E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHËNIME PËR “SHËNIMET” E MITRUSH KUTELIT (III)

(vijon nga nr. i kaluar)

 Po të na kujtohen tani ata dy jeunes hommes të muhabetshëm, gjatë të bariturit të tyre poshtë e lart shëtitores së Tiranës në mbasditen e vjeshtës të 1939-s duke kuvenduar për kritikën letrare dhe, veçan, për dallimet mes dy profileve të veta kritike, mund të lexohet ndryshe edhe kuvendimi i tyre. Se përse Kuteli mëtonte edhe prej Nirvanës një kritikë ku të ndihej “heji i bisturiut të kirurgut” ose “fshikulla e frazës luftarake”, bëhet më e qartë. Ai vetë i kishte të farkuara, që të dyja këto, si instrumente të botëkuptimit të tij. Në kohë e sipër “stilisti i ëmbël”, siç e quante Vangjel Koçën, ishte dhe mbeti në kritikë nxënës bese i Gustave Lansonit (1857-1934): me gjithë simpatitë për kritikë bashkëkohorë si Albert Thibaudet ose Pierre Brisson, nuk e kapërceu qarkun e mbyllur lansonian që fillonte me parimin e “promovimit të autorit si prodhues teksti” dhe mbaronte me atë të “letërsisë si shprehje e shoqërisë”. (Në të vërtetë formula “letërsia është shprehje e shoqërisë” është e vitit 1802 dhe i përket teoricienit kundërrevolucionar Louis de Bonald (1754-1840).) Për Nirvanën, fjala vjen, shijeholli Brillat-Savarin ishte autor i Fiziologjisë së shijes, ndërkaq për Kutelin ai nuk ishte veçse gjykatësi që kishte shkruar librin e dorës Pamje dhe projekte të ekonomisë politike. Dhe nëse për dy miqtë do të kishte një ndarje në “botën e shkrimtarëve”, shkasi nuk do të ishte çështje “shkollash”, aspak: ndërsa Kuteli tanimë antifashist do të shpallte sheshit si botime “të padenja”, si tekste “turpi” një numër librash autorësh shqiptarë të propagandës së pushtimit (Shqiponja arbënore, në “Shënime letrare”, 117-120; Njimëndësija shqiptare, po aty, 121-125; etj.), Nirvana tanimë profashist do të përlavdëronte pikërisht ato botime (Arbëreshi që pas pesë shekujsh u kthye në Dheun e të Parëve, në “Tomorri i vogël”, 15 gusht-1 shtator 1942; Njimëndësija shqiptare, po aty, 16 qershor 1943; etj.). E pabesueshme? Shkasi dallohet lehtazi: ndarja në botëkuptime do t’i vendoste ata në pozicione të përkundërta, si papasët në kartat e bixhozit.

