Historiku i CDU-së gjermane, shembull modernizimit dhe reformimit politik
Cikli historiko-politik mbi të djathtën europiane
Si partia kryesore që mbart më së miri vlerat e suksesit politik të së djathtës gjermane, Unioni Kristian-Demokrat (CDU), ka sigurisht, peshën dhe shtrirjen më të madhe politike në vend, duke sjellë shembullin më të mirë të qeverisjes në RFGJ. Historiku i saj, përbën në vetvete shembullin real të transformimit, organizimit, modernizimit dhe reformimit politik
Numrin e kaluar folëm pak rreth definicioneve, rolit dhe dallimeve mes partive që mbulojnë spektrin e djathtë në Gjermani. Si partia kryesore që mbart më së miri vlerat e suksesit politk të këtij krahu, sigurisht se u përmend Unioni Kristian-Demokrat, i cili sëbashku me simotrën e tij Kristian-Sociale, përbëjnë fraksionin politik më tradicional e më simbolik në Bundestag e atë gjerman në përgjithësi. Ndërsa Unioni Kristiansocial ka shtrirje të kufizuar (megjithëse sukseset absolute) në gjeografinë politike të vendit, duke ushtruar veprimtarinë vetëm brenda kufinjve të Bavarisë, Unioni Kristiandemokrat (CDU) ka sigurisht, peshën dhe shtrirjen më të madhe politike në vend. CDU-ja u themelua pas Luftës së Dytë Botëtore. Pas vitit 1945, në rang rajonal, dmth landesh, u formuan grupime me orientim kristiandemokrat, të cilët u unifikuan më pas në vitin 1950 në një kongres federal, të mbajtur në qytetin e Goslar-it. Duhet theksuar se megjithëse ideja për themelimin e kësaj partie, vinte duke pasur si bazë zhvillimin apo organizimin e të ashtuquajturit “katolicizmi politik” inicuar në shekullin e 19 ( sipas vlerësimeve që bën edhe një studiues gjerman në vitin 2000, Schmid 2000: 109) - dhe “Partisë së Qendrës” gjatë kohës së Republikës së Vajmarit - qysh nga themelimi i saj, synimi i CDU-së, nuk ishin vetëm katolikët, por edhe protestantët. Prej kësaj përpjekjeje duhet kërkuar edhe rrënja e fjalës UNION, që përcakton bashkimin mes kristianëve me bindje demokratike.
1949-1963: Epoka “Adenauer”
Si kryetar i saj i parë u zgjodh në vitin 1950, Konrad Adenauer. Ai e mbajti këtë funksion për 16 vjet me radhë e u bë shumë shpejt ikona e CDU-së gjermane në publikun vendas e atë ndërkombëtar. Nga viti 1949 deri në vitin 1963, Adenauer mbajti edhe postin e Kancelarit Federal. Gjatë periudhës së kryesimit të partisë nga ana e tij, kjo parti cilësohej si një lloj grupimi apo “klubi zgjedhor kancelaresk” (Sontheimer/Bleek 2002: 235): Partia në fjalë përbënte dhe fraksionin më të madh në Bundestag, por në formësimin e politikës në vend, ajo nuk ishte shumë e përfshirë. Funksioni e saj primar konsistonte në faktin se ajo duhej të përkrahte gjatë zgjedhjeve e detyrës, Kancelarin Federal. Ishte Adenauer, i cili sëbashku me bashkëpunëtorët e tij më të afërt, vendoste në mënyrë vendimtare politikën e partisë, çka e bënte atë të gëzonte famën e një njeriu autoritar, por njëkohësisht edhe atë të liderit të padiskutueshëm.
Në politikën e jashtme hapat e parë kishin të bënin me integrimin e RFGJ-së në aleancat politiko-ushtarake perëndimore, ndërsa në rrafshin e politikës së brendshme, para së gjithash, dilte si detyrë rindërtimi i vendit dhe rivitalizimi i ekonomisë, duke u udhëhequr nga konceptet vizionare të bashkëpunëtorit të tij, Ludvig Erhard, që bënin fjalë për “ekonominë sociale të tregut”. Me këtë politikë, Adenaueri, ia doli të gruponte me sukses në një, interesat e grupimeve të ndryshme shoqërore e ekonomike në parti, duke e shndërruar atë në një parti popullore. “Okupimi” i partisë në rang federal dhe i postit të Kancelarit nga një person me karizëm shumë të theksuar e njeri i respektuar ( cilësuar edhe si babai i kombit të ri gjerman) nuk pengonte dot që partia të ishte tashmë shumë aktive e thuajse e pavarur në rang rajonal, falë edhe strukturës federaliste të shtetit të ri gjerman.
