E Shtunë, 31 Tetor 2026

Heroi dhe historianët

Që një ngjarje të hyjë në histori, nuk mjafton që ajo të ndodhë. Nuk vlejnë as
gjurmët që lë, megjithëse ato janë shenja të ndikimeve. Ndonjëherë edhe heronjtë
duken të zbehtë, qesharakë, qëllimet e tyre ndryshojnë, dhe cdo gjë mbetet e
hapur për interpretime nën dritën e një kohë tjetër. Që një ngjarje të hyjë në histori, ajo ka nevojë për historianë të cilët sado të paanshëm, krahas të vërtetës, instinktivisht i shërbejnë edhe politikes, kulturës, kombit, vendit të tyre. Thuhet se kur i riu 20-vjeçar, Aleksandri i madh vendosi të marshonte drejt lindjes për t’i dhënë fund me fitore konfliktit të gjatë greko-persian, ai frymëzoi shumë grekë, hodhi themele qytetesh, shkeli territore të panjohura e u hapi rrugën arritjeve guximshme, por pa harruar padrejtësitë ndaj shokëve të ngushtë.
Në vështrim të parë, duket e pazakontë që mes atyre që shkruajtën rreth jetës së Aleksandrit, nuk doli asnjë Homer, Herodot a Tuqididh, për të regjistruar arritjet e tij. Historianët sot besojnë se rreth Aleksandrit u shkrua shumë, megjithëse pak shkrime kanë arritur deri në ditët tona. Por edhe ato që kanë mbetur nuk kanë shumë vlera. Që në shek. e I-rë të erës sonë, gjeografi i antikitetit, Strabo i kritikonte historianët që shoqëruan Aleksandrin gjatë fushatës në lindje, duke thënë së ata parapëlqyen shkëlqimin në vend të së vërtetës. Shkrimeve të tyre, thoshte ai, u mungon gjallëria, largpamësia dhe thellësia e mendimit. Dhe ky ishte shpërblimi që Aleksandri merrte për kujdesin që kishte treguar për historianët, disa prej të cilëve vetë i kishte inkurajuar që t’i shkonin pas në luftë.
Por jo i gjithë faji bie mbi historianët. Thuhet se Aleksandrit i pëlqenin shumë epikat e Homerit. Një kopje e tyre, ishte përgatitur për të nga vetë Aristoteli, nipi i të cilit, Kallistheni ishte nje nga historianët që shoqëruan Aleksandrin gjatë luftrave të tij. Historianët nuk dijnë shumë rreth atyre që shkroi Kallistheni, por në ato pak citimeve që kanë mbetur, nipi i Aristotelit nuk kursehej në lëvdata duke e lidhur prejardhjen e Aleksandrit me Akilin. Disa të tjerë e lidhnin prejardhjen e tij me Primamin e Trojës, ndërsa kishte nga ata që nuk i njihnin lidhje të tilla, por e shihnin fushatën e Aleksandrit ndaj persëve të ngjashme me atë të akeajsve kundër trojanëve. Përsa i përket Kallisthenit, ai nuk pati mundësi t’a përfundte historinë e Aleksandrit, pasi vdiq nën tortura i akuzuar për komplot. Thuhet se shkak u bënë disa faqe dorëshkrimesh ku Aleksandri kritikohej për shumë gabime e sjellje të shthurrura. Një grup tjetër historianësh u përqendruan në thash-e-theme e ankedoda, ndodhi të bujëshme ku Aleksandri përshkruhej si hamës, pijanec në dreka e darka pafund.
Por me kalimin e viteve, historitë rreth Aleksandrit u përmirësuan. Një nga historianët që shoqëroi Aleksandrin ishte Aristobulus, i cili filloi ta shkruante historinë e tij, pas shume dekadash, kur ishte 80 vjec. Ai u bë i pari që e përshkroi Aleksandrin si një figurë dinjitoze. Aristobulus, gjithashtu ishtë i pari historian që përshkroi ngjarjen mbi Nyjen Gordiane, apo tregimin mbi shpërblimin dhe dënimin e detarit që gjeti kurorën e Mbretit apo historinë e trajtimit me respekt të priftit babilonas që parashikoi vdekjen e Aleksandrit. Por Aristobulus gjithashtu e kritikon Aleksandrin për etjen e tij për pushtime. Megjithëse Historia e Aristobulus nuk u përfill nga kolegë bashkëkohës, thuhet se ajo nuk mbeti pa u kopjuar prej tyre dhe historianët pasardhës. Edhe historia e shkruar nga Ptolemeu, një nga gjeneralët më të afërt të Aleksandrit, nuk pati shumë sukses. Këtë histori Ptolemeu e shkroi kur ishte faraon i Egjiptit, zotërim që mori pas vdekjes së Aleksandrit. Ai shkroi kryesisht rreth betejave, pa u kujdesur për t’i zbukuruar ato, pasi qëllimi nuk ishte për të tërhequr lexuesin, por për të lënë pas dëshmi e të vërteta, siç citohet ai. Historianët sot shpesh pyesin; përse ky dallim kaq i madh midis arritjeve gjeniale të Aleksandrit dhe cilësisë së dobët të historive rreth tij? Sipas tyre, historianët e lashtësisë e kishin të vështirë të interpretonin hapur a më dëshirë jetën e Aleksandrit. Ata gjithashtu e kishin të vështirë të pajtoheshin me faktin se Aleksandri nuk ishte grek. Nga njëra anë, sipermarrja e tij mund të shihej si përpjekje për të shkatërruar perandorinë persiane, dhe e interpretuar në këtë drejtim, përbënte frymezim per grekët, që ishin në luftë të vazhdueshme me persët. Nga ana tjetër, Aleksandri ishte “barbar” maqedonas-ilir, shtypës i rebelimit të Tebës; ngjarje që kishte ftohur entusiazmin e grekëve për të. Kjo ndoshta ishtë edhe arsyeja, përse disa historianë shkruanin keq kur e paraqisnin atë si të dehur a të shthurrur. Disa madje shprehnin pakënaqësi kur Aleksandri korrte fitore ndaj
persëve, sepse sa më shumë zgjaste ky sukses aq më gjatë shtetet greke do të vazhdonin të ishin nën varësinë e tij. Dhe grekë të tjerë filluan të ndjeheshin më pak krenarë kur ekspedita e Aleksandrit u kthye në mision qytetërimi që synonte një perandori-një kulturë.
Por vdekja e papritur e Aleksandrit i dha fund kësaj ideje e cila, si vepër e
papërfunduar, mbeti jo bindëse dhe njëkohësisht nxitëse për imagjinatën. Kështu, duke përdorur forma përshkrimesh të përcipta, historitanët bashkëkohës të Aleksandrit, duket se sillnin tregime për të shuar kurreshtjen rreth popujve larg e afër, sic kishte bërë para tyre Herodoti me historitë e tij të përziera me gojëdhëna, thënie e përralla.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›