E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Jap shumicën në komision, kutitë nuk hapen

 

Kryeministri Sali Berisha i premton opozitës drejtimin e komisionit hetimor për zgjedhjet e 28 qershorit. Në një intervistë në emisionin “Ora e Debatit”, të gazetarit Alfred Peza në “Ora News” kreu i qeverisë u shpreh i gatshëm për një takim me kreun e PS-së, Edi Rama, por shtoi se të gjitha bisedimet duhet të bëhen në Parlament.
Një pjesë e reformave që ju premtoni të bëni në këtë mandat kërkon praninë e opozitës, si do të veproni?
Qeveria ka detyrimet e veta ndaj opozitës dhe këto detyrime janë t’i japësh zë të fuqishëm në reformën zgjedhore. Ajo u përcaktua nga Edi Rama. Për mua rëndësi ka të jetë brenda standardeve. Garantoj Ramën se në reformën zgjedhore do ketë zërin kryesor. Prej 13-14 vitesh ky vend ka pasur problem me votën e lirë. Nëse ka një gjë që ndihem krenar, dhe ndoshta nga më kryesoret, janë zgjedhjet e këtij viti. Kam pasur një qëllim që të bëj çdo përpjekje për një proces zgjedhor dinjitoz për vendin. Ky proces është zhvilluar siç thotë arbitri ndërkombëtar, duke plotësuar zotimet kryesore të OSBE. Glover tha se nuk flasim më për zgjedhje të lira dhe të ndershme, por për standarde. Watchdog thotë se u plotësuan zotimet kryesore. E dyta, nuk pati prova për manipulim të rezultateve apo parregullsi të numërimit.
U tha që në 1/3 nuk kishte numërim të rregullt...
Tha që nuk ka prova për numërim të parregullt. A ishin të standardeve më të larta? Jo absolutisht. Klikoni në sitin e OSBE dhe do gjeni raporte më të dobëta edhe për shumë vende më të zhvilluara se Shqipëria. Votimi kolektiv, çfarë përpjekjesh mund të bëjmë ne që ta ndalojmë? Vlerësimi i përgjithshëm për zgjedhjet ishte pozitiv.
Opozita do mbajë nesër protestën e parë. Ju thatë në një konferencë për shtyp se do t’i jepni shumicën në komision hetimor, ndërkohë që Rama reagoi pas jush dhe tha që është provokim i ulët...
Zgjedhjet janë një proces sa kombëtar, aq edhe ndërkombëtar. Janë kombëtar sepse forcat politike janë të detyruara të angazhohen dhe qeveria është e detyruar t’i krijojë opozitës garanci të plota të pjesëmarrjes në proces. Barazinë në administrimin e zgjedhjeve. Këto kanë qenë të qarta si kristali. Por kurrë ndonjëherë asnjë kryeministër nuk mund t’i diktojë vendime kryetarit të opozitës. Opozita ka një sovranitet dhe nuk është derivat i Kryeministrit. Kryetari i opozitës është i lirë të marrë çdo vendim që do. Të pretendosh për të nxirë një proces të certifikuar kombëtarisht, nga çdo komisioner, së paku nga 10 mijë komisionerë të PS, kanë firmosur çdo procesverbal pa asnjë vërejte. Probleme ka pasur vetëm në 14 qendra votimi. Të pretendosh të nxish një proces ku çdo votë është filmuar, një proces që mandatet e të cilit janë votuar nga 7 komisionerët e KQZ dhe që u certifikua nga mbikëqyrësi ndërkombëtar, këtë mund ta bësh, por pa bazë ligjore jo. Rikthejuni pak në ditën e zgjedhjeve. Kujtoni dhe zgjedhjet e mëparshme. Ishin zgjedhjet më dinjitoze.
Besoni se rezultati në kuti është i njëjtë me atë në procesverbale?
Besoj se humba një mandat në Fier. Por unë pranoj vendimin e gjykatës dhe kaq.
Rama tha nëse i jepet shumica në komision, është gati të hyjë në Parlament. Ju u treguat i gatshëm dhe ai tha ç’janë këto deklarata. Përse bëni telefonin e prishur dhe nuk uleni?
