Berisha kërkoi dy vjet më parë rishkrimin e historisë
Historia e Shqipërisë do të shkruhet nga e para. Këtë paralajmërim bëri Kryeministri Sali Berisha në mes të vitit 2007 kur krijoi Qendrën e Studimeve Albanologjike. Berisha u bëri thirrje historianëve dhe studiuesve të vendit që të rishikojnë historinë e Shqipërisë, në mënyrë që shqiptarëve t‘u thuhet e vërteta mbi të dhe që nxënësit në shkollat tona t‘i mësojnë ngjarjet historike ashtu siç kanë ndodhur në të vërtetë. Berisha tha se nuk ka asnjë më të papranueshme sesa të falsifikosh aktin e pavarësisë kombëtare të vendit. "Nuk ka asgjë më të papranueshme, sesa të falsifikosh aktin e pavarësisë kombëtare, të fshish me gomën e turpit emrat e atyre që firmosën pavarësinë, duke e bërë këtë vetëm për verbëri ideologjike, për të zëvendësuar baballarët e pavarësisë dhe të pluralizmit me komitë e kaçakë, të cilët nuk kanë asnjë vlerë. Nuk mund të ecet duke mbajtur të falsifikuar aktin e shpalljes së pavarësisë kombëtare. Nuk mund të ecet duke zëvendësuar Mithat Frashërin, këtë burrë të madh të kombit me komitë", tha Berisha.