1963-1982: CDU me dy kancelarë dhe prova në opozitë
Ludvig Erhard më pas do të pasonte në vitin 1963 Adenauerin në postin e Kancelarit. Gjatë periudhës së tij në udhëheqje të kabinetit federal, "babai i ekonomisë sociale të tregut" bëri që ekonomia gjermane të njihte për herë të parë qysh prej themelimit të RFGJ-së, një krizë. Asokohe, si pasojë e kundërshtimeve të partnerëve të tyre në koalicion, FDP-së (Partisë Liberale), lindi edhe nevoja e një “koalicioni të madh”, duke sjellë edhe krijimin për herë të parë të një aleance të detyrueshme me rivalin kryesor politik (siç është edhe sot rasti i koalicionit të tyre me SPD-në, qysh prej vitit 2005). Në vitin 1966, ky koalicion i madh me SPD-në, kryesohej tashmë nga Kurt-Georg Kiesinger (i CDU-së), i cili ishte dhe kancelari i tretë në radhë në historinë e RFGJ-së. Në periudhën mes viteve 1969-‘ 72 kur tashmë partia ndodhej në opozitë, kishte ardhur tashmë koha që ajo të modernizohej e rivitalizohej për të qenë sërish e aftë të merrte në dorë frenat e pushtetit. Sigurisht se motori i saj këtë radhë, duke ia nisur që nga viti 1973, do të bëhej kryetari i ri i partisë, Helmut Kohl. Anëtarësia e saj kapi shifrën e 734.555 vetëve në vitin 1983 nga rreth 300.000 që ata ishin në fund të viteve ‘60. Organizimi i partisë u përmirësua ndjeshëm dhe u modernizua struktura e funksionimit; Në vitin 1978, CDU-ja nxorri në dritë programin e saj themelor.
1982-1998: CDU-ja dhe Gjermania nën udhëheqjen e Helmut Kohl-it
Pasi FDP-ja shpalli daljen nga koalicioni me SPD-në në vitin 1982, Helmut Kohl u zgjodh kështu kancelari i ri i RFGJ-së. Pas shpërndarjes së Bundestagut dhe zhvillimit të zgjedhjeve të reja parlamentare në vend, në vitin 1983, ajo mori 48,8% të votave. Bundestagu i ri miratoi kandidaturën e Helmut Kohl si Kancelar i RFGJ-së, duke i dhënë kësisoj atij një mandat të plotë 4-vjeçar. Por sukseset e tij dhe ngjarjet që pasuan, do i rezervonin atij disa mandate si kancelar i RFGJ-së dhe si kryetar i partisë, deri në vitin 1998, kur në pushtet, pas shumë viteve në opozitë, u rikthyen socialdemokratët e Schrëder-it. Në kongresin e partisë në Hamburg, në tetor 1990, CDU-së iu bashkangjit edhe simotra nga ish-RDGJ-ja. Për shumëkënd në Shqipëri mund të tingëllojë disi e çuditshme, por megjithëse i njohur si një shtet monist e komunist, ish-RDGJ-ja kishte disa fraksione politike në Kuvendin e saj “Popullor”, me emra të njejtë si në RFGJ, të cilët merrnin pjesë në atë që asokohe njihej si “Partitë e Bllokut”, të cilat, sigurisht se ishin të detyruara të njihnin rolin udhëheqës e të bëheshin vegla të partisë-shtet (SED), që kishte pushtetin real në atë kohë në atë vend. E tillë ishte dhe Partia Kristiandemokrate, e cila u shkri me simotrën e saj perëndimore. Duke ia nisur që nga vjeshta e vitit 1989, CDU-ja lindore bëri kësisoj një ndarje të konsiderueshme nga ish-udhëheqësia e saj e lidhur me pushtetin e vjetër dhe iu nënshtrua një riorganizmi mbi baza moderne. Sigurisht se modeli ishte në tavolinë; ajo ishte CDU-ja perëndimore e udhëhequr nga “Kancelari i Ribashkimit”, Helmut Kohl. Në kundërshtim me sukseset e saj në rang federal, në rrafsh rajonal CDU-ja në vitet ’80 e ’90-të pësoi disa humbje relativisht të konsiderueshme, derisa humbi kështu edhe kontrollin e shumicës në Dhomën e Lartë të Parlamentit Federal (Bundesrat) në vitin 1997. Njohja e meritave për integrimin europian si dhe ajo e ribashkimit të vendit nga qeveria Kohl, u fokusua dalëngadalë nga problemet që pasuan në ekonomi dhe sidomos përballja me sfidat e problemet e reja socialpolitike. Në të njejtën kohë, mënyra se si Kohl tashmë po e qeveriste partinë, si dhe një farë pasigurie që ai po shfaqte, bënë që ai të binte shpesh në teh të kritikave. Kjo gjë çoi në humbjen e pushtetit në vitin 1998 në favor të rivalëve tradicionalë, socialdemokratë.
