E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Historia e ushtarit" premierë në "Aleksandër Moisiu"

Shtatë instrumentistë të ardhur nga Spanja, nën drejtimin e violinistit durrsak, Florian Vlashi, interpretuan mjeshtërisht për afro një orë historinë e përjetshme të kompromisit njerëzor që duhet të zgjedhë mes idealit të lirisë dhe shpirtit të robëruar përmes fitimit të shpejtë. Bëhet fjalë për "Historinë e ushtarit", vepër e kompozitorit Igor Stravinski, që mbështetet në ndërthurjet e tregimit të shkruar me meloditë meditative dhe ritmike, e cila u shfaq premierë mbrëmjen e së shtunës në Durrës, në kuadër të bienales "Netët e muzikës klasike", një aktivitet që zhvillohet për të katërtën herë në qytetin bregdetar. Versioni i plotë i veprës letrare-muzikore, shkruar në vitin 1918 nga shkrimtari Gamuz dhe kompozitori Stravinski, u ngjit në skenë në mbrëmjen e pestë të bienales, në teatrin "A. Moisiu", nga grupi instrumental spanjoll "Siglo XX". Djalli dhe ushtari që shkëmbejnë herë pas here interesat e tyre të përkohshme, ishin protagonistë të kësaj vepre. Ushtari, djalli, Jozefi, princesha, mbreti, e personazhe të tjera erdhën përmes interpretimit origjinal të aktores kryeqytetase Ema Andrea, përballë së cilës solisti Florian Vlashi drejtonte instrumentistët Tod Williamson në kontrabas, John Eterback në trombonë, Hezus Porta në perkusion, Alex Salgeiro në fagot, Huan Ferrer në klarinetë dhe Eigi Herrn në trombë. Instrumentistët e grupit muzikor "Shekulli i 20", mjaft të njohur në Spanjë nga viti 1996 për lëvrimin e muzikës bashkëkohore kanë interpretuar më shumë se 60 vepra premierë nga autorë spanjollë dhe të huaj. "Historia e ushtarit", ishte pjesë e edicionit të katërt të bienales "Netët e muzikës klasike", e cila që nga viti 2003 i jep sezonit veror në Durrës një dimension instrumental njëjavor mjaft interesant dhe me shumë vlera. Udhëtimi muzikor nga klasikja dhe baroku te tingujt modernë, si dhe artistët nga vende të ndryshme të botës, krijuan përsëri një itinerar kronologjik të etapave më të rëndësishme të muzikës instrumentale në shekuj. Këtë vit "Netët e muzikës klasike" është konceptuar si një udhëtim artistik nga muzika baroke në atë klasike, nga muzika romantike në atë moderne. Në programin e edicionit të katërt, një mbrëmje e veçantë iu kushtua muzikës bashkëkohore kosovare, sikurse dhe talenteve të reja. Edicioni i katërt i "Netëve të muzikës klasike" u hap të hënën në katedralen "Shën Luçia".


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›