Bashkia e Tiranës nis hartimin e planit të ri urbanistik me një konsultim të gjerë me qytetarët
Nisin të bëhen realitet premtimet e kryebashkiakut Lulzim Basha
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, sikurse edhe ka premtuar gjatë fushatës elektorale, mësohet se do të nisë punën për hartimin e planit të ri urbanistik, me 8 shtator, gjatë takimit që do të ketë me përfaqësuesit më në zë të botës akademike dhe ekspertë të tjerë të njohur të fushës së arkitekturës dhe urbanizimit.
Në një njoftim për mediat të shpërndarë dje nga Bashkia e Tiranës, mësohet se, në procesin e hartimit të planit të ri urbanistik për Tiranës, do të përfshihen shumë ekspertë dhe personalitete të njohura, sidomos ato të universiteteve dhe botës akademike, të njohur për paanshmërinë e tyre dhe mos përfshirjen në interesa klienteliste. Procesi i hartimit të planit do të jetë transparent dhe do të mundësojë përfshirjen dhe dëgjimin e zërit të qytetarëve.
I njëjti njoftim i bashkisë së Tiranës, sqaron se, parimet kryesore që do të kihen parasysh gjatë këtij procesi janë: Zhvillimi i qëndrueshëm i qytetit, që do t’i hapë rrugën zhvillimit ekonomik dhe mjedisor të Tiranës duke nxitur dhe hapjen e vendeve të reja të punës në qytet; Harmonizimi i interesave publike dhe interesave private që do të rezultojë në mbrojtjen e hapësirave publike dhe atyre të gjelbra; Harmonizimi me komunat dhe bashkitë përreth Tiranës, dhe arritja e një konsensusi sa më të gjerë me banorët e Tiranës; Plani i ri urbanistik do të synojë përmirësimin e transportit publik, lehtësimin e trafikut, përmirësimin e sistemit të mbledhjeve dhe trajtimit të mbeturinave urbane dhe bërjen e Tiranës një qytet më të jetueshëm dhe më atraktiv për banorët e tij, si edhe; plani do të synojë gjithashtu zbatimin e një formule të menaxhimit të pronës private në mënyrë që të evitojë spekulimet dhe të sigurojë një shpërndarje sa më të drejtë të përfitimeve të zhvillimit.
Parimet kryesore që do të kihen parasysh gjatë këtij procesi
* Zhvillimi i qëndrueshëm i qytetit, që do t’i hapë rrugën zhvillimit ekonomik dhe mjedisor të Tiranës duke nxitur dhe hapjen e vendeve të reja të punës në qytet
* Harmonizimi i interesave publike dhe interesave private që do të rezultojë në mbrojtjen e hapësirave publike dhe atyre të gjelbra.
* Harmonizimi me komunat dhe bashkitë përreth Tiranës, dhe arritja e një konsensusi sa më të gjerë me banorët e Tiranës.
* Plani i ri urbanistik do të synojë përmirësimin e transportit publik, lehtësimin e trafikut, përmirësimin e sistemit të mbledhjeve dhe trajtimit të mbeturinave urbane dhe bërjen e Tiranës një qytet më të jetueshëm dhe më atraktiv për banorët e tij.
* Gjithashtu, plani do të synojë zbatimin e një formule të menaxhimit të pronës private në mënyrë që të evitojë spekulimet dhe të sigurojë një shpërndarje sa më të drejtë të përfitimeve të zhvillimit.