Nga 1998: Humbjet, sfidat dhe fillimi i ri
Në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të vitit 1998, partitë e Unionit së bashku arritën të merrnin vetëm 35,1% të votave, e CDU-ja vetë, 28,4%. Papritur partitë e Unionit nuk kishin arritur vetëm në humbjen e pushtetit, por edhe kishin shënuar rezultatin më negativ të regjistruar ndonjëherë në zgjedhjet e përgjithshme. Helmut Kohl pas kësaj u tërhoq nga kryesimi i partisë, duke ia lënë vendin Volfgang Schäuble-s. Tashmë sërish në opozitë, CDU-ja gjithsesi mundi të arrinte disa suksese në rang rajonal (dmth landesh) dhe në vitin 1999 mundi të kryesonte kabinetet qeveritare në landet e Hessen-it dhe të Saarland-it. Por, pasi në fund të vitit 1999 u bë publik skandali me aferën e donacioneve për partinë e udhëhequr nga ish-kancelari Kohl, CDU-ja u fut në një krizë të thellë. Kështu si nga publiku, ashtu dhe nga radhët e vetë partisë, mbi të rënduan kritika të forta. Brenda kryesisë së partisë, këto kritika erdhën duke u rritur, së pari nga Sekretarja e Përgjithshme (në këtë post tashmë nga viti 1998), Angela Merkel. Në vitin 2000, ajo u bë kësisoj edhe gruaja e parë që mori postin e kryetares së partisë, duke i zënë vendin një figure shumë karizmatike në partinë me tradita të forta konservatore, siç ishte dhe Volfgang Schäuble. Seria e sukseseve në zgjedhjet për parlamentet e landeve nga ana e CDU-së, ka vijuar të qëndrojë edhe sot. Kështu, aktualisht CDU-ja ka kryesimin në 13 nga 16 lande në Gjermani – duke qenë pjesëtare e udhëhequr qeveritë e vetme ose në koalicione. Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2005, partitë unioniste me 35,2% të votave, arritën rezultatin e dytë më të keq në historinë e tyre dhe CDU-ja si e vetme me 27,8 % madje më të keqin – por si pasojë e realiteteve politike të reja që u krijuan dhe rezultateve edhe më të dobëta të rivalëve të tyre socialdemokratë, ata mundën të ravijëzoheshin si fraksioni më i fortë në Bundestag, duke i hapur rrugën kështu krijimit të një “koalicioni të madh” me socialdemokratët, ku kreun e kabinetit e mori në dorë CDU. Risitë që ajo solli me këtë rast ishin të shumëfishta. Kështu, ajo tejkaloi disa tabu jo vetëm për skenën e djathtë politike, por edhe për mbarë politikën gjermane në përgjithësi, duke emëruar për herë të parë një kancelare femër e duke ia besuar për herë të parë drejtimin e vendit, një ish-qytetareje nga Lindja. Angela Merkel, sot përbën padyshim, edhe simbolin e CDU-së e vetë Gjermanisë. Megjithë kohën e vështirë në të cilën ajo është caktuar të drejtojë ekzekutivin, ku recesioni ekonomik dhe kriza globale janë mëse evidente, suksesi i saj është i padiskutueshëm dhe marrja e një mandati të dytë pas zgjedhjeve të këtij viti, nga shumë ekspertë konsiderohet vetëm një formalitet.
...