Historiografia jonë, e përlyer nga mendësia e diktaturës
Mendësia komuniste e ka penguar zhvillimin më të vrullshëm të përparimeve të vendit tonë, me të gjithë nihilizmin e saj plot vrer gjatë të gjithë periudhës 2005-2011. Me siguri që do të kishim një ecje më të mbarë, pa obstruksionin fanatik të një opozite që është e pashembullt në demokracitë euroatlantike, në kuptimin që nuk ka pasur asnjë rast të vetëm bashkëpunimi me mazhorancën, qoftë edhe për çështje me karakter kombëtar e jashtë interesave partiake, në ndjekje të qëndrimit të vendeve që përmendëm, së paku.
Kultura dhe artet kanë qenë në një inerci katastrofike gjatë të gjithë kohës kur dikasteri përkatës drejtohej nga E. Rama. Ky mbart një pasqyrim të plotë të një asgjëje të plotë e mjeruese, të kohës kur ka pas drejtuar dikasterin e art-kulturës, po ta bëjë krahasimin me një zhvillim të paparë të aktiviteteve të kësaj fushe, pas rënies së atij regjimi të korruptuar të pasnëntëdhjeteshtatës. Krahasimi është i vetvetishëm me kompeticionet e shumllojshme të muzikës, të kërcimit popullor e klasik, të teatrit. Një boom i vërtetë, një shpërthim i përbashkët ndërmjet artit kosovar, atij të diasporës në përgjithësi, dhe atij të vendit tonë brenda kufijve zyrtarë. Shkurt: një ecuri e pashembullt e artit shqiptar. Artistët, në kohën kur arti drejtohej nga Edvini, u ngujuan në grevë urie. Greva u dhunua përmes shkopinjve të gomës, siç dihet, por nuk përmendet shpesh.
***
Por sot do të përqendrohemi në historinë e shkruar, në përdhunim të së vërtetës. Nuk mjaftoi periudha e diktaturës. Mendësia e saj mortore nuk pësoi asnjë flashkje, me destalinizimin e përbotshëm të vitit 1956. Pas këtij viti, vendi ynë ishte nga 3-4 vendet e botës që e ruajtën stalinizmin të paprekur. Kryeministri Berisha, me rastin e 83-vjetorit të Mbretërisë, u bëri apel historianëve që të vënë në vend historinë tonë të vërtetë. Ai kërkoi që të rivlerësohet siç e meriton kontributi i figurave të rëndësishme të historisë. “Historia, - u shpreh ai, - është e mbuluar me hirin toksik të regjimit të diktaturës 45-vjeçare”. Berisha e vlerësoi si ngjarje të rëndësishme hapjen e ekspozitës, me rastin e 83-vjetorit të Mbretërisë. “E vërteta është se mbështetësit e Mbretit ishin linja më e kristaltë e luftës për çlirim të vërtetë kombëtar”, - tha ai. “Mbreti u shndërrua si flamurmbajtësi kryesor i kombit shqiptar”.
Për të denigruar figurën e Mbretit Zog I, një historian yni, që mbahet si kompetent në histori, merr si mbështetje përbaltëse, ditarin e Kontit Çiano. Galeaco Çiano ka qenë njeriu që në oborrin e Zogut I është refuzuar për kërcim nga njëra prej damave të sallonit. Princeshat e quanin donaiolo dhe flisnin me përçmim për personalitetin e Çianos. Ai që ka bërë marrëveshjet e para të Italisë me Ahmet Zogun, para se ky të bëhej president, ishte diplomati Aleksandër Lesona. Duket se A. Puto nuk e ka lexuar fare veprën e kujtimeve diplomatike të Lesonës. Ky ka qenë diplomati i parë në takime të shumta, në kohën kur nga Durrësi në Tiranë nuk kaloje dot me makinë, kur Erzeni ishte i fryrë. Makina mezi kalonte në vahun e lumit, kur ujërat mehnin, në behar. Kreu VII-VIII i librit të Lesonës “Mision në Shqipëri” është më i çmuari për marrëdhëniet italo-shqiptare. Mund të citojmë diçka nga këta kapituj: “Zogu ishte ndër më të vendosurit për një veprim gjer në fund kundër italianëve, kur ishim të shtrënguar të linim Vlorën”. (...) “Sa për Jugosllavinë, ai nuk dëshiron të ketë asnjë detyrim ndaj saj, duke qenë i vendosur të mbajë gjallë çështjen e shqiptarëve të Kosovës”. Diku, më pas, autori shkruan se Zogu i është shprehur: “Regjimi im duhet të jetë fatalisht një regjim autoritar dhe nacionalist, sepse frymëzimi kombëtar përtej kufijve tanë, por pranë tyre, (në Greqi dhe në Jugosllavi) është zëri i madh i vetëm i cili, duke i folur zemrës së popullit, mund ta mbajë atë të bashkuar”. Një frazë tjetër: “Në bisedimet me Zogun, e dalloja lehtësisht se ishte i prirur gjithmonë që të ma hidhte. Vetëm kur më fliste për vëllezërit e tij të cilët ofshanin nën zgjedhën e huaj, m’u duk se shihja në sytë e tij një shkëndijë sinqeriteti dhe ngashërimi”.
Për Galeaco Çianon, lexojmë në “Misioni në Shqipëri”: “Jam i mendimit se ngjarjet që dëmtuan rëndë përpjekjet (e Zogut) janë në ngarkim të Galeaco Çianos, më shumë sesa nga mungesa e ndershmërisë së Zogut”. Më tej, Lesona flet për pandershmëri të Çianos. Tani ky historiani na mbështetet te Konti Çiano! Hiri toksik i diktaturës, - për të cilin flet Berisha , - ka gjetur takatuken e duhur ku të zërë vend ky hi helmues.
Shkrimtari, studiuesi dhe publicisti F. Balliu, bash në kohën më adapte, ka gjetur momentin e duhur për t’i dhënë vlerën që meriton një intelektuali dhe atdhetari të shquar, Ejëll Çobës, libri i kujtimeve të të cilit sapo ka dalë në qarkullim. “Jeta e humbur” është titulli i kujtimeve të Ejllit, që kaloi një burg prej 25 vjet e gjysmë, pa bërë asnjë faj ndaj ndërgjegjes dhe ndaj kombit. Silvio Pellico u bë i njohur në tërë Italinë për 10 vjet burg, me kujtimet në “Le mie prigioni”. Por invazioni austriak nuk është si invazioni komunist. Prandaj të mbeten në mendje, të skalitura këto shprehje tronditëse të Balliut: “Ai (Ejlli) të jep një gëzim, që ti takon një njeri që nuk e njeh gënjeshtrën, që ti takon një njeri me faqe të bardhë, që nuk e njeh intrigën, që ti takon një njeri të lirë, kur është i lidhur këmbë e duar. Dhe kur ti e takon këtë njeri në faqet e një libri, të rritet shpresa dhe besimi se e përditshmja e sotme, me turlisoj kopukësh e horrash që përpiqen ta mbajnë vendin varur në pelenat e komunizmit, në pelenat e shtratit antikombëtar, për ideologji apo për interesa, do të mposhtet, sepse themeli real i shqiptarit dhe i shoqërisë shqiptare është Ejëll Çoba dhe jo kurrkushët që vërtiten me maska apo pa maska, korridoreve të zyrave, ekraneve dhe e duan Shqipërinë pa NATO-n, me viza dhe e duan Shqipërinë me enverë apo patjetër me spirokolekë”. Kurrkushë janë edhe ata që në libra nxënësish kanë shkruar se ilirët kanë qenë një masë kusarësh!