Një himn për muzikën rock‘n‘roll
Në kinemanë "Imperial" do të shfaqet filmi komedi "The boat that rocked", i cili vjen nën regjinë e Richard Curtis. Nën interpretimin e aktorëve Bill Nighy, Kenneth Branagh, Philip Seymour, Nick Frost, Tom Sturridge, Rhys Ifans, Rhys Darby, Tom Brooke, Gemma Arterton, Ike Hamilton, Chris O‘Dowd, Talulah Riley, Tom Wisdom, Will Adamsdale, Ralph Brown filmi përcjell një ngjarje të ndodhur në mesin e viteve ‘60. "The boat that rocked", i frymëzuar nga lëvizja e radiove të lira, një nënkulturë që lindi pas shpërthimit të muzikës pop në Britani, rrëfen historinë e një grupi rebelësh që në Britaninë e atyre viteve, mbi një anije, themelon një radio të lirë që transmeton përtej ujërave territoriale britanike në një kohë që BBC-ja, burimi kryesor i informacionit dhe muzikës për vendin, i linte shumë pak hapësirë këtyre lëvizjeve të lira. Në ato vite, rock‘n‘roll-i mund të transmetohej në radio vetëm për dy orë në javë, por të rinjtë që e ngritën radion në anije, katër milje larg bregut, dashamirës të muzikës, transmetojnë rock‘n‘roll gjatë gjithë ditës. Konsiderohen heronj kombëtarë dhe të gjithë i duan. Por në tokë, qeveria është e vendosur t‘i ndalojë me çdo kusht. "Piratët" duhet të vendosin nëse do ishte mirë t‘ia mbathnin apo të sfidojnë ligjin dhe të paguajnë pasojat. Argëtues, me ngjyra, filmi është plot këngë të bukura e të dashura. "The boat that rocked" është një himn kushtuar muzikës, miqësisë dhe jetës. Ai është cilësuar si filmi më i mirë mbi pasionin dhe muzikën rock. Kolona zanore është vërtet e mrekullueshme, me këngë të grupeve të famshme si "The Who", "Kinks", "Rolling Stones", "Beach Boys", etj. Ndër të tjera filmi sjell në vëmendje edhe impaktin e muzikës mbi adoleshentët e të gjitha klasave sociale, revolucionin e zakoneve që erdhi edhe prej muzikës rock.