Këtu, tek antifashizmi i shpallur i Kutelit, nuk mund të mos përcaktohet maja cilësore dhe njëherësh sasiore e frymës së tij kritike: prej 1943-shit (në shtator të një viti më parë ishte kthyer nga mobilizimi përfundimisht në atdhe) deri më 1944. Ndërkoha kur risku i atdheut luhatej në një lojë mes arit dhe gjakut: përcaktim i Kutelit vetë. Shkruesi i këtyre radhëve, që ka pasur fatin ta njohë një pjesë mbetur gjallë të protagonistëve të “botës letrare” të asaj ndërkohe në pleqërinë e tyre, si dhe të dëgjojë syresh rrëfime mbas rrëfimesh, do të mund ta rindërtonte spektaklin e asaj “bote” gjatë lojës tragjike: e shumta e protagonistëve të kthyer prej studimesh jashtë, që e bënin jetën e tyre letrare - ku? - një grup në Kafe Berlin, një tjetër në Kursal, një i tretë në Excelsior, një i katërt në Bella Venezia; veshur në petka konkurruese, disa lidhur në kravata Yves Saint-Laurent, të tjerë vetëm në shalle kumashi ose me jaka të këmishave në seta pura sipër jakash të xhaketave; një këtu me beretë, tjetri aty me llullë për cep të buzëve; lulja e rafinimit europian: kështu e mbanin veten; andej duke pirë duhan anglez, këndej duke shijuar kafe all’italiano, më tej duke surbur çaj mbas ndeshjes së tenisit, pa përjashtuar shampanjën e vakët; “A dëshironi të hiqni një pisk burnot?” i pyeste kolegët përkthyesi i njëfarë Richenburgu duke u zgjatur tabaqellën e argjendtë; (edhe Lasgushi përkthente, por i mbyllur në shtëpizën e vet, romanin Heinrich von Ofterdingen të Novalisit); hëm të angazhuar, hëm të çinteresuar; herë zymtanë e me zëra të ngjirur, herë gjithë ndjeshmëri të sëmurë; njëri që lavdëronte heroizmin, tjetri që ngrinte lart idealet e fisit; çakërrqejf e të ekzaltuar dhe sakaq me pamje të përzishme; kishte edhe nga ata që, në këto e sipër, kallnin gjurin midis gjunjëve të shokut; siç kishte edhe zilarë me smirë më të zezë nga të grave; të gjithë jepnin e merrnin duke e shpalosur veten për estetë, për filozofë, për politikanë, sidomos për dekadentë; “në fund të barkut tënd të bardhë/ me flamujt e grisur që valëviten/ më thërret atdheu”: përsërisin të magjepsur vargjet në italishte të një “ylli” të ri të poezisë i cili ende nuk kuptohej në ishte fashist a komunist; një palë marxistë, pala tjetër antimarxistë; njëri trockist, shoku i tij i ngushtë antitrockist; dikush borgjez, tjetri antiborgjez, madje dhe ndonjë borgjezo-revolucionar; kush e kush të ofronte, mes asaj klime abstrakte, teori të porsadala në qarkullim duke i bërë lëmsh hallet e Shqipërisë me ato të vendeve ku kishin studiuar; “More po t’i njihnin mirë edhe problemet e huaja nuk do të qe edhe aq ligsht”, i shpotiste polemisti i përjetshëm Pika (Tasi Mio); në kohë e sipër që hija e vdekjes pluskonte mbi më se një syresh, nuk kishin mangët, të thuash, gjë prej gjëje, përveç sensit të realitetit: atë as e kishin pasur ndonjëherë.

Po Kuteli?

Ai shkëlqente me mungesën e vet në ato mjedise. “Dezertori...” e thërriste me humor Nebil Çika kur e shikonin nga dritaret e mëdha me kristale të lajluara të Bella Venezias tek endej rrugëve në biçikletë. Gazetari i vjetër me kaçurrelat gjithë brilantinë bënte kështu, padashur, një përcaktim dykuptimsh.

