E Shtunë, 31 Tetor 2026

Historike për Kukësin, 6-1 ndaj Flamurtarit dhe Europë. Shpëton Besa

TIRANE-Edhe pse nuk e ka zyrtarizuar ende matematikisht vendin e dytë, dy javë nga fundi i garës, Kukësi e ka përmbushur tashmë ëndrrën e madhe të një qyteti futbolldashës. Investimi i presidencës është përligjur, duke bërë historinë si gjysmëfinalistë të Kupës së Shqipërisë më herët dhe tashmë si pjesëmarrës në Kupat e Europës. Konfirmim e kësaj e bënë në mënyrën më të mirë të mundshme edhe në ballafaqimin direkt për Europën, njëlloj finaleje për këtë objektiv, ndaj Flamurtarit.

Në gjunjë kuqezinjtë e Ernest Gjokës, mënjanë tradita e historia e skuadrës vlonjate. Turpërim i pashoq i saj, me rezultatin 6-1 dhe lamtumirë Europë. Një sezon i dështuar plotësisht, i hedhur në erë, pavarësisht investimeve të shumta të Shpëtim Gjikës. Kjo javë ka zbardhur edhe një enigmë tjetër, sa i përket skuadrës së katërt që bie një kategori më poshtë. Fjala është për Shkumbinin, që ka dalë i mundur nga transferta (pa tifozë) me Laçin, duke shuar çdo lloj shprese për të mbetur mes më të mirëve të vendit. Humbja e peqinasve dhe fitorja e kavajasve në Shkodër, përballë Vllaznisë që është paraqitur 100 përqind me të rinjtë, ka siguruar përfundimisht Besën.

Natyrisht që ka pasur edhe tolerime, nuk mund të shpëtonte Superiorja edhe kësaj here. Ka qenë pikërisht Bylisi, ekipi që është gjobitur pikërisht për tolerime. E ka bërë edhe ndaj Teutës, teksa ka qenë duke fituar 1-0 në pjesën e parë, ndërsa në të dytën durrsakët e kthejnë në 1-2. Teuta nuk ka fituar asnjëherë në Ballsh, por kësaj radhe ia del për 7 minuta. Ballshiotët ia kanë marrë dorën, teksa edhe në Peqin fitonin në pjesën e parë dhe lëshonin në të dytën...

Futbollistet e Kukesit festojne ne dhomat e zhveshjes 

SOT
KUKËSI – FLAMURTARI 6-1
Allmuça 8’ (11-m), Alikaj 22’, Hoxha 47’, 60’, Progni 51’, Popoviç 75’ / Muzaka 76’
LUFTËTARI – TOMORI 2-2
Fonseka 32’ (11-M), Lluka 38’ / Muxhaj 7’, Fonseka 10’ (aut.)
LAÇI – SHKUMBINI 1-0
Ndreka 62’
BYLISI – TEUTA 1-2
Bakiu 30’ / Jakupi 60’, Hodo 67’
APOLONIA – TIRANA 0-0
VLLAZNIA – BESA 0-1
Berisha 67’

DJE
SKËNDERBEU – KASTRIOTI 2-0
Bici 38’, Lilaj 58’

RENDITJA
1 Skënderbeu 55
2 Kukësi 46
3 Teuta 45
4 Flamurtari 42
5 Tirana 39
6 Laçi 37
7 Vllaznia 35
8 Kastrioti 34
9 Besa 30
10 Bylis 29
11 Shkumbini 23
12 Luftëtari 19
13 Tomori 16
14 Apolonia 11

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›