Idhuj mes nesh
Idhulli është imazh i cili nderohet e adhurohet, megjithëse është pa thelb e përmbajte. Në fakt nuk ka as vete dhe si i tillë, skualifikohet si simbol. Filozofi britanik Francis Bekon (1561-1626) i trajtoi idhujt si fiksacione të trurit, nga të cilat njeriu mund të shërohet vetëm duke njohut shkaqet. Në këtë drejtim ai parashikoi psikologjinë moderne. Në veprën Organum Novum - Instrument i ri (për përvetësimin e njohurive) - Bekon i ndau pasaktesitë intelektuale (fallacies) nën katër tituj që i quajti idhuj; Idhujt e Fisit, Idhujt e Shpellës, Idhujt e Pazarit dhe Idhujt e Teatrit.
Në Idhujt e fisit ose grupit, Bakon përmbledh bindjet a besimet e rreme që njerëzit krijojnë natyrshëm dhe për këtë arsye i përkasin të gjithë racës njerëzore. Idhujt e grupit janë a imazhe që rrjedhin nga prirjet për të ekzagjeruar, shtrembëruar dhe shpërpjestuar një objekt, pamje ose realitet të dhënë. Kjo ndodh kur njerëzit në jetën e përditshme shohin vetëm kalimthi dhe nuk ndalen thjesht të mendojnë apo të regjistrojnë atë që shohin. Mendimet e tyre përhapen duke krijuar cilësi të panumërta imagjinare. Brenda një kohe të shkurtër këto imagjinata fillojnë të përzihen me faktet deri sa bëhen të pandashme, duke krijuar një botëkuptim ose realitet të rremë.
Gjatë periudhës së diktaturës, shumë shqiptarë kaluan në proces të ngjashëm; duke jetuar në izolim të plotë, me vetëm ndonjë dritare televizive filmash të huaj për të njohur sesi jetohej në perëndim. Kjo krijoi botëkuptimin e rremë se një jetë e mirë dhe pasuri mund të siguroheshin edhe pa punuar. Po ashtu mes një realiteti të frikshëm e të zymtë nën diktaturë dhe njëkohësisht nën një propagandë që u thoshte krejt të kundërtën, krijoi imazhin e dy realitete në një, atë njerëzve që qanin e qeshnin njëkohësisht.
Po ashtu, shumë shqiptarë jashtë kufijve, të ndikuar nga e njëjta propagandë që perhapej nëpermjet së vetmes radio, krijuan idhujt e rremë të fisit, atë të një vendi nën diktaturën më të egër, por të begatë e me banorë të lumtur.
Idhujt e Shpellës lindin në mendjen e individit. Mendja e mbyllur është simbolikisht një shpellë e errët ku mendimet krijohen nga sjellja, arsimi, zakoni, mjedisi, dhe rasti. Kështu kur një individ ia kushton mendjen e tij një dege të veçantë të të mësuarit dhe i interpreton a zbaton të gjitha ato që mëson me të njëjtin përkushtim; kur një kimist sheh vetëm mikrobe; një politikan, vetëm interesat partiake; kur një njeri mes shumë të tjerëve dallon a lartëson vetëm udhëheqësin e tij; kur një gjykatës vendos vetëm në favor të pushtetit e pushtetarëve - këta të gjithë, në veprimet e tyre tërhiqen nga idhuj a imazhe të krijuar brenda mendjes së mbyllur, shpellës së errët të intelekti.
Idhujt e Pazarit janë pasaktësitë që rrjedhin nga rëndësia e rreme që dhurojnë fjalët; si në pazar ku tregtari me fjalë të shumta lëvdon mallin e vet dhe arrin ta shesë, jo se malli i tij është më i miri. Njerëzit i përdorin fjalët për të shprehur mendimet e tyre. Por ka njerëz që fjalët shpesh i përdorin për të zëvendësuar mendimet. Sipas tyre, ata e kanë fituar një argument, sepse kanë folur më shumë sesa kundërshtari i tyre. Në këto raste fjalët tradhtojnë qëllimin e tyre, sepse kur zëvendësojnë mendimin, ato vetëm errësojnë kuptimin dhe ushqejnë pasaktësi. Me këtë, Bekon sikur donte të parashikonte shkencën moderne të kuptimit të fjalës, semantikën.
Idhujt e Teatrit janë imazhet që krijohen në mendje për shkak të të mësuarit shtrembër. Këta idhuj ndeshen në fushën e teologjisë, filozofisë, dhe shkencës, ku parimet, normat dhe idetë pranohen padyshim nga masa. Kur filozofi të rreme, thotë Bekon, kultivohen dhe përhapen gjerësisht në botën e intelektit, ato merren si të mirëqena. Në këto raste, superstruktura false ngrihen mbi themele të rreme.
Si rrjedhim, prodhohen sisteme shterpë që u ngjajnë fitoreve të vetëshpallura, paradave të fryra, duartrokitjeve të organizuara, shfaqjeve të pjesëve të dobëta në skena madhështore.