Kaq të huaja të ishin, vallë, ato lokale të shkumës së aristokracisë së letrave të Tiranës për ish-oficerin e mobilizuar në ushtrinë gjermane - ndjesia e uniformës së pluhurosur nuk i shqitej për trupi - dhe ende të kapluar nga gjithë ç’i kishin parë sytë në frontin rus e që për “shkumën” do të kishin qenë fantazmagori? Me siguri mund të thuhet se për të ishte ndërkoha e punës më të ngjeshur në letërsi, në publicistikë, në kritikë letrare, krahas asaj në Bankën e Shqipërisë. Si dhe e pozicionimit të tij të shpallur në mbrojtje të lirisë së atdheut. Ndeshja mes tiranisë dhe lirisë - dy nga nocionet politike më të shpeshta të fjalorit të tij kritik - tanimë në botëkuptimin e artistit dukej të ishte acaruar në kulm. Mund të lexohet sot kontrasti me lokalet e “shkumës” në një tubëz pamfletesh politike të stilit konician të atyre dy viteve, përmbledhur në një libër të tijin po ashtu të flakur në harresë: Havadan më havadan me autor - i sati pseudonim? - Lugati. Shkrimtari-ekonomist, që lëshonte britmën për krizën e rëndë që kishte mbërthyer atdheun, i quante “Gomarë të Vezuvit” shokët e tij dhe veten e vet - jo vetëm Kokonën, Spassen dhe Hakiun, me të cilët pati kuturisur të nxirrte për pak muaj një Revistë letrare: “Bota e jonë âsht e ngrefun sot mbi nji tokë vullkanike, në kuptimin botnuer të fjalës. Zjerrmi mundet me shpërthye dita-ditës, kurse na si gomarët e Vezuvit rrijmë tue kullotun barin e gjelbër aty siprit... A thue se shoqnija shqiptare âsht mâ pak inteligjente e ka mâ pak kuptueshmëni se gomarët e Vezuvit?” (Havadan më Havadan, 89). Po aty për “ajkën”: “E na - na ajka e shoqnís! - kena fuqín morale me iu shtrue ahengut për nji rasë gzimi privat, tue mbajtun apostafat e me urdhën të veçantë epror “a giorno” dritën e elektrikut, nërsa âsht botnisht e dijtun se populli s’ka ujë me pì, mbassi mungojnë karburantat për me e shpërnda e s’ka bukë me hangër, mbassi gjithë për ate shkak s’âsht e mundun me u sjellin ushqime. Nji vepër e tillë âsht gati imorale nga pikëpamja shoqnore, pse ajo vulos me nji vulë të shëmtueme nji mot të vështirë e sidomos një shoqni të kalbun” (po aty, 90).

Nuk ngjan si ndeshje në botëkuptimet tona, e tashme, e sotshme?

A paraqet ndonjë vlerë sidokudo mendimi kritik i Mitrush Kutelit sot, kur në 100-vjetorin e lindjes së shkrimtarit, opusi kritik i botohet thuajse i plotë falë përkushtimit të bijve të tij që kryejnë një detyrë sa birnore, aq dhe atdhetare?

Nuk është pyetje për habi. Në ndryshim nga letërsia, e cila përshkon kohën nëpër qindvjeçarë e mijëvjeçarë duke mbetur ngaherë “e re”, kritika letrare e ka të paracaktuar jetën fort të shkurtër, të lidhur thuajse vetëm me audiencën e kohës së vet. Duke u zhvilluar me shtënie në punë idesh prej fushash nga më të larmishmet, nëpërmjet së cilash hyn në aleancë ose në konflikt me degë të ndryshme të dijeve humaniste, kritika i nënshtrohet një procesi bjerrjeje shumë - por shumë - më të shpejtë se dukuria letrare (më gjerë Fayolle: La critique littéraire, pass.). Dhe, dendur, nis e bie erë të përmortshme. Nuk e ka pësuar këtë bjerrje historike edhe opusi kritik i Kutelit?

Përtej këtyre pyetjeje rrethanore, nuk mund t’i iket një çështjeje tjetër, çështjes madhore: A është sot kritika letrare, brendapërbrenda shkencës së letërsisë, një disiplinë e akredituar? “Kritika letrare nuk do të ketë në të ardhmen asnjë rol (ajo qysh tani nuk e ka asnjë), ndërsa funksioni i saj do të jetë i barabartë me zero”, ka shkruar në epokën tonë Klaus Stileri në esenë Mbi fundin e kritikës letrare (Vom Ende der Literaturkritik, në “Kritik der Literaturkritik”, Stuttgart 1973, 99). Mbas tij një vistër e gjatë teoricienësh të kritikës e kanë mbresuar fundin e shek. XX me skepticizmin e tyre.

