Historia e Shqipërisë 12 solli debatin publik
Më 21 shtator të këtij viti, emisioni "Fiks Fare" solli para publikut pjesë nga teksti i ri i Shqipërisë së Popullit Shqiptar 12. Pasazhet e këtij libri dhe përmbajtja e tyre hapën një debat të gjerë në opinionin publik që vazhdon edhe sot. Akuzave të opozitës dhe shoqërisë civile se teksti u shkrua në mënyrë militanteske të tekstit të historisë, autorët iu përgjigjën se gjithçka ka qenë korrekte. Në debat u përfshi edhe Kryeministri, i cili tha se do të rishikohet teksti. Një ditë më parë, ministri i Arsimit u shpreh se do të ngrihet një komision i posaçëm që do të bëjë rishikimet e nevojshme. Kreu XII i tekstit të Historisë së Popullit Shqiptar 12 analizon periudhën paskomuniste. Aty thuhet se zgjedhjet e 31 marsit 1991 u fituan nga PPSH për arsye se partitë e reja opozitare nuk ishin organizuar e konsoliduar sa duhet dhe ekzistonte ende frika nga politika dhe nga Sigurimi i Shtetit. Sakaq, fitoren e demokratëve më 22 mars të vitit 1992, ky tekst e cilëson si historike, pasi për herë të parë erdhi në pushtet një forcë antikomuniste. "Në vitet 1992-1996 u kryen transformime rrënjësore në vend", thuhet në tekst. Dështimi i referendumit për Kushtetutën në vitin 1994, thuhet se erdhi nga fakti se Kushtetuta dhe procedurat e ndjekura prej saj u kundërshtuan si nga opozita e majtë ashtu edhe nga ajo e djathtë. "Në zgjedhjet e majit 1996 Partia Demokratike arriti të fitonte shumicën parlamentare. Këto zgjedhje u kontestuan nga Partia Socialiste, e cila urdhëroi bojkotimin e tyre duke tërhequr komisionerët ditën e votimit. Në këtë mënyrë procesi zgjedhor u dëmtua seriozisht, duke pasur shkelje nga të dyja palët, pozita dhe opozita", vijon teksti i ri i Historisë së Shqipërisë. Zgjedhjet, thuhet në tekst u kontestuan në mënyrë të pjesshme edhe nga partnerët kryesorë ndërkombëtarë. "Opozita, duke shfrytëzuar dhe tatëpjetën që morën firmat piramidale në vendin tonë, arriti që të organizojë rebelimin komunist të vitit 1997 dhe brenda një kohe të shkurtër, u shpërthyen depot e armëve, u shthur rendi me pasoja dramatike. Vetëm një pjesë e vogël e vendit mbeti nën ndikimin e qeverisë", thuhet në tekstin e historisë. Më tutje thuhet se "vendit iu desh kohë të rifitonte veten nga ngjarjet dramatike të vitit 1997. Kaosi, anarkia, vrasjet e shumta(sidomos në qytetin e Vlorës e të Beratit), veprimi i bandave të armatosura, veprimtaria e të ashtuquajturave "Komitete të Shpëtimit Kombëtar", mungesa për një kohë të gjatë e policisë dhe e forcave të tjera të rendit e të qetësisë, krijuan probleme të shumta, nga të cilat vendi do ta merrte veten shumë vonë". Qeveria socialiste që erdhi në pushtet, vijon teksti, nën drejtimin e Fatos Nanos, nuk arriti dot të vendoste rregullin e qetësinë, ndonëse në vendin tonë ishte vendosur një forcë ndërkombëtare nën drejtimin e Italisë dhe NATO-s.