Komunikimi nuk ndërpritet. Kur kam deklaruar se edhe koalicion do bëja me PS, unë nuk imagjinoj të ndërpres komunikimin me njeri. Kjo ofertë e imja është e sinqertë. Po të jetë për shumicë që nesër. Nëse mendoni se politika mund të lëvizë vendimet e gjykatave është e pamundur. S’mund ta bëj kurrë në një vend të lirë, të shkelë mbi vendimet e gjykatave. Politikës mund t’i teket të marrë Gjykatën e Lartë, por nuk është ashtu. Kushtetuta që autorizon Kuvendin për komision hetimor ka ligjin organik, që thotë se s’mund të krijojë komision hetimor për vendimin e gjykatave. Njëherë hapet një kuti, por pastaj një person ambicioz mund të përdorë shumicën për t’i dhënë kazmën çdo vendimi. Rama ka rrugën e hapur, të çojë çdo dosje në Prokurori, e cila mund të marrë çdo vendim.
Shikoni zgjidhje për këtë situatë?
Shumica ka bërë detyrat e saj. Ke bërë kërkesa hajde në Parlament. Mos më kërko të marrë përsipër gjykatësin.
Zgjidhjen e shikoni vetëm në Parlament apo një takim Rama Berisha?
Rama dhe Berisha mund të takohen, në një vend. Është jashtë çdo koncepti tim që nuk takoj këtë apo atë. Jam drejtues i ekzekutivit unë do takohem, s’kam asnjë problem. Nëse më kërkohet që unë të marr përsipër gjykatësin e vendit unë nuk e marr në mënyrë kategorike. Për të tjerat jemi të hapur.
Më mirë të jeni përballë sesa në televizione...
E ftova edhe për debat para zgjedhjeve dhe nuk erdhi. E ftoj unë atë se nuk kam problem. Nëse ai mendon se mund të ecë me politikën e pengut, pra hajt se marr peng unë dhe hajde zgjidh ti, kjo është tjetër gjë.
PS ka 8 kushte për hyrjen në Kuvend. Kë ofroni ju për zgjidhje?
Ka një vendim gjykate që s’mund ta marrë përsipër. Të vijë të flasim. Ai thotë për Xhindin. Unë jam 10 herë më i interesuar. Hajde ulu të shohim ku i keni kufijtë. Për atë dosja është në prokurori. Unë jam i hapur për të gjitha.
Jashtë Parlamentit nuk bisedohet?
Problemet zgjidhen në parlament, nëse është për të bërë show mediatik, bëhet. Unë zotohem që ato që them të vijë në parlament ti zgjidhim. Ky parlament është njohur ndërkombëtarisht, është njohur kryeministri i këtij parlamenti nga të gjitha burrat e shtetit të botës. Parlamenti funksionon dhe kemi vendosur ta mbledhim të enjten, që ti japim mundësi komisioneve të punojnë. Ka pasur një kritikë ndaj parlamentit që nuk i është dhënë koha e mjaftueshme për debatimin e ligjeve. Opozita është shumë e domosdoshme. S’mundet kryeministri t’i diktojë qëndrimet kryetarit të opozitës.
Nëse KQZ do asgjësojë fletët e votimit dhe opozita, pretendon se aty fshihet krimi elektoral, do acarojë klimën politike...
Kjo s’ka asnjë lidhje me qeverinë. Ka një Kod Zgjedhor që e ka propozuar Edi Rama. E vetmja kërkesë që kam është të zbatohet me rigorozitet ligji. Nëse parashikon ruajtjen, do ruhen të plota. Për pjesëmarrjen e tij në zgjedhjet lokale, ku ta gjej unë kurajon t’ia jap atij. Duhet kurajo të hysh në zgjedhje.
Legalizimet kur do të mbyllen?
Ne futëm letrat me vlerë. Pagesa me letra me vlerë është më e ligjshme. Procesi do të përfundojë brenda vitit 2010. Kompensimi i pronarëve po ecën dora dorës. Edhe kompensimi me fondet e legalizimeve do të përfundojë brenda 2010.
Pritet të ketë një rritje të çmimit të energjisë, çfarë do të bëjë qeveria?
Çmimi i energjisë nuk është në nivelin botëror në Shqipëri. Është rritur por as në nivelin rajonal nuk është. OSSH u privatizua. Nëse do rritet çmimi garantoj qytetarët në nevojë se ata do mbrohen plotësisht nga shteti për çmimin e rritur.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›