E Shtunë, 31 Tetor 2026

Historia nuk të fal dy herë!

Jo vetëm histori, por duhet të mësojmë nga historia

Prishja e ballancave - Kur përktheva librin e Nikola Baciut,  (botim i “55-s”) sipas të cilit ndryshoi e gjitha harta gjeografike e pasLuftës II Botërore në një shtrirje të panatyrshme të zgjerimit stalinist të pushtimeve territoriale në të gjithë rruzullin, m’u duk se teprimet në këtë vepër do të duheshin të shiheshin me një vështrim kritik dyshues. Por autori faqe pas faqeje të bindte, me argumentet e tij që mbështeteshin në dokumente autentike, të deklasifikuara, pas një periudhe bllokimi prej katër dhjetëvjeçarësh. Fjala deklasifikim kishte kuptimin e mundësisë për t’i shqyrtuar këto dokumentacione, pas kalimit të afatit, gjatë të cilit duhej të ishin të ngurtësuara. Në këtë libër presidenti Ruzvelt akuzohej drejtpërdrejt, që në titull në ballinë të librit, për tradhti. Çërçilli iu përshtat në shumë rrethana Ruzveltit dhe autori e bërë përgjegjës edhe këtë figurë historike, që ne e njihnim si të pathyeshme, me cilësorin “i implikuar në këtë tradhti, në rang botëror, ndaj demokracisë”.
Për ata që nuk e kanë lexuar ende këtë libër, do të më lejohet të vë në dukje  tri elemente thelbësore, në kritikën e rreptë të Baciut, që edhe historianët mund t’i lënë të shtangur:
1.Pranimi paraprak i Zonave të Influencës, do të shkaktonte përftimin e Perandorisë së Kuqe dhe, si pasojë, Luftën e Ftohtë.
2. Shtetet që do të ndërronin kursin e luftës, nga aleanca me Boshtin, në bashkëluftim me Aleatët, nuk do të konsideroheshin shtete armike.
3.Pas luftës do të bëheshin zgjedhje të lira, nën një komision ndërkombëtar vëzhgues.
Ruzvelti i pranoi që në fillim Zonat e Influencës, që sugjeroi Stalini. Çërçilli u detyrua të ecë në këtë hulli. Sekretari i Shtetit të Amerikës, Kordell Halli, iu kundërvu që në fillim Ruzveltit. Zonat e influencës, sipas tij, mund të përcaktoheshin, pas mbarimit të Luftës, në Konferencën e Paqes. Kështu kishte ndodhur edhe në luftërat e mëparshme. Madje edhe në Luftën I Botërore. (Ruzvelti për këtë karshillëk, e mënjanoi Kordell Hallin nga konferencat e mëpastajme, madje edhe në atë të Jaltës. Autori i librit të cituar e quan Hallin demokrat të sinqertë dhe shprehet se Perandoria e Stalinit do të ishte tepër e ngushtuar, po të dëgjoheshin mendimet e Sekretarit të Shtetit). Paracaktimi i Zonave të Influencës kishin kuptimin që të gjitha shtetet kufitare me BS-në, të ishin nën zotërim të BS-së, paraprakisht.
Përsa i përket pikës së dytë, edhe enciklopedia Wikipedia, ndonëse nuk i shpreh gjërat në mënyrë kategorike si Baciu, sidoqoftë bashkohet me të: Mareshali rumun Ion Antonesku, pavarësisht se fillimisht ka qenë aleat i Hitlerit, e ndërroi kursin dhe bashkëbisedimet e para për t’u kthyer kundër Gjermanisë i ka bërë me sovjetikët. Kështu “forcat rumune luftuan heroikisht nën komandën sovjetike në Transvilvaninë veriore, por edhe në Hungari, në Çekosllovaki, në Austri dhe në Gjermani. Megjithatë  sovjetikët e trajtuan akoma Rumaninë si një truall të pushtuar prej tyre, me sebepin se autoritetet rumune nuk ishin të afta për të siguruar rendin në tokat e çliruara. Traktati i Paqes në Paris nuk e njohu Rumaninë si një vend  bashkëluftues dhe Ushtria e Kuqe nuk u shkul nga Rumania. Komunistët vunë si kryeministër Petru Grozën dhe pushkatuan mareshalin Ion Antonesku, më 1 qershor 1946”. (Periudha e fundit, - nga enciklopedia e cituar). Mund të shtojmë se edhe Italinë Stalini do të dëshironte ta trajtonte si shtet të mundur, por Alçide De Gasperi u tregua i zoti e i shkathët në Konferencën e Paqes në Paris dhe nuk ia la Titos trojet që kërkonte të zhvaste nga Italia verilindore.