Në ka diç të vërtetë në këtë skepticizëm, ai ngjan të ketë të bëjë me situata të caktuara kulturore të shoqërive në shndërrim. Dhe shoqëria shqiptare mund të jetë njëra syresh. Pak rëndësi ka nëse në botën e sotme të letrave shqipe është zhdukur ose jo paradigma kuteliane e kobures për ç’i përket kritikës. (“Ku autori vë dorën në kobure ose të ndjek “administrativisht” e “me miq” në qoftë se i kritikove veprën ose, të paktën, të rri me kokë më nj’anë sepse nuk e lëvdove sa desh ay vetë”.) Zona kulture si kjo shqiptarja ngjajnë ato ku kritika e humb autoritetin e vet: përse? Sepse konkurrohet prej llojesh të tjera informimi të cilat. Të manipuluara me shkathtësi, llojet e tjera të informimit ushtrojnë trusni mbi opinionin publik duke ia dalë t’ia mbërthejnë atij vëmendjen me vepra që nuk kanë vlerë reale. Konsiderata të rendit paraletrar bëjnë, për shembull, që në shoqëri të këtilla të shpallen best-seller libra ende para daljes në qarkullim. Paraja, në situata si kjo, luan rolin vendimtar në ngritjen artificiale të një vepre, të një botimi. Atëherë kritikës ç’i mbetet? Të heshtë. 

Pikërisht në situata si kjo një opus kritik si ky i Kutelit mund të ketë, mos tjetër, vlerë të padiskutueshme didaktike. Po rendis vetëm disa merita të këtij opusi që i mendoj të çmueshme ende për gjithkënd lavron a do të lavrojë kritikën letrare në “botën shqiptare”:

1. Ndonëse pati thënë për kritikën letrare do gjëra kapitale, Mitrush Kuteli u ruajt nga ideja që të numërohej “kritik profesionist”. Modesti e shtirë? Dëshmon më shumë për një të kuptuar të veçantë të aktit kritik të asimiluar, në thelb, me atë të krijimit. Si e përmenda sipër: i një ligjërimi shkalle së dytë të asimiluar në një ligjërim shkalle së parë. Kritiku kutelian është, pra, krijues i pajisur me shqisë kritike. Në një model të tillë emocioni përkundrejt veprës së artit vetëm sa i nxit aftësitë krijuese. Alegoria për këtë parim te Një fjalë mbi dy shokë dhe mbi veprëzën e tyre (1944) ngjan jashtë dyshimi. Në fund të fundit, pranohet e vlerësohet vetëm ajo çfarë ndjek ligjësitë shpirtërore të krijimit. Të zbulosh është, për Kutelin kritik, barabar me të trillosh.

2. Për Kutelin veprat e mëdha janë produkt kohe dhe ato mblidhen nëpër kohë. “Vështrimi” i tij Viti letrar 1943 (1944) do të quhej model i papërsëritur për zbatimin e këtij parimi. Pa kurrfarë ngurrimi, pa konsiderata të rreme, pa e ndier veten të kompleksuar, kritika lypset ta shpallë një kësi bilanci: pse jo?

3. Duke qenë shpirt sintetik, vokacioni i Kutelit është jo vetëm të zbulojë dhe, posaçërisht, të rizbulojë vlera, por edhe “të rikrijojë”, në kuptim shpirtëror, veprat që analizon. Historinë e letërsisë ai e vështron kësisoji si një “komedi njerëzore” që i ka shkrimtarët vetëm si shkase. Mekanizmi i veprës çmontohet para syve tanë dhe kritiku, me një buzëqeshje gjithë bashkëfajësi, na fton të admirojmë një përftim njerëzor, të kuptueshëm e të deshifrueshëm, jo ndonjë mrekulli. Kështu deri në imtësitë. Së këndejmi edhe natyrshmëria e kalimit nga kritika letrare te historia e letërsisë, - një skicë të saj tejmase sintetike e dha me esenë Si e shohim letërsinë shqipe (1944), - në të cilën të gjitha format e kritikës janë, parimisht, të pranueshme.

