat e ish-Partisë Socialiste, ku kryetari i saj fton Ilir Metën që të kthehet tek dyert e asaj partie. “Ju e dini më mirë se kushdo tjetër se si ishin zgjedhjet e 18 Shkurtit. Sepse ju keni derdhur gjak për të mbrojtur votat e popullit të kësaj komune për socialisten Fatime Goga dhe për alternativën tonë. Nuk mund të hidhet poshtë ai gjak që ju derdhët për të drejtën tuaj vetëm një vit më parë - dhe nuk po flasim këtu për 12 vjet më parë në 1996, nga ai që Edi e quajti më të drejtë një vit më parë ‘kusari dhe tirani i votës së lirë’. Për këtë arsye ne shtymë edhe zgjedhjet që të merrnim garanci, që të mos të vidheshin as votat e Edit dhe as votat e të gjithë socialistëve dhe të gjithë progresive në zgjedhjet vendore”, tha Meta. Gjithashtu Meta theksoi se Rama shkeli edhe kontratën e bërë ndërmjet partive opozitare për të dalë me një qëndrim për Reformën zgjedhore, dhe për të mbrojtur zgjedhjet e ardhshme. Ai theksoi se Rama është duke luajtur me përrallat ‘një anëtarë-një votë’ përderisa po përjashtohen njerëzit në mënyrë të padrejtë. “Ju e kuptoni se çfarë mund të ndodhë në të gjithë Shqipërinë, kur kjo ndodh në Ndroq, ku kryetari i PS-së kalon 3 herë në ditë këtu. Vete dhe vjen dhe nuk dëgjon dhe nuk respekton zërin tuaj, ndaj kuptohet se sa realisht dëgjon dhe respekton zërin apo mendimin e shumë socialistëve dhe shumë të majtëve në të gjithë Shqipërinë. Ju e kuptoni se sa e rëndë është që ai shkeli një marrëveshje me të majtën, me opozitën për zgjedhjet dhe thotë që këtë bashkëpunim do e ketë me Sali Berishën, sepse ne vendosim, sepse ne nuk pranojmë diktat nga askush tjetër. Në këto kushte të gjithë të majtët, duhet ta kuptojnë që ne vendin dhe të ardhmen e tij, nuk duhet ta lëmë në këto duar të pasigurta.
Prandaj unë jam krenar që ne sot bashkohemi, ashtu sikurse kemi qenë prej kohësh, jo që përpara atij Kongresi të 2003, që solli atë ndarje të padëshirueshme, por që përpara 97-ës, në kohën më të zjarrtë të solidaritetit dhe sakrificave”, tha Meta. Sipas tij, Rama e ka pasur për
turp të thoshte që “jam socialist megjithëse ai në qeverinë “Nano” është emëruar ministër i Kulturës Rinisë dhe Sporteve. “Ne e kemi pritur me dashuri Edin, kur ai ka ardhur në ‘98 direkt Ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe po bën 10 vjet, sepse edhe unë kam hyrë në të njëjtën ditë në Qeverinë e atëhershme të z.Nano. Unë atëherë u emërova Sekretar Shteti, ndërsa ai në Ministrinë e Kulturës, edhe pse ai e kishte për turp të thoshte se jam socialist, por thoshte se vinte për të kontribuar për Shqipërinë. Meta ka ironizuar më tej duke u shprehur se “do të tregohet zemër gjërëme Edin dhe se kjo nuk është një betejë kundër tij, por për të shpëtuar vetë atë”. “Ne do tregohemi zemërgjerë me të, ashtu sikurse u treguam edhe në ‘98, edhe pse ai nuk kishte lënë gjë pa thënë për PS-në që nga 1991. Pavarësisht kësaj, Edit ja hapëm derën, jo të godinës së PS-së, sepse nuk është ajo Partia Socialiste, por zemrat e socialistëve të cilat ju hapën edhe për shumë të tjerë që kanë ardhur pas ‘97. Por, socialistët e vërtetë farën e intrigës, atë të hipokrizisë, atë të mashtrimit, do e largojnë njëherë e përgjithmonë”, tha ai. Efektet e braktisjes gjithnjë e më tepër të partisë së Edvinit nga militantët e PS dhe ithtarët majtistë mbeten pjesë e nekropolitikës thagmatike që Edvini po luan në selinë rozë. Kësisoj, këto braktisje të një pas njëshme duke filluar që nga anëtarët e thjeshtë të PS-së dhe vazhduar më tej me këshilltarë e kryetarë komunash e duke e përmbyllur me largimin e deputetëve drejt partive të tjera politike. Në këtë drejtim, procesi i shkërmoqjes në Partinë Socialiste po vijon me ritme të përshpejtuara dhe shumë shpejt Edvini do të ndjejë veten tërësisht të braktisur dhe në vetmi të plotë. Ndonëse, duke pretenduar se është mbartës i një politike të re, i një politike që nuk ia di fillin as vetë, se në ç’kuptim është kjo politikë dhe kush është e vjetra në këtë mes. Duket qartë se të gjitha këto zhvillime janë produkt i krizës së madhe në të cilën dergjet Partia Socialiste dhe lidershipi i saj së bashku me ata pak ithtarë të mbetur ende nën simptomat e PS-së së Edvinit. Dje, PS u përball me një tjetër braktisje, Kryetarja e Komunës së Ndroqit Fatime Goga dhe grupi i këshilltarëve të PS së kësaj komune bashkohen me LSI-në. Po ashtu, marrin teserat e LSI-së edhe 250 anëtarë të PS në këtë komunë.
Alket Goce