E Shtunë, 31 Tetor 2026

Historike, Spanja gjen finalen e parë në botëror

Ishte mbrojtësi Karles Pujol që realizoi me kokë golin historik në minutën e 73-të, pas krosimit të marrë nga Ksavi në një goditje nga këndi. Ky ishte i katërti gol i qendërmbrojtësit me fanellën e kombëtares, por më i rëndësishmi pasi i jep kampionëve të Europës finalen e parë të një botërori në historinë e tyre.

Ndryshe nga sukseset spektakolare kundër Anglisë dhe Argjentinës, në fushën e stadiumit të Durbanit sot u pa një Gjermani më e lodhur fizikisht, që aplikoi një lojë më të tërhequr duke shpresuar te kundërsulmi i shpejtë i treshes Ozil-Podolski-Klose. Por megjithë përpjekjet, asnjëri prej tyre nuk ishte në lartësinë e ndeshjeve të mëparshme.

Nga ana tjetër, Spanja ishte më e freskët dhe më e qartë në veprime dhe mund të kishte shënuar më tepër në portën e Nojerit. Gjithsesi, skuadra e Joakim Lëvit lë Afrikën e Jugut me kokën lart dhe të shtunën do të ndajë me Uruguajin vendin e tretë dhe të katërt.

Një ditë më pas, më 11 korrik, do të mësohet kampioni i i ri i botës. Holanda dhe Spanja sfidojnë njëra-tjetrën në “Soccer City Stadium”, për të rrëmbyer trofeun më të lakmuar. Sido që të jetë përfundimi i kësaj sfide, një gjë është e sigurt: si për të kuqtë, ashtu edhe për portokallinjtë, do të jetë i pari sukses në Kupën e Botës.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›