4. Kutelizmi në kritikë jep edhe një mësim me stilin e vet: stilin e dëlirë, por piktoresk, të lehtë, por të rrasët, sidomos të kulluar e të hareshëm “si vera e vjetër në qelqen me ngjyra”. Stili ka të bëjë drejtpërsëdrejti me mendimin e kritikut. Nuk do të thoshte kot më vonë, kinse për Faikun ngaqë afërmendsh nuk mund ta thoshte për veten: “kritik i kthjelltë..., me një kthjelltësi mendimi që s’ka shok në botën shqiptare” (Zi në letrat e shqipes, 1944). Njëra prej imtësive të çalojë në veprën që analizon, kritiku do të ndalet për ta regjistruar me shpotinë e tij gjithë gaz. Ndonjë shembull nga recensionet e tij: “Ato që shkruhen për protagonistët e skicës Në hijen e manit mund të jenë të vërteta në katundet e Greqisë, ose gjetiu, po jo në Shqipëri, ku bota - as më shumë as më pak - i quan maskarallëqe” (Merushja). “Nuk duhej thënë çardhak po korridor. Çardhaku të jep menjëherë përfytyrim oriental ku dikush rri këmbëkryq dhe numëron gishtërinjtë e këmbës ose ha meze dhe pi raki (ose që të gjitha bashkë), po s’mund të thuhet se një shkollë pariziane ka një... çardhak” (Topazi). “Po të mos dilnin Valët e mija nuk do të kish do-një humbje letërsija shqiptare. Se dual, s’ka do-një fitim”.

5. Në një rrafsh edhe më konkret kritika e tij lë trashëgim një thesar të vogël, por thesar, nocionesh dhe konceptesh farkuar nga ai, me të cilat ajo është e larushuar anë m’anë. Janë më së shumti produkt i frymës së tij intranzigjente në kritikë: “lëvozhga arti”, “të vërteta në këllëf”, “kritikë orale”, “kritikë ambulante”, “vepra prej kashte”, “vepra pa krypë”, “prozë adjektivale”, “vjersha pa nojmë”, “përkthim barbar”, “kapadaij të pendës”, “shkrimtarë të përhimë”, “kasaphanë e censurës”, “botime tregtare”. Kurdoherë që ato do të përdoren e ripërdoren do ta dëshmojnë qokën kuteliane.

6. Shkrimi kritik i Kutelit përfaqëson një orvatje të vetëdijshme për ta çliruar kulturën shqiptare nga komplekset e provincializmit. Dhe jo vetëm për ç’u takon studimeve të tij për shkrimtarët e huaj, që dëshmojnë vetëdije kritike universale. Nën syrin e tij depërtues krijimi popullor shqiptar shpalos më se një herë cilësi potencialisht të gjithëmbarshme. Nga ky vështrim esetë Vëndet e largimit në këngët popullore shqipe (1933), Këngët i sjell era... (1944), Bisedime me të katër fëmijët e mi dhe me vetveten (1965) do të ishin tri variacione të një modeli gjithnjë të lakmueshëm për një kritik letrar që do të guxonte të depërtonte në fushën e folkloristikës. Kjo orvatje i dhuroi theksa me mprehtësi befasuese kritikës së tij: prej burimeve të kulturës së qëmoçme nxori rini të pashterueshme, të cilën e infuzoi në zona të gjera të intelektit shqiptar, edhe më tej vetë fushës së kritikës.

7. Paradoksi i opusit të tij kritik rezulton nga bashkekzistimi i një fryme të fuqishme lokale, kombëtare, me frymën e një homo europeus-i, të ndërthurura të dyja në mënyrë të lume. Kjo ndërthurje paradoksale mbetet e pashoqe. Si dhe e paimitueshme. Për ç’i përket këtij paradoksi epigonizmi ndaj tij nuk është i mundshëm.

