E Shtunë, 31 Tetor 2026

Paniku, paradhënie e kodit të ri zgjedhor

Do të mjaftonin zërat e dalë nga paradhomat ku janë tubuar negociatorët bipartizanë të tandem-it PD-PS, për mundësinë e miratimit të sistemit proporcional rajonal me “lista të mbyllura”, që mbarë klasa politike të përfshihet nga paniku, nga alarmi. Jashtë këtij paniku, në planin individual, qëndrojnë vetëm krerët e PD, PS dhe LSI, si dhe kryesitë aktuale të këtyre partive, të cilët në çdo rast e kanë të sigurt vendin në parlament, pavarësisht nga pragu zgjedhor që do të miratohet.
Pas valës së parë të panikut që tuboi në një aleancë, pa dallime politike, shumicën e partive të vogla parlamentare, ose jo, me në krye LSI, dhe pas fashitjes pasuese të këtij cunami prej gajretit që i dhanë vetes “rebelët”, mjaftoi “benzina” që hodhi shefi i ri i OSBE, ambasadori Robert Bosch, (i cili në emër të institucionit që drejton u shpreh kundër “listave të hapura”), që vala e panikut të ringrihej, por tashmë pa limite kohore.
Kësisoj mediat kanë ushqim të bollshëm dhe dy të mëdhenjtë e politikës aktuale po bëjnë sehir për të parë se ç’bëhet andej nga lagjet e “plebejve” të politikës dhe cilët banorë të tyre do të marrin furçën e do të hollojnë bojën për vendimmarrësit eksperimentues. Zotërues këta të skenës politike që, qysh tash, janë përfshirë në kalkulime për mundësinë e realizimit të këtij operacioni zgjedhor “antiDushk”. Operacion ky që po lemeris dushkarët e këtij vendi, të cilët parlamentin prej kohësh e kanë shndërruar në një ndërmarrje ku janë punësuar, ngaqë nuk dinë të bëjnë asgjë tjetër në këtë botë.
Në këtë grupim politik kundër dy “superfuqive politike dhe politikës së tyre të kanonierave”, është përfshirë vetëm LSI, ndofta jo aq për solidaritet me “plebejtë” e politikës, sesa për panikun që ka kapluar një pjesë të lidershipit të kësaj partie, segment ky që e sheh veten të rrezikuar për të mos marrë mandat dhe për të çimentuar në vijim karrierën politike, teksa do të detyrohet për t’u futur në votim të fshehtë për hartimin e hierarkisë së “listës së mbyllur” me vota të forumit më të lartë vendimmarrës, të dalë nga kongresi i fundit i LSI.
Tashmë, mesa duket rebelimet dhe referendumet e të vegjëlve do të shërbejnë vetëm për të siguruar ndonjë vend në listat hierarkike të dy partive të mëdha, pasi “suksesi” i këtyre dy lëvizjeve kundërshtuese nuk ka kurrfarë gjasash.
Nëse supozojmë se do të kemi realizim përfundimtar të skemës bipartizane të deritashme, të mëdhenjve do t’u nevojitej kuorumi i nevojshëm në Kuvend për ndryshimin kushtetues dhe anulimin vijues të Kodit të vjetër, çka do të provonte edhe aftësitë e ideatorëve për ta siguruar atë, duke shpërfaqur me këtë rast edhe fuqitë politike maksimale.
Ndryshe, gjithçka do të shndërrohej në një lojë nervash, sa për gallatë dhe për hajgare, ndërkohë që pagjumësia do të trokiste në kafkat dhe mendjet e cimbisura të mëtonjësve të mandateve parlamentare, apo edhe tek ato të ndonjë lideri që u ka dhënë fjalën mëtonjësve që e rrethojnë se do t’u krijonte kushte dhe mundësi maksimale të konkurronin në zonat që kanë piketuar dhe përzgjedhur në bazë të ndikimit politik dhe objektivave partiake të rritjes së mbështetjes...
Gjithsesi, rast më të mirë sesa për të luajtur derën dhe për të bjerrun kohën, klasa jonë politike as ka pasur dhe as do të ketë deri në zgjedhjet e ardhshme.
Ndërkohë mediave do t’u dyfishohet ushqimi në prag të mbarimit të “zahireve të dimrit” dhe pakësimit të lajmeve që vijnë nga zhvillimet në Kosovë, Serbi, Rusi apo në bashkësinë ndërkombëtare, pas pavarësimit të Kosovës.
Risia e vetme e këtyre zhvillimeve pasuese të “listave të mbyllura”, nuk është tjetër veçse pajisja qysh tash me mandat deputeti e Edvin Ramës në krye të “listës së mbyllur” të PS, çka i siguron atij mandatin e dytë politik pas atij tejet të rëndësishëm të kryebashkiakut të qytetit stërmadh me 1 milionë banorë.
Natyrisht që, qysh tash, shqiptarët kanë të sigurt të mandatuarit paradhënie si deputetë, bash enturazhin e Edvinit me në krye Mimi Kodhelin, Eduard Shalësin, Ledi Shamkun, etj., ndërkohë që nuk dihet fati i Fatos Nanos, sa kohë që ky nuk ka parti dhe është pjesë e “politikës së vjetër”. Çka do të thotë se shansi që Nano të jetë sërish deputet, kalon nëpër labirintet e mëshirës dhe dëshirës së Ramës dhe Metës.
Kësisoj, Nanos nuk i mbetet tjetër veçse të krijojë sa më parë një parti me përmasa të mjaftueshme elektorale, që do t’i mundësonin kalimin e pragut zgjedhor, prag i cili do të caktohet në të ardhmen e afërt.
Kjo është edhe intriga më inteligjente e Berishës për të futur në alarm të Majtën, sa kohë që Nano dhe Gjinushi e ndjejnë veten të përjashtuar nga parlamenti i ardhshëm, sidomos Nano “krahëthyeri”, që nuk mundet të zhysë dot topat që deri më tash ia kanë ngritur pranë rrjetës Rama, Meta dhe Berisha.  Nga Astrit KOLA

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›