E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrëfehet Xhimi i ‘BB: 9 vite pa e takuar djalin, tani është 20 vjeç

TIRANE-E takuam Xhimin, 45-vjeçarin e eliminuar të “Big Brother” bashkë me të shoqen, Kozetën. Ata nuk janë shkëputur nga njëri-tjetri për asnjë çast. Kozeta na tregon që kjo është hera e parë që kanë qëndruar larg për një kohë kaq të gjatë. Ata janë njohur që në adoleshencë dhe jeta i ka bashkuar për të mos i ndarë më. “Jemi të lumtur. Unë edhe pas kaq vitesh vazhdoj të jem e dashuruar me Xhimin”, thotë Kozeta dhe Xhimi konfirmon. Kur i pyesim se ku kanë në plan të jetojnë, ish konkurrenti i “Big Brother” na tregon se mund të kthehen në Shqipëri për të jetuar e punuar, por ende nuk e kanë vendosur. Ai është apasionuar pas artit dhe aktrimit... Xhimi na tregoi edhe për martesën e tij të dikurshme dhe për marrëdhënien me djalin e parë, që tashmë është njëzet vjeç.
Xhimi ke dhënë shumë intervista këto ditë?
Kam dhënë disa. Mendova që ta mbyll shpejt këtë pjesë të gazetave e të intervistave sepse duhet të nisem për në Athinë.
Do kthehesh atje për të jetuar?
Nuk kam vendosur gjë. Nuk kam një plan konkret, por do kthehem si fillim sepse më ka marrë shumë malli për djalin. Mezi po pres.
Si po ndihesh këto ditë pas daljes nga “Big Brother”? Si të duket vëmendja e njerëzve?
Më pëlqen. Njerëzit më takojnë dhe më flasin me shumë superlativa e respekt. Reagimet kanë qenë shumë pozitive dhe për këtë më vjen mirë. Në fakt dy ditët e para nuk kam dalë fare nga shtëpia, sepse ndenja me prindërit.
Po prindërit çfarë të thanë? U mërzitën që dole?
Jo, ata u gëzuan. Përveçse i kishte marrë malli, atyre i dukej sikur shpëtova që ika prej andej (qesh).
Të bezdis fakti që tashmë të gjithë të njohin?
Jo aspak. Edhe pse tani më njohin, unë vazhdoj të jem ai djali i thjeshtë që kam qenë gjithmonë. Nuk më duket vetja kushedi çfarë. Tek unë s’ka ndryshuar asgjë.
Ti vetë u mërzite që dole?
Mendoj se nuk duhet të kisha dalë kaq shpejt.
Kush meriton më pak se ti, të jetë aty brenda?
Të parin mund të them Ilirin, i çili i kalon caqet e perversitetit dhe vulgaritetit.
Ku e shikon ti perversitetin tek Iliri?
Në shumë sjellje që ndoshta nuk perceptohen lehtësisht nga ekrani. Unë mendoj se ai është një njeri që nuk njeh limite morale. Pastaj mendoj që nuk meriton të jetë aty as Elona. Ajo është një person që për dy muaj aprovonte çdo gjë pa folur dhe me buzëqeshje dhe më pas çfarë nuk bëri e çfarë nuk tha për të nxjerrë keq të tjerët. Edhe Eldora është hipokrite nga koka tek këmbët. Ajo nuk është e trukuar vetëm nga pamja, por në të gjitha lëvizjet e saj. Madje edhe buzëqeshjen e ka totalisht false.
Po a nuk është kjo loja, të nxjerrësh në pah difektet e tjetrit për të dalë më mirë vetë?
Ka lojë, por duhet të ketë edhe pak ndershmëri për mendimin tim. Kjo është të luash pisët. Mund të bëja dhe unë, por nuk më pëlqen.
U afrove shumë me Anaidin dhe Joanën. Çfarë mendimi ke për ta?
Gjatë një bisede me Anaidin zbuluam se kishim disa kushërinj të përbashkët nga Tirana dhe kjo na afroi më shumë. Joana është mikesha e tij, kështu që detyrimisht do afrohesha dhe me të.
Ç’mendim ke për të?
Nuk më duket njeri i keq. Kohët e fundit u afrua më shumë me mua dhe arrita ta njoh më mirë. Për të mund të them se ka qenë konstante që prej fillimit, nuk ka ndryshuar. Ajo e ka shfaqur veten ashtu siç është dhe për mendimin tim ajo është e vërtetë. E kam nominuar për hipokrizi, por gjithmonë në raport me lojën. Megjithatë nuk them dot për asnjërin që është atje brenda që është real, përveç vetes. Unë isha vërtet real, edhe pse nuk mund të tregoja më shumë nga vetja ime për shkak të sekretit që duhet të ruaja.
Kush do të dëshiroje të fitonte?
Uroj të mos fitojë hipokrizia, perversiteti dhe vulgariteti.
Kemi dëgjuar për një martesë tjetër tënden dhe për një tjetër fëmijë. Mund të na tregosh më shumë mbi këtë histori?
Është një histori e shkurtër e jetës sime, që ka ndodhur njëzet vjet më parë dhe nga e cila erdhi në jetë një djalë. Bëhet fjalë për një njohje, martesë dhe shtatzëni që ndodhi e gjitha brenda 11 muajve.
Sot sa vjeç është djali? Ke kontakte me të?
Kam kontakte, por jo më të mirat e mundshme. Ai sot është 20 vjeç dhe jeton në Gjermani.
Si ka qenë marrëdhënia juaj gjatë 20 viteve?
Fillimisht nuk kemi patur kontakte të mirëfillta sepse të dyja palët jetonim jashtë Shqipërisë në shtete të ndryshme. Pas lindjes së tij, për gati nëntë vjet për arsye të ndryshme nuk kam pasur mundësi ta takoj djalin.
E ke vuajtur?
E kam vuajtur shumë! Por më pas jemi afruar. S’ka shumë që ai erdhi në Greqi dhe kaloi rreth dy javë me ne. Kaluam vërtetë mirë. Vetëm do të preferoja të mos jepja më shumë detaje mbi këtë histori pasi është diçka që filloi dhe për përfundoi brenda një kohë fare të shkurtër dhe duke qenë se janë të përfshirë njerëz të tjerë do të doja të mos flisja më shumë.

(d.b/Bluetooth/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›