Nëse do të hamendohet jo vetëm se sa la të pathëna në opusin e tij kritik një shkrimtar si yni, por edhe se sa mund të ketë lënë të nënkuptuara në formulimet e tij; se sa iu desh ta adjustonte shprehjen e tij kritike me konvencionalizmat e kohës, - më sak: të tri kohëve me mungesa të theksuara lirie (më 1944 shkruante: “…nuk mund të mohohet se në Shqipëri ka munguar kurdoherë elementi i parë nga i cili ka nevojë shkrimtari: lirija. Kjo mungesë është një nga shkaket e parë të vobekësisë letrare në kohën e Zogut dhe më pas”, Shënime letrare, 112); - se sa fokusime të tërthorta iu desh të përdorte për të mbërritur te kumtimi i gjykimeve të tij; se sa do të jetë sforcuar për të mposhtur kufizimet që pozicioni i tij njerëzor i shkaktonte etj., do të kuptohet që, me shumë gjasa, ai ka pasur të drejtë të pyeste, siç la të pyetur: “Do të më njohë dhe do të më kuptojë dikush, të paktën pas vdekjes?” (Testamenti, 74). Dhe aludimet përkatëse gjenden, pa shumë vështirësi, në vetë tekstet e tij kritike. Shembull: “Gogoli e shkroi këtë kryevepër nën shpatën damokliane të cenzurës. Disa nga peripetitë nëpër të cilat kaloi libri para se të hynte në shtyp i pamë më lart. Por sa e sa vrulle shpirtërore duhet të kish mbytur Gogoli që ta bëjë veprën e tij “të botueshme” në kushtet e asaj kohe! Satira e tij ka qënë e detyruar të marrë rrugë të tërthorta, simbolike. Dhe ndaj mendoj kështu më shkon një thikë në zemër, sepse e pyes veten: vallë si do të ish shprehur Nikollaj Gogoli po të mos kish patur mbi kokë, ndërsa brumoste veprën e vet, shpatën e cenzurës cariste? Sa thellë do të ish futur thika e tij kirurgjike në trupin e sëmurë të shoqërisë, sa lart do të kish fluturuar gjenia e tij!” (1962). Ta ketë pasur fjalën përnjëmend për “Nikollaj Vasiljeviçin”? Dhe për censurën “cariste”?

Gjithsesi, çfarëdo të ketë shkruar shkrimtari-kritik në çastet e pikëllimeve e të zhgënjimeve plot vrer, tanimë disa dhjetëvjeçarë mbas largimit të tij fizik le ta trajtojmë casus-in e tij me parimin e Croces, simbas të cilit historia regjistron atë çfarë njeriu bën dhe jo atë çfarë ai vuan, heq.

“Nuk e di”, i është përgjigjur vetë pyetjes “Do të më njohë dhe do të më kuptojë dikush, të paktën pas vdekjes?”. Vetmitar i madh, si çdo shkrimtar i përmasave të tij, një farkuesi të “kultit të kombit” në letërsi nuk mund t’i shkonte përdore ta bjerrte besimin te letërsia. Popujt pa letërsi, ose që kanë një letërsi mediokre, nuk kanë as fizionominë dhe as karakterin e një kombi: mund të rilexohet ky parim gjithkund mes rreshtave të Shënimeve letrare të tij. Letërsia e madhe krijon rreth një kombi, edhe në qoftë ai i ndarë e i shpërfillur, një sugjestion të jashtëzakonshëm, gati-gati një mit force: “Shkrimtari është përfaqësonjësi më i aftë i kombit nër kombe të tjerë...” (Si e shohim letërsinë shqipe, 1944). Sepse letërsia ka fuqinë ta shndërrojë një popull të vogël dhe jodomethënës në një komb të madh e të qytetëruar. Popuj dhe kombe që biologjikisht kanë vdekur prej shekujsh a prej mijëvjeçarësh, janë ende gjallë falë sugjestionit të letërsisë së tyre. Ky është, ndoshta, i vetmi përkufizim i mundshëm civil e historik për t’iu bërë letërsisë - ky është edhe vlerësimi më i mirë që mund t’i bëhet me rastin e botimit të opusit të tij kritik një mendimtari si Kuteli: përtej çdo pikëllimi a zhgënjimi.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›