E Shtunë, 31 Tetor 2026

Euro në Shqipëri, jo para hyrjes në BE

Rreth 70 për qind e kredive jepen në valutë dhe
në pjesën dërrmuese në euro. Gati 68 për qind
e tregtisë me jashtë kryhet me vendet e Bashkimit
Evropian, të cilat kanë monedhë të përbashkët euron.
Po ashtu, pjesa kryesore e të ardhurave nga
emigrantët rezulton në euro, lidhur edhe me
vendbanimet e shqiptarëve jashtë atdheut. Të gjithë
këta faktorë forcojnë idenë e kahershme të
zëvendësimit të lekut, de jure, me monedhën euro,
sikundër po veprojnë disa vende anëtare të BE-së.
Por Banka e Shqipërisë e shikon këtë mundësi
shumë të largët. Ekspertë të saj nuk e hedhin poshtë
zëvendësimin e lekut me euron, pasi të jenë mbyllur
disa çështje. E para, që konsiderohet më e
rëndësishmja, lidhet me anëtarësimin e Shqipërisë
në BE. "Duhet më parë që vendi të anëtarësohet në
Bashkimin Evropian, e më pas të nisin procedurat
për zëvendësimin e lekut me euron, të cilat mund
të zgjasin të paktën mbi dy vjet", shprehet një zyrtar
i Bankës së Shqipërisë. Kalimi në euro do të thotë
ndryshe dhe reduktim i kompetencave ligjore të
BSH-së, e cila do t‘i duhet të zbatojë më tej
vendimet që merren nga Banka Qendrore
Evropiane. Ajo përcakton qartë rregullat strikte që
duhen ndjekur nga vendi ynë, siç është borxhi publik
dhe stabiliteti i çmimeve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›