Në pikën e tretë, prapë për hir të lëshimeve të Ruzveltit dhe të Çërçillit, dihet se çfarë zgjedhjesh “të lira” u bënë në zonat e influencës, të paracaktuara nga Stalini.
Stalini ia kishte vënë spiunin Ruzveltit në dhomën ngjitur me të! - Internacionalja komuniste e kishte mbushur me spiunë Anglinë dhe Amerikën. Në Konferencën e Jaltës Kordell Hallin e kishte mënjanuar Presidenti. Por Elxhër Hisi ishte i besuari më i afërt i Ruzveltit, sado që Kordell Halli e kishte paralajmëruar Ruzveltin se do të gjente belanë! Dhe i doli fjala. Se Ellxhër Hisi u padit pas Luftës II Botërore si spiun komunist, i rekrutuar nga KGB-ja. Dhe u dënua në SHBA, fill pas luftës!
Stalini, djallëzisht, i kishte mbushur mendjen Ruzveltit të sëmurë (mezi qëndronte edhe në karrigen lëvizëse!), që të vinte në bregun e Detit të Zi, në Jaltë. Ruzvelti nuk qëndronte dot as në karrige. E ngritën në krah dy nga ata të shërbimit të rojave dhe e çuan në dhomë. Ngjitur me dhomën e tij, ishte ajo e Ellxhër Hisit. I kishin lidhur edhe telefonin e drejtpërdrejtë nga dhoma në dhomë.  Aty, përballë, tej korridorit, ishte dhoma e Stalinit! Trekëndësh i mrekullueshëm. Për çdo rënieje të të fiktit, Presidenti merrte në telefon Ellxhër Hisin dhe ky i bënte shërbimet e rastit. U bë konfidenti numër një! Doemos shkëmbenin edhe intimitete politike, sapo vinte në vete. Kuptohet se këto që thuheshin në fshehtësi, mbërrinin taze të Stalini, aty për aty!
Stalini ishte duke e humbur Stalingradin!/Nga ana tjetër, Stalingradi po luhatej të binte. Në këtë rast, rruga për në Moskë ishte krejtësisht e hapur! Tani e kishte fjalën spiuni më i madh i Luftës II Botërore, Rikhard Sorge. Stalini nuk i besoi Sorges kur ky  e lajmëroi se Hitleri po orvatej ta sulmonte befasisht Stalinin. Këtë herë Sorge i bëri një lajm të fshehtë të jashtëzakonshëm: “Japonia nuk do ta sulmonte BS-në, sepse do të ndeshej me amerikanët”. Sorge kishte ndërhyrë gjer në familjen perandorake japoneze, me anë të një diplomati, princi të familjes, histori që do të donte shumë të zbërthehej gjatë. Kjo e fshehtë fenomenale e bëri Stalinin që të zhvendoste të 180 divizionet e freskëta të Lindjes së Largët e t’i përplaste në betejën e Moskës. Përfundimi dihet. Por jo siç shkruan historiografia ruse, se kjo i detyrohej heroizmit... e të tjera, pa këta trupa të rinj,  që erdhën bashkë më armatimet e tyre!
Pa të fshehtën e Sorges, Stalini do të mundej t’u diktonte forcave euroatlantike, por do t’u lutej atyre! Sa për Përandorinë e Kuqe, ajo do të mbetej vetëm një dëshirë e pajetësuar...
Historia e Baciut duket si një roman i verdhë! Aq më tepër kur flet për një mori spiunësh të KGB-së, përveç Sorges dhe Kim Filbit, për të cilët kemi folur edhe më parë. Por një vepër gati si të pjellë nga fantazia mund të shkruhet për secilin prej këtyre emisarëve të Kominternit, disa nga të cilët po i përmendim: Donald Maklin, Gui Burgess, Entoni Blant, Xhon Keinkros, Rotçild...Ky i fundit ishte miliarder dhe u u fut në valle  nga e shoqja, e cila  vdiste nga zjarrllëku për  njeriu prej apostujve (Kështu u quajtën spiunët e KGB-së, të infiltruar me porosi të Internacionales Komuniste, në shërbimet e fshehta të Perëndimit!).
