E Martë, 3 Nëntor 2026

Historia e berberit gjirokastrit 78-vjeçar/ Usta Foto e ushtron zanatin prej 51 vitesh

Foto Mati është një 78-vjeçar nga Gjirokastra që ushtron profesionin e berberit.  Prej 51 vitesh ushtron zanatin e berberit. 78-vjeçari Foto Mati është më i vjetri i këtij profesioni në qytetin e Gjirokastrës.

Ai rrëfen plot emocion rrugëtimin drejt kultivimit dhe më tej ushtrimit të këtij profesioni të cilin e ka “vjedhur” nga mjeshtrat më të vjetër duke qëndruar pas tyre.

Usta Foto siç e thërrasin të gjithë ata që e njohin, shprehet se i përket brezit të dytë të berberëve të qytetit.

“I kam shërbyer këtij populli me kënaqësi në çdo kohë. Unë i përkas brezit të dytë të berberëve të Gjirokastrës. Brezi i parë ishte i shkëlqyer, ikën ata e më pas filluam ne”, tregon berberi.

Që prej vitit 1983 punon në berberanën e vet në zonën e Pazarit. Ai tregon se nga duart e tij kanë kaluar shumë personalitete të spikatur të vendit dhe të huaj.

“Më vijnë nga e gjithë bota, nga Australia, Zelanda, Gjermani, Franca apo Holanda dhe Italia. Nga e gjithë bota kanë kaluar në këto duar”, tha ai.

Berberi Mati rrëfen se ka rënë ndjeshëm interesi për ushtrimin e këtyre zanateve pavarësisht se ka mësuar mjaft të rinj që u bënë berberë, pasi për aplikimin e saj duhet të prevalojë dëshira dhe vullneti.

Gazetar: Marjo Merhori

/RTSH/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›