Këto ngjarje duken si të tepruara kur, si gruaja e Rotçildit, na doli edhe e shoqja e Ruzveltit!”. Të them të drejtën se tani, boll më, po dalin gjëra të pabesueshme...Por ja se ç’lexoj më vonë për Eléanor Ruzveltin nga enciklopedia “Wikipedia”, të cilën e citova në këtë shkrim: Eléanor Ruzvelti: “..Në vitin 1905, Eléanori u martua, kur ishte 19 vjeçe,  me kushëririn e saj Franklin Delano Ruzvelt, pa ndonjë entuziazëm kushedi çfarë. Ai shpresoi se kishte gjetur gruan besnike, “mizën e bardhë”. Dhe merrej me aventura femërore, i sigurt se Eéanori nuk do të merrte vesh kurrë ndonjë gjë. Mendonte se, édhe po ta mësonte të vërtetën, do të dinte ta falte. “Por ja që, - siç shprehet Béata de Robien-i, - Eleanori na qenkësh hakmarrëse dhe, për më tepër, ishte e prirur për njëfarë  seksualiteti për të cilin  “american way of  life” nuk të fal: çiftimin në tresh”.
Pasi mori vesh për pabesnikërinë e të shoqit, “fërst ledi”  hakmerret duke vënë në dorë, për marrëdhënie seksuale, një gazetare të famshme  të “Associed Press-it”, Lorena Hiçkokun, një alamet grua për nga përmasat, me cigare në gojë dhe që pinte uiski lisho. Kjo bashkëjetesë zgjati për vite. Por FBI-ja e zbulon, e ndjek nga pas, dhe e vëzhgon me instrumentet e saj.  Ndërmjet të dy grave gjendet një korrespondencë prej 2.300 letrash.
Në vitin 1938 hyn në jetën e saj një burrë, Jozef Lashi, bir  çifutësh rusë dhe udhëheqës i rinisë komuniste amerikane.
Njerëzit e FBI-së ishin të shqetësuar se bandilli na kishte me vete një fletëhyrje për në Shtëpinë e Bardhë me të cilën e takon  Eleanorin. Mos është një spiun ?  Kjo marrëdhënie qëndron gjer në vitin 1943, kur  Ruzveldi vihet në dijení. I hipin xhindet dhe e rovolis Lashin (kështu quhet ky komunist) në ujërat japoneze për të luftuar atje. Eleanori e gjen dhe e takon në Guadalkanal. Më vonë ai “guximtari” vdes në luftë.
Pak më parë se t’i vdiste i shoqi (1945), ajo përfshihet nga një dashuri e re: David Gueriç, prapë një rus, njëfarë Rasputini, që e nënshtron Eleanorin në tekat e tij të shumta.
Këto nuk thuhet nga Nikola Baciu. Shkruhen nga një enciklopedi që unë e kujtova si të moderuar. Për shembull, për vetëvrasjen e Nadjezhda Alluievës , gruas së Stalinit, kjo enciklopedi sikur e ndante fajin përgjysmë. Veçse të gjithë historianët e besueshëm që kam lexuar, e përshkruajnë atë grua si një engjëll...
Disa përfundime - Bota e tërë ka vuajtur nga ata që kinse kanë ndërruar lëkurën, si kameleoni, por nuk i janë shmangur nostalgjisë. Ata të cilët në proceset demokratike, iu bënë krah Ramiz Alisë për të ruajtur statujat e Enverit, édhe tani që na shtiren si shenjtorë, janë të dyshimtë si të tillë. Ata që kanë pasur funksione represive në kohë të diktaturës dhe kanë treguar zell vetjak në qëndrimin e tyre sadist ndaj viktimave, nuk është njerëzore që t’u bëjnë sot karshillëk viktimave të tyre. Këta nuk e kanë borxh, në një sistem demokratik, që të venë në një gjyq interesash dhe ta humbasin gjyqin për anëmbajtje të njerëzve të shthurur në kohën e diktaturës, që tani s’e kanë për gjë të tregojnë solidaritetin e tyre ndaj atyre që e luftuan ardhjen e demokracisë. Shkurt: Antiamerikanët me kallo, nuk mund të bëhen proamerikanë të zellshëm!

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›